fbpx

Dikur

(Video) Dëshmia e Petrit Bazellit: Si m’i vranë shokët e burgut





               Publikuar në : 13:31 - 11/11/19 |
mapo.al

Petrit Bazelli është një nga të persekutuarit e regjimit komunist, i cili ka përjetuar sistemin e përndjekjes nën akuzën e agjitacion/propagandë, në mars të 1980. Ai ka lindur në fshatin Maliq të Korçës, në vitin 1949. Është nipi i atdhetarit Pasho Kolanecit, të cilin regjimi komunist e pushkatoi, dhe kushëriri i Asim Bazellit, i cili u dënua me 25 vjet burg. Petrit Bazelli ishte i treti nga fisi i tij, i cili përjetoi hakmarrjen komuniste, duke u dënuar me 10 vjet burg. Dënimin e vuajti në kampin e Spaçit dhe në kamp-burgun e Qafë Barit. Ai është një nga dëshmitarët okularë të revoltës në kamp-burgun e Qafë Barit, ku dëshmon me dhimbje humbjen e bashkëvuajtësve të tij gjatë kësaj revolte dhe dëshirën për liri të të burgosurve.


Bazelli tregon edhe përballjen me ish-hetuesin e tij të komunizmit, Arqile Dine, i cili vijonte të punonte në shtet dhe gjatë demokracisë.



Menjëherë pas ndryshimeve të sistemit, Petrit Bazelli ka dhënë kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të viktimave të krimeve komuniste.


Për kujto.al, nga Najada Pendavinji, Korçë

Z.Bazelli, cila është historia juaj?

Jam Petrit Bazelli nga Maliqi i Korçës, jam 70 vjeç, rrjedh nga një familje e mesme nga ana ekonomike, por që të parët tanë kanë dhënë kontributin e tyre në çlirimin e Shqipërisë, siç ishte atdhetari Pasho Kolaneci, të cilin regjimi komunist e pushkatoi sëbashku me Asim Bazellin, i cili u dënua me 25 vjet burg. Kështu, i treti nga fisi që e pësoi dhe përjetoi burgjet komuniste, jam unë. Kam mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe kam ushtruar profesionin e mësuesit të matematikës, në fshatin Moglicë, deri në vitin 1975, ku papritur pushohem nga puna pa asnjë lloj arsyetimi, por sigurisht për biografira, pasi i përkisja klasës antikomuniste. Dhe pas kësaj, të ardhurat ishin të pakta, filloj punë si kaldaist në kombinatin e sheqerit, këtu në Maliq. Por koha e diktaturës komuniste ishte e tillë që të ruanin nga të gjitha anët, kështu që më 20 dhjetor 1980, arrestohem nën akuzën për agjitacion/propagandë. Pra po t’i thoshe të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, kishe bërë agjitacion kundër shtetit. Duhej t’i thoshe të zezës e bardhë, gjithnjë e bardhë që të shpëtoje nga kthetrat e komunizmit. Kur u arrestova, isha në moshën 32 vjeçare, kisha krijuar familje dhe kisha katër fëmijë, ku më i vogli ishte 2 muaj e gjysëm.

Kush ishin hetuesit tuaj? Dhe a jeni përballur me ta pas viteve 90?

Hetuesinë e bëra në organet e Korçës. Ishte e njëjta si për të gjithë shqiptarët që e provuan, të gjithë ish të dënuarit e dinë, edhe kushdo që ka pasur dëshirë ta mësojë e ka mësuar këto 30 vjet seç ishte hetuesia e komunizmit. Atje përballeshe me pyetje të pakuptimta, vetëm e vetëm të thoje atë që ata kërkonin. Të vendosnin në një karrige të betonizuar me duar të lidhura mbrapa, duke bërë çfarë të donin me ty. Hetuesi im ka qenë Arqile Dine. Është vërtet për t’u çuditur, për arsye se në vitin 2011, hetuesi i komunizmit ishte akoma në punët e shtetit në Hetuesinë e Krimeve të Rënda. Këtë e kam me fakt, sepse kur vijnë njëherë nga këto institucione për të kontrolluar dokumentat e të burgosurve ordinerë që ishin në burgun e Korçës, për arsye se unë isha drejtor i burgut të Korçës në këto vite, prezent ishte edhe Arqile Dine. E kam parë dhe e kam njohur që ishte ai nga dritarja e zyrës sime. Nuk e di nëse do e besoni, por vërtet kur e pashë atë fytyrë që ishte e njëtja siç ka qenë në ato vite, m’u rikthyen në mendje jo vetëm koha e hetuesisë, por edhe vitet e burgut. Unë për të mos bërë skandal, sepse ishte vërtet e papranueshme situata nga ana ime të përballesha me hetuesin e komunizmit pas këtyre viteve, me pak kujdes ju thashë që në zyrë le të vijnë dy veta për arsye se s’kishim shumë ambjente. Në fakt ambjenti ishte i gjerë. Por siç ju thashë, për të mos shkaktuar ndonjë skandal tjetër dhe duke përmbajtur veten nga emocionet që vijnë nga prezenca e hetuesve të diktaturës akoma në organet e pushtetit demokratik, për më tepër që ishte Partia Demokratike në pushtet, nuk e pranova në zyrë, dhe erdhën dy çuna të rinj, ku në fund të bisedës ua tregova atyre të cilët nuk e dinin sesi ishte situata dhe u çuditën si ka mundësi. Kjo është e vërteta.

Me sa vite burg u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?

Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, në Korçë. Dolën katër dëshmitarë, të cilët unë i njihja dhe njëri prej tyre ishte Alfred Muço. Kur kam dalë unë nga burgu, kam marrë vesh se ai vrau veten. Vërtet mund të them se ata që spiunonin mund të ndiheshin të detyruar edhe nga sigurimi, por ishin persona të dobët në karakter, që bënin ato që i thoshte Sigurimi i Shtetit. Vendimi i gjyqit ishte me 10 vjet burg, por meqënëse ndodhën ato ndryshimet, ndërhyrjet politike nga Europa, pikërisht mbas ardhjes së Pérez de Cuéllar në Shqipëri, filluan amnistitë. U bë amnistia e parë që ishte ¼ e dënimit, unë kisha bërë dy vite burg, m’u hoqën 2 vite. Amnistia e dytë u bë pas 1 vit e gjysmë, m’u hoqën edhe disa muaj të tjerë dhe të tjerat i fitova me punë. Kështu që unë, nga 10 vjet që dha gjyqi, kam bërë 7 vite burg. Në fillim, më çojnë në Spaç dhe më pas, në burgun e Qafë Barit.

Çfarë kujtoni nga burgu i Spaçit?

Në maj të ’81, na çojnë në burgun e Spaçit. Fillova punë në minerë, ku punova në zonën e dytë, sigurisht në galeri. Ishim të detyruar të bënim normën. Por unë me ata shokët e mi ku unë isha minator dhe dy të tjerët vagonista, punonim sëbashku dhe ishim të detyruar që të bënim normat mbi 100%, për të marrë ditët e zbritjes dhe ato pak lekë që mos harxhonim familjen, pasi ishte vertet varfëri e madhe. Spaçi ishte i tmerrshëm, uri nuk mund të them se kishte, por për ata që punonin sigurisht pasi ushqimi ishte i bollshëm, por edhe puna e vështirë. Në Spaç, kam takuar edhe Fatos Lubonjën, të birin e Todi Lubonjës, dhe gjatë bisedës bënim shaka dhe i thoja “Mirë ju që po vuani pasojat e dënimit të babait tuaj, por ne si na kapi ky persekutim vetëm për një fjalë goje”. Kujtoj bashkëvuajtës të tjerë si: Tomi Kondakci, Sherif Merdani që ishin nga Korça, Nikolin Kurti, Muhamet Tirana nga Shkodra. Këtu në Spaç, kam gjetur të burgosur me të cilët kisha lidhur shoqëri që para burgut, por sigurisht që vazhdoi edhe pas jetës së burgut. Ishte koinçidence pasi kam gjetur një shokun tim kosovar, Jetulla Gashi nga Prishtina, këtu në burgun e Spaçit, por jo vetëm ky ishin edhe tre pleq të tjerë kosovarë që i kishin sjellë në ndërmarrjen bujqësore të Maliqit dhe që njihesha me ta. Jetullai erdhi djalë i ri në Shqipëri u arratis nga Kosova problemet e tyre, dhe kemi qenë në një bankë që në vitin e dytë gjimnaz, pasi vitin e parë ai e kishte bërë në Prishtinë. Mbaruam gjimnazin bashkë, atij i doli shkolla për mjekësi, punoi disa kohë në Korçë dhe më pas u transferua në Elbasan, bashkë me kosovarët e tjerë pleq. Mbas vitit ‘78, kur i kishin hapur dyert me Jugosllavinë, i akuzuan për arratisje dhe veprimtari armiqësore dhe të katër këta u dënuan në burgjet e Shqipërisë komuniste. Mbas dy vjetësh, arrestohem unë dhe takohemi për herë të dytë në Spaç me Jetulla Gashin. Kur shkova në Spaç, mora vesh që punonte në galeri, e kishin hequr si mjek pasi kishte dhënë raporte për të burgosurit e sëmurë. Kemi qendruar gati tre vjet bashkë në një dhomë së bashku me Sandër Sokolin, punonim në galeri, derisa Jetullanë e transferuan e çuan në Burrel dhe nuk u takuam më në burg. Por kur u lirova unë nga Qafë Bari, Jetullai kishte vajtur doktor atje por nuk rastisëm të takoheshim. U mbyllën burgjet në ’91-in. Jetullai punoi mjek në Tiranë dhe më pas kishte ikur në Zvicër. Nuk po lidheshim më, pas kësaj, kishte shkuar në Kosovë tek familja e tij dhe ishte martuar. Por në kohën e genocidit serb, kur i sollën kosovarët në Shqipëri, Jetullain me të shoqen dhe katër fëmijët bashkë me të motrën dhe tre fëmijët e saj, i mora në shtëpi. I mbajtëm derisa mbaroi lufta në Kosovë dhe unë kam qenë i mikëpritur nga Jetullai në Prishtinë. Ky ishte takimi i tretë me Jetullain në jetën tonë. Kemi mbetur miq për gjithë jetën, sigurisht me të gjithë kosovarët e tjerë që ishin nëpër burgjet e Shqipërisë.

Kur u transferuat në kampin e Qafë Barit?

Në vitin 1983, mbasi u mbyll burgu i Ballshit edhe një pjesë e të burgosurve të burgut të Spaçit, na çuan në Qafën e Barit, ku kam qendruar deri ditën e lirimit. Qafë Bari ishte një minerë e tmerrshme për kushtet e punës, e gjitha me lagështi, me ujë që pikonte nga galeritë, i cili ishte me përbërje acid piriti sa mund të them na i shkrumonte edhe rrobat, aq i fortë ishte. Mbaj mend që kjo lloj përbërje, nuk e di, më bëri alergji dhe pata enjtje të duarve dhe këmbëve, sa nuk i vishja dot pantallonat dhe bluzat. Këtu natyrisht kam punuar në minierë, derisa një javë para revoltës së Qafë Barit, dola nga miniera për arsye të sëmundjes që thashë pak më lart dhe ndenja regjim burgu. Ata që nuk arrinin të bënin dot normën, i merrnin dhe i torturonin. Por jo se nuk bëhej norma, por nuk kishte mineral, pasi aq nxirrnin shpërthimet që bëheshin brenda në shkëmb. Na detyronin që të rrinim edhe tetë orë të tjera në punë, pikërisht këto gjëra shkaktuan edhe revoltën e të burgosurve. Qafë Bari ndodhej rreth 18 km larg qytetit të Pukës, në Fushë Arrës, brenda kamp-burgut kishte rreth 700 të burgosur. Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba…

 

Çfarë ndodhi në revoltën e Qafë Barit, cilat ishin pasojat e shtypjes së saj?

Isha prezent në revoltën e Qafë Barit, e cila për koinçidencë u bë në maj, si revolta e Spaçit, por me 11 vjet larg, më 20 maj të vitit 1984. Kur bisedonim me të burgosurit, e mendonim se kjo revoltë mund të ishte e organizuar nga vetë personat e sigurimit për të bërë eleminimet që ata kishin në mendje. Isha prezent në përplasje midis të burgosurve dhe policëve të kampit mbasi filluan t’i arrestonin, na vijnë në mensën e kampit dhe na thërrasin emrat një e nga një. I pari që kundërshtoi ishte Kosta Gjordeni. Kështu ata fillimisht qëlluan në drejtim të të ndjerit Tom Ndoj, i cili doli para turmës, në atë moment kam thirrur “mos Tom”, por nuk e zuri plumbi dhe u plagos Kosta Gjordeni. Nëse ai nuk do kishte dalë para plumbit, do më kishte goditur afër zemrës, mua që isha në krah të tij. E mora Kosta Gjordenin në krahë dhe e ngjita në kapanonin e Qafë Barit lart, në të cilin rrinin kryesisht ata të papunët. Atje e lashë derisa erdhi doktori për t’ia shikuar plagën. Pas kësaj, vijnë mbas dy ditësh në Qafë Bari, për të bërë arrestime në shenjë hakmarrjeje ndaj atyre që organizuan revoltën. Kështu janë arrestuar tre miqtë e mi të ndjerë, i pari Drango Vujosheviç, i cili ishte doktor i burgosur, një malazez që kishte mbetur në Shqipëri, i cili kishte edhe djalin e tij në burgun e Spaçit, për arsye se kishin tentuar të arratiseshin. Edhe djalin ia kam njohur. I dyti u arrestua i ndjeri Nuredin Skrapari. Për të, ishte dënim i dytë, për arsye se kishte marrë një dënim nga revolta e Spaçit. Dhe i treti u arrestua Sandër Sokoli nga Tropoja, ishte nipi i Sadik Bekteshit. Mësuam nga policët se Sandri i shkretë në kohën që e arrestuan dhe e kishin çuar në ambjentet ku i futën të arrestuarit, kishte reaguar kundër tyre. Nuk i përballoi dot torturat, goditjet që ju bënë dhe ata si rezultat, e shtrinë përmbys dhe i ngrenë kokën dhe këmbët dhe e thyejnë në mes. Na thanë policët që vdiq pa vajtur në Fushë Arrëz. Kujtoj me dhimbje dhe Sokol Sokolin që u pushkatua. Kur vajtëm në Pukë, sepse na morën meqë kisha dalë nga galeria, si të aftë për punë, për të punuar në komisariatin e Pukës ku u bënë disa ndërtime, u përshtat një ndërtesë ngjitur me Degën e Brendshme për hetuesi kur u nda policia nga hetuesia. Atje kemi fjetur për disa muaj në një tunel. Kur na thërrisnin për t’u qethur në berberi, na futën në një dhomë në komisariatin e Pukës, ku gjetëm dy çantat me plaçkat e Tom Ndojt dhe Sokol Sokolit që i pushkatuan dhe rrobat nuk ia kishin dhënë familjarëve. Unë hyra i pari që u qetha e i pashë ato çanta, dhe më thotë ish-polici, pse i shikon ato çanta ashtu… “Jo i thashë, unë nuk po shikoj çantat, ti ku e kupton që po shikoj ato, por edhe nëse i shikoja s’ka problem, pasi këta janë bashkëvuajtësit e mi që u pushkatuan nga ju”. Këta policë nuk i dinin rregullat e burgut, por kishin marrë instruksione nga Edmond Caja që të silleshin me ne siç silleshin ata në kampin e Qafë Barit. Është e çuditshme se kam parë në televizor që diskutohet për dy kriminelë që kanë qenë në periudhën e revoltës së Qafë Barit, ishin ata që shtypën me dhunë këtë revoltë. Edmond Caja, i cili para revoltës ishte shef policie, ndërsa mbas revoltës për krimet që bëri që i kanë deklaruar edhe bashkëvuajtësit e mi, u gradua drejtor burgu dhe përsëri shef policie u vu një oficer i ri, Ludovik Cali, identik për të mos thënë, më kriminel se Edmond Caja.

Si vazhdoi jeta juaj pasi u liruat?

Jam liruar në 30 tetor 1987, isha 40 vjeç. Fillova punë në ndërrmarjen bujqësore, ndryshe nuk kishim ku të vinim dhe nuk të pyeste njeri çfarë shkolle kishe, pasi ishe një ish i dënuar. Në momentin që u ndërrua sistemi, kam punuar në punë shteti, por natyrisht kur e merrte pushtetin PD-ja, ndryshe ne mbeteshim për të tjerët ‘armiqtë e popullit’. Për çudinë e kohës, sepse mbeturinat e komunizmit, tentakulat e komunizmit ekzistojnë dhe fuqimisht janë fokusuar në drejtim të ekonomisë, duke zbatuar vendimin e Pleniumit të ’89, që shoku Ramiz iu tha “Ne që bëmë komunizmin, do bëjmë kapitalizmin”.

Ky është kapitalizmi shqiptar, është aq i mirë sa po e braktisin të gjithë forcat e punës, njerëzit me shkollë të lartë, me profesione, pasi këto janë pasojat e qeverisë neokomuniste që ekziston edhe tani…/kujto.al


Etiketa: , ,

Pas