Aktualitet

DËSHMIA/ Atë Anton Luli: Natë Krishtlindjesh në mes torturave





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 12:22 - 28/12/19 |
mapo.al

Festa e Krishtlindjes për një besimtar dhe për një jezuit, është një nga më të veçantat e vitit, por Atë Anton Lulit, të burgosurit të regjimit komunist, i është dashur ta kalojë këtë natë mes torturash. Ja si i përshkruan ai orët e kaluara “varun në terrin e zi të natës ma të shndritshme të vjetës”


Krishtlindje në një nevojtore burgu…



Nga Atë Anton Luli


“Isha në burg atë natë, kur mbarë bota e krishtenë përkujtonte lindjen e Jezu Krishtit me një festë shumë prekëse. Shefi i policisë më zvarriti në një nevojtore tanë handrak, në katin sipër. Aty më urdhnoi me u zhdeshë picak. Mandej lavari nji litar në tra, ma kaloi nën stjetulla e më detyroi me u çue në maje të gishtave. Më lidhi fort. Në mënyrë që trupi të mos mujte me pushue, tue e prekë tokën me kambë. E ngrehi litarin e ndjeva një dhimbje të mprehtë. M’u duk se m’u thyen tanë eshtënt. Mbeta varë ndërmjet tavanit e dyshemes, të cilën e prekshesapak vetëm me majet e gishtave të kambëve.

Bota kremtonte Natën e Krishtlindjes. Ndërsa këtu ishte terr, shi, ftohtë. Mbeta varë, në heshtje të thellë. Një gjysëm ore, ndoshta. A një orë. Nuk më kujtohet sa. Mandej ndjeva se po më akulloheshin kambët e akulli ngjitej kadalë-kadalë. Ngjitej në gjuj, në stomak mandej… edhe pak, edhe pak, e do të mbërrinte në zemër. Më kapën të dridhuna të forta. Nuk isha ma në gjendje me e sundue trupin tem, varun në terrin e zi të natës ma të shndritshme të vjetës. Thashë me vedi: “Tashti do të des me siguri. Vjerrë mbi handrakun e nevojtores së palame qyshkur. Në vend që të isha pranë elterit, la me dritën e Natës së Madhe!”.

Ndjeva se akullina po më prekte zemrën. Atëherë nisa me bërtitë me disprim. Shefi i policisë më ndigjoi e vrapoi në atë gjiriz, ku kalojshe, ndoshta, natën e fundit të Krishtlindjes, e të jetës. Më preku nën gju. E pa se po jepshe shpirt. Nuk i duhesha gja i dekun… Më zgjidhi, prandej, shpejt shpejt e më çoi në dhomën e tij. Aty ishte një stufë e ndezun. Më vuni aq pranë stufës, sa kjesh në rrezik me u djegë për së gjalli. Sepse trupi ishte ngri aq, sa nuk e ndiente ma nxehtësinë. Vetëm mbas një gjysë ore jeta nisi me u kthye në trupin e mardhun… Nata e Krishtlindjes… Isha gjallë!”.VaticanNews

Kush ishte Atë Anton Luli, jezuiti shqiptar nëkalvarin komunist

Dëshmitar i kalvarit të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, më 7 nëntor 1996, në Vatikan, me rastin e kremtimet të 50-vjetorit të meshtarisë së Papa Gjon Palit II, jezuiti Atë Anton Luli e bëri të qante Gjon KarolVojtilën, duke treguar historinë e martirizimit të klerit e të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste, dhe historinë e vuajtjeve të tij personale për Fè e Atdhè . Aq e jashtëzakonshme ishte jeta e jezuitit shqiptar, Atë Anton Lulit, sa sivëllezërite tij jezuitë nëpër botë e dinin të martirizuar, duke mos pasur prej vitesh asnjë lajm për atë, që ishte varrosur për së gjalli ndër burgjet e kampet e përqendrimit të regjimit komunist në Shqipëri. Prandaj, kur munden ta takonin përsëri, gati–gati si të dalë nga varri, i kushtuan librin “Già dato per martire” (përkthyer shqip me titullin “Atë Lulin ne e dinim martir”) – botuar më 1996 nga CiviltàCattolica. E ai jo vetëm që doli i gjallë nga varri ku e kishin mbyllur komunistët, por arriti të kremtonte edhe ringjalljen e Kishës – duke parë vetë fuqinё e Dorës sё Zotit. Pikërisht dëshmitë rrëqethëse të këtyre viteve u solli me vete sivëllezërve jezuitë Atë Luli, kur më në fund doli i gjallë nga varri e nisi të tregojë, që breznitë e sotme e të ardhme të mos harrojnë atë që ndodhi, ta ruajnë lirinë si gjënë më të shtrenjtë, nëse nuk duan të rijetojnë tragjedinë e atyre që, edhe në varr, i kanë mbi eshtra shenjat e martirizimit .

At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të regjimit komunist ateist. Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimi, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.Mbas 7 vjetëve burg, më 20 tetor të vitit 1954, At Luli lirohet nga burgu i Burrelit. Pas këtij formaliteti përgjigjja ishte pozitive dhe kështu nga eprori ai caktohet në Shënkoll afër Lezhës. Aty ai qëndroi 15 vjet e gjashtë muaj (1954 – 1979). At Anton Luli, pas shumë vitesh rikthehet në vendlindjen e vet në Lohe mbi Koplik të Sipërm në Malësinë e Madhe tek i vëllau i vet, ku qëndroi 10 muaj dhe punoi në bujqësi. At Anton Luli S.J., po priste marrjen e të ashtuquajturit pension, për 11 vjet punë skllavi mes diellit e shiut, breshrit e borës, acarit dhe streseve të përndjekjeve, në ndërmarrjen bujqësore shtetërore. Midis fushës ndër orizore, erdhi makina ushtarake dhe i afrohet punëtorit dhe një nga policët i thotë “Hyr në makinë… Në emër të ligjit je i arrestuar!”. Ishte data 30 prill 1979, kur ai dërgohet në burgun e Sigurimit në Shkodër, ku e kontrolluan fije për pe.Prokurori në Gjyqin e Shkodrës më 6 nëntor 1979, kërkoi në pretencë pushkatim për At Anton Lulin S.J.. Mbas dy ditësh, dënimi iu kthye me 25 vjet burg, që ishte i barabartë me burgim të përjetshëm. Asokohe meshtari ishte 70 vjeç. Sërish punë të detyrueshme skllavi, në kampin e Ballshit (Fier). Lirohet më 15 prill 1989, u rikthye të jetojë afër vëllait të vet në Bushat. Padër Anton Luli S.J. e thotë meshën e parë në popull më 25 nëntor 1990. Që nga ajo ditë ai thotë meshë në Kishën e Bushatit, që komunizmi e kishte kthyer në sallë kinemaje.


Etiketa: ,

Pas