Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
- Shqiptarëve të Greqisë s’u njihet as e drejta të jetojnë
Më 22 tetor 1924, përfaqësuesi i Legatës së Shqipërisë në Athinë do njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Tiranë, se më 15 tetor 1924 kishte arritur në Athinë nga Beogradi z. E. Colban, drejtor i Seksionit të Minoriteteve në S.D.N.
Me ardhjen e z. Colban në Athinë shtypi grek kishte filluar prapë të botonte lajme tendencioze mbi situatën e brendshme në Shqipëri, me burim Zyrën e Shtypit të shtetit grek.
Përfaqësuesi ynë në Athinë i kishte përgënjeshtruar këto lajme në një komunikatë të datës 20 tetor si krejt të pathemelta.
Siç e kishte njoftuar disa ditë më parë, më 20 tetor 1924, përfaqësuesi ynë në Athinë zhvilloi një takim me z. Colban, në “Petit Palais”, i cili e kishte pritur shumë mirë dhe e kishte dëgjuar me një vërejtje të thellë.
Përfaqësuesi ynë në Athinë i kishte bërë z. Colban një ekspoze të gjatë mbi vuajtjet e shqiptarëve në Greqi dhe sidomos të çamëve, e kishte vu në dijeni për regjimin e restriktimeve të çfarëdollojshme nën të cilat jetojnë, për veprimet e nënkomisionit Mikst në Epir dhe në Maqedoni, si dhe për intrigat e delegatëve grekë dhe turq dhe për burgosjen e shumë çamëve, të cilët ndiqen për të vetmen arsye: pse deklarohen si shqiptarë dhe s’duan të vejnë në Anadoll.
Përfaqësuesi shqiptar e kishte vu në dijeni z. Colban dhe për konditat tragjike dhe mënyrat brutale me të cilat u bë eksodi i 10 000 (dhjetë mijë) shqiptarëve të qarqeve të Kosturit dhe Follorinës, të cilët si bagëti u transportuan në gusht 1924 në Selanik dhe prej andej ishin dërguar në Azi.
Z.Colban iu komunikue edhe telegrafi i ministrit të Punëve të Jashtme, z. Sulejman Delvina, mbi emnimin e delegatit të ri grek në Epir, si dhe mbi vazhdimin e presioneve kundër çamëve dhe instalimin e refugjatëve vetëm në shtëpitë e shqiptarëve.
Katastrofa e Maqedonisë dhe instalimi i refugjatëve i kishin bërë përshtypje të madhe z. Colban, i cili dukej që i injoronte këto dy fakte, sepse e kishte pyetur dy herë përfaqësuesin e Shqipërisë në Athinë, nëse ishte i sigurt që 10 000 shqiptarë të Maqedonisë u imbarkuan për në Anadoll dhe që vetëm në shtëpijat e shqiptarëve instalohen refugjatë. Përfaqësuesi ynë i ishte përgjigjur se Legata është fare e sigurtë për vërtetësinë e këtyre dy pikave dhe se 10 000 shqiptarët e Maqedonisë i kishte parë vetë, kur po kalonte nga Selaniku me leje.
Në lidhje me gjendjen e grekofonëve të Shqipërisë, përfaqësuesi i Legatës sonë të Athinës i kishte dhënë të gjitha hollësinat e duhura z. Colban, duke i theksuar se s’besoj që në shtetet e tjera minoritetet gëzojnë aq të drejta sa gëzojnë grekofonët në Shqipëri; këta jo vetëm që s’kanë të drejta civile dhe politike më pak se shqipëtarët e tjerë, por kanë dhe shkollat e tyre ku mësimet jepen në gjuhën greke, kurse shqiptarëve të Greqisë s’u njihet as e drejta që të jetojnë.
Mbi pyetjen e z. Colban për numrin e grekofonëve të Shqipërisë, përfaqësuesi ynë në Athinë i ishte përgjigjur se “këta s’bëhen më tepër se 25 – 30 000 (njëzetë e pesë deri në tridhjetë mijë), por grekët për arsye të njohura fjalës “minoritet” duan t’i japin një extension më të madh duke përfshirë të gjithë ortodoksët e Shqipërisë, por kjo teori e çuditshme e Greqisë jo vetëm që âsht në kundërshtim me parimin e njësisë kombëtare të kansakrueme dhe në Statutin Organik të Shqipërisë, jo vetëm prek në koshiencën e tyre nacionale ortodoksët shqiptarë, për të cilët faktori i fesë s’formon një element konstituiv të principit të nacionalitetit, por është plot rreziqe për avenirin e relatave greko – shqiptare dhe për konsolidimin e qetësisë së përgjithshme në Ballkan”.
Sa u përket aluzioneve të z. Colban për punën e Himarës, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë i ishte përgjigjë se “zelli dhe interesi që rrëfen Greqia për himariotët është fare i pathemeltë dhe mund të konsiderohet si një intervenim në punët e Shqipërisë, se himariotët s’formojnë minoritet për arsye se as nga gjuha (përveç nja 1- 2 fshatrave), as nga zakonet, as nga ndjenjat s’kanë ndonjë diferencë me shqiptarët e tjerë”. Sa për privilegjet që popullsia shqiptare në Himarë dhe disa vise të tjera të Shqipërisë i kishin patur në kohën e Turqisë, përfaqësuesi shqiptar i thekson z. Colban se s’mund të bëhet fjalë se “të tilla privilegje ishin suprimuar prej Statutit Organik të Shtetit Shqiptar, dhe se çështje privilegjesh as de jure as de facto nuk ekziston në Shqipëri”.
- Qarqet zyrtare greke survejonin Legatën Shqiptare në Athinë
Krahas punës intensive që përballonte në vitin 1924, përfaqësuesi i Legatës Shqiptare në Athinë, Mit’hat Frashëri, duhej të kujdesej t’u shmangej edhe survejimeve intensive që i bëheshin atij dhe Legatë sonë nga strukturat e specializuara të shtetit grek.
Më 23 qershor 1924, diplomati Mit’hat Frashëri informon ministrin e Punëve të Jashtme se kishte disa kohë që ka vërejtur se rreth Legatës Shqiptare në Athinë silleshin spiunë për të ndjekur cilët dalin dhe hyjnë. Ai kishte mësuar edhe se një shërbim spiunazhi aplikohej edhe në legatat e tjera.
Më 21 qershor 1924, në vizitën që i kishte bërë zotit Rafael, Mit’hat Frashëri i kishte bërë vërejtje mbi këto gjëra, duke i cilësuar si jo korrekte. Ashtu siç pritet në këto raste nga diplomatët, Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme të Greqisë i kishte thënë z. Frashëri se nuk ekzistonte një shërbim i tillë në Greqi, duke mohuar spiunazhin.
- Pengime për shqiptarët myslimanë të Shqipërisë
Më 25 qershor 1924, Prefektura e Korçës njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për dijeni dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, se Baki Adili, i vitëlindjes 1868, nga katundi Nikolicë, me rastin që kishte shkuar në katundin Zagor (Rrethi i Nënprefekturës së Kosturit-Greqi) për të rregulluar çështjen e pronave që zotëronte atje, autoritetet helenike e kishin zënë dhe e kishin mbajtur disa ditë në Kostur. Më pas e kishin dërguar në Follorinë ku mbahej nën vërejtjen e policisë.
Baki Adili pretendonte se e mbanin nën vërejtje pa ndonjë shkak dhe vetëm sepse kishte marrë pasaportë të rregullt shqiptare.
Meqënëse personi në fjalë mbahej nën vërejtje pa ndonjë arsye, prefektura e Korçës lutej që Ministria e Punëve të Jashtme të intervenonte ku ishte nevoja për lirimin e tij.
Sipas njoftimit të datës 19 korrik 1924, të Prefekturës së Gjirokastrës për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ibrahim Ismaili, nga Përmeti, që ishte nisur për në Greqi në mesin e muajit korrik, për të vajtur në pronat e veta në Tesali, megjithëse kishte një pasaportë të rregullt, ishte kthyer përsëri në Sarandë me pretendimin se nuk kishte vizuar pasaportën e tij në legatën greke në Durrës.
I përmenduri pretendonte se pasaportën e kishte nxjerrë në Përmet, ku nuk kishte përfaqësues grek dhe se në udhëtimet e tjera që kishte bërë në Greqi nuk i kishin kërkuar një gjë të tillë, por autoritetet greke i kishin marrë një taksë 58 dhrahmi dhe e kishin burgosur 24 orë.
Nga verifikimet e bëra rezultonte se kthyerja e Ibrahim Ismailit nuk ishte shkaktuar nga arsyeja që servirin autoritetet greke, pasi, përveç tre muhamedanëve që pësuan fatin e të përmendurit e u detyruan të ktheheshin në Sarandë, me atë vapor ishin dhe disa nënshtetas të krishterë, që gjithashtu nuk i kishin vizuar pasaportat, por u lanë të lirë të udhëtojnë.
Prefektura e Gjirokastrës kërkonte të ndërmjetësohej pranë Legatës Greke dhe të udhëzohej se si do të vepronin me nënshtetasit grekë që udhëtonin nëpër Shqipëri pa i vizuar pashaportat në Legatën tonë në Athinë.
Ndërsa më 21 tetor 1924, Prefektura e Gjirokastrës informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se Krahinaria e Sarandës informonte se Policia Greke në Pire ndalonte kategorikisht zbarkimin e shqiptarëve muhamedanë në atë port me pretendimin se nuk kishin vizuar pasaportat e tyre në Legatën Greke në Shqipëri.
Rezulton se një masë e tillë nuk ishte marrë në Korfuz dhe në Patra.
- Kërkesat e përfaqësuesve të Çamërisë për kryeministrin Pangallos.
Më 18 shkurt 1926, Komisioni i Përfaqësuesve të banorëve të Çamërisë të Epirit: Ali Dino, Mazar Dino, Haki Sejko, Jasim Haxhi, Mameço Zesi, Ibrahim Bajo dhe Adem Idris, shqiptarë prej origjine dhe myslimanë prej feje, i dërguan nga Athina një memorandum Shkëlqësisë së Tij gjeneral Theodor Pangallos, president i Këshillit të Ministrave, me origjinë shqiptar, që drejtoi Qeverinë e Greqisë në vitet 1925 – 1926.
Sqarojmë lexuesin se kjo praktikë shkresore, megjithëse është e vitit 1926, ndodhet e administruar në një dosje në fondin e vitit 1944.
Në këtë memorandum, përfaqësuesit e banorëve të Çamërisë parashtronin padrejtësitë që u ishin bërë nga aplikimi i keq i ligjeve të ndryshme të Shtetit dhe më tepër të reformës agrare nga organet inferiore të Administratës greke, dhe i luteshin Presidentit Pangallos që të kishte mirësinë të bënte personalisht hetime që të bindej nëse ankimet e tyre bazoheshin mbi realitetin.
Disa nga çështjet që trajtoheshin në këtë memorandum janë:
1) Me gjithë instalimin e llogjikshëm dhe të drejtë të viktimave të mjerë të katastrofës Mikrasiatike, vëmë re që pa barabitje shumë familje të refugjatëve u instaluan veçanërisht vetëm në katunde myslimane dhe bile nëpër katunde, në të cilat arat mezi mjaftonin për jetesë të banorëve të tyre të parë. Për instalimin në fjalë të refugjatëve u rekuizuan shtëpitë tona modeste në të cilat na dëbuan me pahir dhe u shtrënguam të strehohemi nën kasollet e këqija ku mbanim më parë shtazët tona të pakta ose nën tenda.
2) Në kundërshtim me çdo të drejtë dhe akoma të parapamjeve të caktuara të reformës agrare, së cilës kërkohej aplikimi, u imponua shpronësimi i mallrave tona, që jemi me origjinë shqiptarë dhe fe myslimanë, për hir të refugjatëve të cilët u instaluan por dhe për hir të banorëve të tjerë vendas që banonin rrotull. Në këtë mënyrë duke humbur që prej tre viteve mallrat tona të pakta që me mundim të madh grumbullonim sa për jetesë, jemi dënuar neve dhe familjet tona të vdesim urije.
Ky sekusetrim u bë në të gjitha katundet e Çamërisë që banohen prej shqiptarëve myslimanë dhe më tepër në Neohor, Minina, Korigjemi, Gjurxa, Pigadhulia, Picari, Petrovica, Dragumi, Karvunari, dhe akoma dhe në atë kryeqytetin e qarkut, Paramithinë.
3) Në shpronësimin e detyrueshëm të mallrave tona, që jemi me origjinë shqiptarë dhe me fe myslimanë dhe nështetas grekë, shpronësim pa vend, çmimi i vlefshëm ishte kaq i pallogjikshëm që të mos themi i padrejtë, sa që duket qartas i dëmshëm dhe shtypës.
Në mallrat tona të cilat gjenden në fshatrat e Prefekturës së Prevezës, Kravari, Koconopulo, Sintikle etj. dhe të cilëve t’ardhurat llogariten në 120 dhrahmi për stremë, si çmim i shpronësimit u caktua vlefta e ulët dhe qesharake për 7 dhrahmi për stremë.
…
11) Forma më e keqe e shkeljes së Reformës Agrare ngjau në Paramithi vetë, ku nën mburojën e ligjit u vunë në zbatim shtypje dhe padrejtësira, nga njëra anë nga politikanë spekullonjës dhe nga ana tjetër nga aplikuesit e pandërgjegjshëm të Reformës Agrare.
Nga ky shkak kopshtet dhe çairet që janë brenda në të, si dhe vreshta dhe mallra të tjerë të përjashtuar nga shpronësimi, u rrëmbyen nga malldarë të pangopur të fshatrave rrotull. Dhe neve shqiptarët me fenë myslimane, pronarë të përzënë nga arat nga të cilat rronin duke punuar, u trasformuam në njerëz pa mallra, pa punë, pa na u dhënë as dëmshpërblimi sipas ligjit.
12) Nuk patën as vakëfet tona fat më të mirë, këtu e tutje përmbajtja e tyre nga fukarallëku ynë po bëhet promblematike dhe në të ardhmen do të jetë e pamundur derisa nuk kanë mallra të përmbahen. Dhe kësisoj edhe feja jonë të cilën na e kanë lënë baballarët tonë duhet të neglizhohet.
Pasi parqesin listat sipas qarqeve dhe fshatrave me mallrat e shpronësuara dhe të grabitura, përfaqësuesit e banorëve të Çamërisë së Epirit theksojnë se “nuk kërkojnë privilegje as favorizime, po njëhësi dhe drejtësi” dhe i kërkojnë presidentit Pangallos që të dërgojnë një inspektor të ndërgjegjshëm dhe të paanshëm, i cili të shkoqiste në realitetin e ankimeve të tyre. Ata kërkonin që z. Pangallos të impononte një dëmshpërblim relativisht njerëzor, si dhe kthimin e pasurive të shpronësuara ilegalisht të zotërve të tyre që të bindeshin që edhe ata ishin nënshtetas grekë, “duke marrë pjesë me gjithë zemër në të gjitha detyrimet, por edhe duke përfituar nga të gjitha të drejtat”.
Përfaqësuesit e banorëve të Çamërisë, duke u lutur për reparacionin sa më të shpejtë të padrejtësive që u ishin bërë dhe shpëtimin e tyre nga konsekuencat e këqija që po kalonin, duke theksuar se “nuk duronin më”, përfundonin:
“Nga sa thamë më sipër, mund të bindeni që pozita jonë është tepër tragjike dhe në është se e Ndershmja Qeveri e kryesuar prej Jush nuk do të marrë masat e duhura për shërimin e kësaj të keqeje, neve shqiptarët prej origjine dhe prej gjuhe, dhe prej feje myslimane, por nënshtetas grekë që nga ngjarja e 1912 – 1913, kemi të drejtë të besojmë se Qeveria Juaj nuk dëshiron përveç se zhdukjen tonë me mënyra të tërthorta, ose të na shtrëngojnë të abandonojmë tokën e etërve tanë, vatra të cilat për gjenerata të tëra fituam dhe gjërat e shënjta, të cilat çdo shtet i lirë dhe i qytetëruar respekton, dhe të shpërngulemi duke kërkuar gjetkë atë që shteti i respektueshëm grek na refuzon, d.m.th. sigurimin e jetës dhe mallit tonë.
Zoti President, as që duam, as mundemi të kujtojmë që kjo gjë mund të jetë qëllimi objektiv i Qeverisë së Ndershme të cilën kryesoni.”
- Shënime për ministrat e kabinetit grek
Në vijim të kësaj praktike që administrohet në këtë dosje, gjendet një dokument me shënime që u adresohen ministrave të qeverisë greke, që përmban të dhëna me interes për zhvillimet e asaj periudhe në trevat shqiptare në Greqi.
5.1 Shënim për ministrin e Punëve të Brendshme
- a) Shumë fshatra të cilat banohen prej myslimanëve të Çamërisë nuk formuan si më parë komuna të veçanta, megjithëse kanë shumë banorë. Këto fshatra u bashkuan me komuna të tjera të cilat kanë qendrën në fshatra me popullsi shumë më të paktë dhe të cilat banohen prej kristianëve. Kjo gjë ngjau se myslimanët e Çamërisë u quajtën të shkëmbyeshëm. Po pas rregullimit të kësaj çështjeje është nevoja të formojnë komuna me vete, siç formonin dhe më parë deri më 1920 dhe të urdhërohet të bëhen zgjedhje të reja për emërimin e Këshillave Komunalë ose të provokohet emërimi i këtyre prej banorëve të fshatrave në fjalë.
- b) Shumë nga myslimanët e Çamërisë ankohen për sjelljen e keqe kundrejt tyre nga ana e personave të policisë, të cilët shumë herë arrinin deri në presione me kanosje e ndjekje për faje të paqena. Lutemi t’u rekomandohet agjentëve të policisë pushimi i këtyre abuzimeve dhe të imponohet në të ardhmen dënimi i organeve abuzonjës.
5.2 Shënim për ministrin e Financave
- a) Në Qarkun e Çamërisë taksat mbi të ardhurat janë të regjistruara në kurriz të myslimanëve pronarë. Po këta, prej shumë kohe quajtur gabimisht të shkëmbyeshëm, u zhveshën nga pronësia e tyre, e cila u sekuestrua ilegalisht prej vendasve dhe prej refugjatëve. Dhe, megjithëse pasuritë e tyre janë në dorë të të tjerëve, të cilët i shfrytëzojnë, shteti vazhdon jo vetëm t’u kërkojë taksa nga ata që nuk kanë asgjë, por akoma kërkon dhe shtesën mbi taksa të cilat nuk paguhen në afatin e caktuar. Prandaj kërkohet, nga një anë pezullimi i pagimit të taksave deri në rregullimin definitiv të çështjes së pronësisë, nga ana tjetër të mos u llogaritet atyre asnjë shtesë për shkak të vonesës, nëse kjo nuk vjen nga shkaku i tyre.
- b) Zyra e stabilizimit ka vërtetuar në ngarkim të personave, në favor të të cilëve është urdhëruar shpronësimi i pasurive të myslimanëve, shuma të ndryshme për vleftën e pemëve të cilat u janë dhënë bashkë me tokën e ndarë. Këto shuma mbeten të painkasuara që prej tre viteve, ndaj atyre që vdesin urije me gjithë kuptimin e fjalës.
- c) Lutemi të ngrihet degë e Bankës Bujqësore në krahinën e Çamërisë për lehtësimin e bujqëve të shumtë të kësaj krahine.
5.3 Shënim për ministrin e Feve
- a) Tempujt e shenjtë që gjenden në Qarkun e [Çamërisë], në të cilët nënshtetasit grekë me origjinë shqiptare po me fe myslimane ushtrojnë detyra fetare, pas ligjit të shpronësimit pushuan pothuajse të funksionojnë që kur u rrëmbye pasuria e tyre e veçantë, të cilën e zotëronin që prej shekujsh të tërë. Shumica e tyre, që të mos themi të gjitha, u rrëzuan duke mbetur pa meremetim, për shkak të mungesës të të ardhurave, dhe të tjera u rrafshuan për të njëjtin shkak. U arrit në këtë mënyrë të mos mundin besnikët të ushtrojnë detyrat e tyre fetare. Me këtë mënyrë ofendohet ndjenja fetare e këtyre shqiptarëve, ndjenja e adhurimit të gjërave të tyre të shenjta, që gjë i lutemi me respekt zotit President si dhe ministrit të feve të mos e lënë pas dore po të urdhërojnë forcimin financiar të këtyre tempujve, që të mund të riparohen dhe të ndalohet katastrofa e tyre e plotë.
- b) Për shkak të gjendjes së krijuar prej luftës dhe prej turbullirave të brendshme nuk u bënë zgjedhje të reja për myftinj të rinj, për këtë shkak në vend të disave që kanë vdekur u emëruan myftinj pa u zgjedhur, gjë që nuk është e rregullt. Nga shkaku i kësaj gjendjeje dëmtohen seriozisht interesa të myslimanëve dhe përditë krijohen dëme në kurriz të tyre.
Prandaj parashtrojmë lutje të nxehtë që e ndershmja Ministri të urdhërojë zgjedhje, që të kthehet në këtë mënyrë në të gjitha komunitetet myslimane gjendja fetare normale e mëparshme aq shumë e dëshirueshme.
5.4 Shënim për ministrin e Luftës
- a) Myslimanët banorë të Çamërisë nuk përfituan deri tash pensione në bazë të ligjit për pensione të viktimave të luftës, sepse u gjykuan si të destinuar për shkëmbim ndonëse u mobilizuan dhe luftuan. Mëqënëse kjo çështje u rregullua, kujtojmë se duhet të merret parasysh që t’u akordohen pensionet në fjalë atyre që u takojnë në bazë të ligjeve përkatëse dhe të fillojmë nga tërheqja e tyre.
- b) Autoritetet ushtarake të qarqeve të Margaritit dhe Filatit nuk japin asnjë qira për shtëpitë e myslimanëve që përdorin prej viteve. Lutemi pra të urdhërohet pagimi i një shpërblimi të drejtë për përdorimin e tyre deri tash si dhe rregullimi në bazë të ligjeve në fuqi të qirave të shtëpive, që kanë nevojë autoritetet në fjalë dhe shërbimet e tyre.
- c) Xhamia që ndodhet në pazar të Paramithisë, e cila njihet me emrin Xhamia e Pazarit, u konfiskua dhe u transformua në depo, gjithashtu edhe Medreseja dhe të dy shkollat e Filatit mbahen në përdorim prej autoriteteve ushtarake. Këto si dhe shtëpi të tjera të përdorura prej autoriteteve ushtarake u rrënuan.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM
LEXO EDHE:
Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1923-1924