Vizita e Mehmet Shehut në Burgun e Burrelit ku u përball me revoltën e të burgosurve: Na vrit, mos na lër të vdesim urie!
I arrestuar që në rini, pasi provon torturat çnjerëzore në hetuesinë e kohës, vuajtjet e urisë në Burgun e Burrelit, sëmuret rëndë dhe përfundon në internim për gjithë pjesën e mbetur të jetës deri në vitin 1991. Kjo është historia e Avni Bejkovës nga Kolonja, nip i Safet Butkës, anëtar i Ballit Kombëtar, të cilit iu fal jeta nga kryeprokurori komunist, që qëlloi mik fëmijërie i tij, për të nisur një kalvar vuajtjesh me urinë e tejskajshme në burg e nëpër spitale. Bejkova tregon si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë, konfliktin me komunistët, arrestimin dhe torturat në hetuesi.
Në intervistën që publikon Kujto.al Bejkova sjell tablonë danteste të burgut të Burrelit ku të burgosurit politikë liheshin të vdisnin urie, pa ujë dhe pa ilaçe.
Lufta, si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë
“Filloi lufta midis Bashkimit Sovjetik, rusëve dhe gjermanëve. Në këtë kohë, filluan të lëviznin edhe komunistët, gjë që më përpara nuk e kishin bërë. Biles, ata mbanin një qëndrim tepër pro boshtit, pro Gjermanisë dhe Italisë, duke i konsideruar fuqitë aleate: Anglinë, Francën dhe Amerikën, si fuqi plutokratike, domethënë pushtetet e të pasurve. Doli në skenë Stalini, këngët për Stalinin, këngët për komunizmin dhe aktiviteti anti-italian, por ngaherë në emër të komunizmit. Në fillimet e saj, kjo lëvizje i bashkoi të gjithë njerëzit kundër fashizmit, mirëpo avash-avash populli edhe mendjet e shkathëta të Kolonjës, që nuk i mungonin kurrë, dalluan fare qartë qëllimet e komunizmit, që nuk ishin për Shqipërinë, por ishin për t’i shërbyer luftës që bënin sovjetikët dhe marrjes së pushtetit.
Ndërkohë, kthehet Safet Butka nga internimi edhe menjëherë u krijua organizata e Ballit Kombëtar, gjë që komunistët nuk e pritën mirë, domethënë ishin kundërshtarë të krijimit të Ballit Kombëtar. Kolonja, kur doli Safet Butka, që krijoi çetat e Ballit, menjëherë u hodh me Ballin. Mund të them që 90% e Kolonjës ishte nacionaliste, e radhitur pranë Safet Butkës dhe Ballit Kombëtar, sepse Kolonja besonte Safet Butkën që qe një intelektual i dëgjuar i asaj kohe. E dyta, udhëheqës i Ballit Kombëtar ishte Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, nipi i Naimit dhe Samiut, me një aktivitet politik të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare, i cili u vu në krye të kësaj organizate që thashë që u krijua, dhe Shqiptarët patriotë, nacionalizmi do të ish domosdo me këtë dhe me atë vajti”.
Komunistët sulmuan çetën e Safet Butkës pse kërkoi aleancë me Anglinë
Sipas dëshmisë së Bejkovës konflikt mes komunistëve dhe ballit nisi fillimisht për mospërputhje të sulmeve ndaj pushtuesit dhe pastaj u kthye në një përleshje të vërtetë mes tyre.
“Komunistët thoshin që të përmbysin, të shkatërrojmë të kaluarën e të krijojmë botën e re. Po nacionalizmi shqiptar nuk donte të përmbyste gjithçka të kaluar. Të gjithë djemtë, të cilët kishin dështuar nëpër shkolla, iu përgjigjën thirrjes të komunistëve, premtimeve të tyre, u gënjyen. Një pjesë ishin të bindur për të bërë luftën kundër fashizmit, duke mos e kuptuar mashtrimin komunist. Mospajtimet e aktivitetit të njërës palë apo tjetrës, sa vinin edhe shtoheshin. Kundërshtime të mëdha për njëri-tjetrin. Lufta të bëhet këtu apo këtu? Të bëhet në një fshat ku italianët mund të na dëmtojnë, apo të bëhet në një vend ku mos kenë mundësi të na dëmtojnë? Ne t’i dëmtojmë ata, po ata ne jo, mos ta kenë ata këtë mundësi. Mirëpo ata vinin, italianët, tamam në atë vend që kishin mundësi të na dëmtonin edhe krijoheshin situata shumë të ndera në këtë drejtim. Vinim deri në pikën kritike, ku edhe mund të goditeshim, por Safet Butka, me forcat e mëdha, desh të takohej me anglezët për të bërë aksione kundër gjermanëve. Për të sabotuar këtë takim të Safet Butkës me anglezin, vajtën një skuadër komuniste edhe e qëllon Safet Butkën, çetën e Safet Butkës, e cila qe një kallaballëk i madh prej 700 vetëve. Nis lufta aty.
Pas Mukjes komunistët i shpallën luftë hapur Ballit Kombëtar dhe bënë që ajo marrëveshje të dështonte. Atëherë plasi lufta me njëri-tjetrin në Kolonjë. Mbarimi i luftës ishte ardhja e komunistëve në fuqi, sepse gati në tërë Europën ata erdhën. Gjëja e parë që bënë, i kapën një nga një, shumicën me tradhti, kundërshtarët e tyre politikë, nacionalistët, edhe mbushën burgjet plot. Njëri prej tyre ka qenë edhe babai im. Filluan gjyqet edhe konfiskimi i pasurive të shumicës së familjeve kundërshtare nacionaliste.
Torturat: “M’i fusnin këmbët zbathur në prush”
Avniun e arrestojnë ndërkohë që rrinte te dera e gjykatës ku po zhvillohej gjyqi i të atit dhe e torturojnë në mënyrat më çnjerëzore dhe ishte në grupin që do të pushkatoheshin, por në momentin e fundit i falet jeta.
“Isha duke pritur te dera dhe në këtë kohë vjen Muhamet Prodani me Sabri Pilkatin, të cilët i njihja, i kisha pasur shokë, nuk më folën. Nuk më folën, gjë që më bëri çudi. Pas 5 minutave, dalin dy roje edhe më marrin e më thonë: Do vish në komandë, në policinë e kohës. Më morën, më çuan atje, pa më thënë asgjë, më mbajtën në arrest. Mbas 3-4 ditësh, vjen seanca e dytë, ku ishte dhe im atë aty. Vjen nga Korça, i sillnin nga Korça aty, se i mbanin në burg në Korçë. I sillnin në Ersekë që zhvillohej gjyqi. E takova tim atë, sepse në atë vend që isha unë, unë isha këtu, pjesa e burgut ishte matanë, ishte Qemal Burimi etj. Më nxorën mua edhe sollën ata nga Korça. Aty u takuam edhe me tim atë. Të nesërmen, më dërgojnë në degën e punëve të Brendshme të Korçës. Më marrin në pyetje edhe atje, po tamam-tamam nuk e mora vesh akuzën. Më futën në burg në një dhomë, ku ishin 20-30 veta. Më afrohen dy djem të rinj të burgosur edhe më thonë: “Sigurimi po mundohet të krijojë një grup komplotistësh, 8 prej të cilëve i dënoi. Tani jemi grupi tjetër”. Domethënë, shokët i dënuan me vdekje dhe i pushkatuan, edhe më thonë mua: Filani, filani, filani… Dy apo tre prej tyre i njihja. Kur më vjen një djalë i ri, 2-3 vjet më i madh prej meje, Astrit Leka, tani është personalitet i madh jashtë vendit, edhe më thotë: -“Ti je Avni Bejkova? Po – i them unë. “Ti ke të bësh më Safet Butkën?” -Po, sepse aty në ushtri kishte njëfarë aktiviteti antikomunist, edhe ata që mundoheshin të bënin këtë propagandë, këtë lojë, përdornin emrin tim, që është nipi i Safet Butkës. Ti je rrezik më thotë Leka, po megjithatë unë të këshilloj dhe dëgjomë, se të dua të mirën, se dhe unë jam familje kundërshtare. Më thotë: “Në qoftë se do të pranosh, se kaq i ri sa je ti, nuk të pushkatojnë”. -I them: “Nuk kam bërë gjë, absolutisht asgjë”.
Unë isha në muhabet me të, kur vjen Ziqiri Mero, prokurori, thotë: -“Avni Bejkova kush është?” U ngrita në këmbë. Ti je i vendosur, por do të bëjmë ne. Më tërheq nga ata mua, më dërgon në birucë, më izolon.
Në darkë më thërret në hetuesi. Në hetuesi gjej Sabri Pilkatin, kolonjar. Kur e pashë, thashë: Ky duhet të më ndihmojë, shpëtokam unë, s’kam gjë.
Fillon të më pyesë. Ishte kryehetues. -“Ke thënë që, pse nuk kërkojmë Kosovën, por bëjmë mitingje që Trieste t’i kthehet Jugosllavisë, t’i merret Italisë dhe t’i jepet Jugosllavisë?”
-“Unë kam thënë, thashë, që të themi dy fjalë edhe për Kosovën se është e jona, por për atë ta lëshojë Italia Triesten, a mos ta lëshojë, nuk është në dorën time, ata le ta zgjidhin vetë”, – i thashë.
-Më thotë: “Po ti patriot qenke”.
-“Mendoj që edhe ti kështu duhet të mendosh”, i thashë.
-“Si? -tha, -edhe këtu guxon të flasësh në këtë formë? Do ta shikosh ore qen!”
Menjëherë më shtruan në torturë. Ishte torturë e padurueshme, e tmerrshme. Imagjino të të marrin këmbë zbathur edhe të t’i fusin në një furrë më prush. Duroja deri në një farë mase, pastaj shtiresha sikur më ra të fikët. Edhe fizikisht isha i dobët edhe si dukej ata druheshin që unë mos u vdisja ndër duar, edhe pushonin. Pushonin ata, merrnin fuqi, edhe pastaj prapë ushtronin dhunë. Lodheshin ata deri sa vinte mëngjesi, i merrte gjumi dhe thoshin një ditë tjetër. Erdhi darka, më thirrën, më thonë: Në orën 12 fillon gjyqi. Ishin 40 veta për të dalë në gjyq, kështu ishin formalitet. Dalim në gjyq, na lidhën tamam si ata që do të pushkatoheshin.
Kryetari i gjyqit i thotë oficerëve: Merreni përsëri në pyetje, edhe çfarë të thotë ai, atë do të shkruani. Torturë në asnjë mënyrë. Më zgjidhën mua, më morën përsëri në pyetje, m’u kanosën, do të bëjmë këtë, do të bëjmë këtë. “Unë më tepër se ç’kam thënë, nuk mund të them”-u thashë.
Kur më vjen sekretari i gjyqit, më thotë: “Me Sabri Pilkatin, si ke kaluar në të kaluarën?”
-“Kemi qenë shokë bashkë, jemi rritur me të, në shkollë bashkë”.
–“Keni shkuar keq?”
-“Mirë, përkundrazi, shumë mirë”.
-“Të shpëtoi kryetari, t’u fal jeta”.
Burgu i Burrelit, si liheshin të vdisnin urie të dënuarit politikë
Dëshmia e plotë e Avni Bejkovës që publikohet nga kujto.al sjell një tablo danteske të burgut të Burrelit, i krijuar nga komunistët për të torturuar kundërshtarët e tyre politikë. Uria dhe papastërtia ishin dy elementet me të cilat i thyen njerëzit deri në pikën ku ata i luteshin Mehmet Shehut që t’i vriste.
“Nga burgu i Korçës, në vitin 1946 na nisën për në Burrel. Mua më kanë marrë nga spitali i Korçës se u sëmura. Nga spitali që isha me temperaturë më nisën për në Burrel. Ne jemi nisur nga burgu i Korçës 107 veta, më 16 tetor të 1946.
Na çuan në Burrel. Të nesërmen na bashkuan me shokët pastaj bënë atë organizimin kush do të rrinte në birucë, kush do të rrinte në dhomë. Mbijetoje me 300 gramë bukë misri. Problem ishte uji sepse i gjithë burgu kishte vetëm një pus. Mendo ti që ne aty u bëmë 600 veta.
600 veta me një pus, të kesh një lumë aty edhe nuk të mjafton. Veprim shumë dinak, t’i lëmë pa ushqim, t’i lëmë pa ujë, t’i lëmë të papastruar në mënyrë që të shuhen.
Mua më vjen nëna pas tre muajsh në Burrel. Gjatë këtyre tre muajve unë sëmurem rëndë, se i sëmurë vajta, siç të thashë. U sëmura rëndë me temperaturë 39 e gjysmë gati 40. Ishte një riaktivizim i procesit në mushkëri edhe vetë i humba shpresat, por edhe shokët që kisha përreth “mbaroi ky”,- thanë. Megjithatë natyra çfarë nuk bën, erdhi një doktor, ka qenë i ati i Maks Velos , ai gjysmë i internuar ishte. Erdhi më pa: “Keq është”, -tha.
E njihte ai, pjesën më të madhe e njihte. Veç urisë që kishin njerëzit, uri kronike, torturuese, hipi një morr, një papastërti e jashtëzakonshme. Filloi trajtimi i keq pastaj. I ndaluan ushqimet të burgosurve. Caktuan vetëm një pako në muaj. Një pako 7 kile. Avash-avash njerëzit i humbën ato rezistencat, filluan të dobësoheshin u bënë kockë e lëkurë. Të pangrënë, të palarë, të trajtuar keq. Shpirtërisht në kulm të pikëllimit, të humbjes së shpresës. U katandisën njerëzit që edhe për të lëvizur mbaheshin pas murit.
Kjo vazhdoi tërë kohën e Koçi Xoxes. Vdiqën ata që ishin më pak rezistentë edhe sidomos ata në moshë. Pasi ra Koçi Xoxe erdhi Mehmet Shehu aty me Shefqet Peçin, Kadri Hazbiun etj., për kontroll gjoja. E gjetën gjendjen e burgut, u tmerruan, biseduan me një pjesë të të burgosurve gati të gjithë folën hapur me të.
Arritën t’i thoshin që kemi dëgjuar që je trim. Në qoftë se je trim ose na jep bukë ose na vrit.
Sidomos një oficer i tyre, i tha: “Gjeneral, më bëhet që këtë jastëkun e kafshoj natën se e di bukë. Hë more burrë na vrit, je trim apo nuk je trim. Mos na lë të vdesim për bukë”. Ngriti sytë edhe pa Shefqet Peçin. Gjeti kushëririn e parë Mehmet Shehu aty, djalin e tezes. Ai iu ankua për shëndetin, i tha po mos kishe qenë ti o Temo, çfarë do më bëje mua? Ty, tha ai, do të kishim vrarë ne, do të dënonim me gjyq, po burg nuk do kishe. Burgu i Burrelit do prishej, nuk do të kishim burgje ne, nja 4-5 mund të dënoheshin me vdekje pastaj të tjerët të lirë. Pse ti kujton se ne do mbushim Shqipërinë plot me burgje. Mirëpo djalë teze. Pas dy ditësh që iku Mehmeti vjen telegram nga Tirana dhe buka bëhet një kile. Nga 300 gr, buka bëhet 1 kile. Po s’e hanin më mileti se ishin dobësuar aq shumë sa nuk e hanin dot. Biles hëngrën ato dy ditët e para e pastaj u velën edhe nuk hanin dot më.
Erdhi edhe një komision doktorësh, me në krye Ibrahim Dervishin, kolonel i Ministrisë së Brendshme. Një kontroll gjithë burgun, nxori nja 80 persona të sëmurë që kishin nevojë për kurim në Tiranë. Shkuan në Tiranë ata nuk u kthye asnjë, të gjithë vdiqën.
Rikthimi në Tiranë dhe lutja ndaj Enverit për faljen e dënimit
“Unë mbeta atje, kur bëhen sebep disa shokët e mi këtu në Tiranë në agjencinë e përkthimeve që kishte krijuar ministria e Brendshme. Më futën dhe mua në atë grup edhe më sollën në Tiranë. Më sollën në Tiranë edhe u futa në atë repart unë ndenja pak kohë aty, isha i sëmurë edhe u shtrova në infermieri. Gjendja shëndetësore u përkeqësua kur një shokut tim, ai ishte me tuberkuloz, i vjen e ëma me një lutje me një shkresë në dorë edhe i thotë: “Firmose se ka dalë ligji që ata që janë me sëmundje kronike të rënda lirohen”. Shumica e të burgosurve e bënë, por ai nuk deshi. “Unë t’i bëj lutje Enver Hoxhës për lirim në asnjë mënyrë”. Ishte një nga këta katolikët shkodranë, po ishte djalë i mirë shumë. Qau e ëma që i biri nuk pranoi lutjet, i thashë unë, “gabim bën”. “Pse do e bëje ti?”- tha. Po, i thashë, “unë nuk ja kërkoj Enver Hoxhës, ligji ma jep”. “Po ta bësh ti, tha, e bëj dhe unë”. Bëra unë lutjen për atë, bëra dhe për veten. Firmose i them, nuk e firmos tha, e firmosa unë për të dy. Ndërkohë mua më marrin më çojnë në spital në Tiranë, isha i sëmurë me zemër. Shtrohem në spital, lutja kishte kaluar në Gjykatën e Lartë. Kur më thërrasin në spital. Më thonë do dalësh në gjyq për Seit Seron që kë bërë lutje për lirim me kusht. E po thashë ishalla më lirojnë. Gjykata e lartë kërkon analizë dhe raport mjekësor edhe më çojnë në komision, më vizitojnë ata. Analizat të bëra në ushtri edhe mendimi natyrisht i atyre. Më nxjerrin në gjyq mua dhe disa të tjerë që kishin bërë kërkesa për lirim me kusht. Nga të gjithë liruan vetëm një dibran, një plak dibran. Në gjyq kishte ardhur edhe mamaja ime, kishte ardhur të më shikonte. Ma komunikuan vendimin e gjykatës, ishte një kolonel, një farë Mid’hat Kuçova, kryetar i gjyqit, që Avni Bejkovës nuk i falet. Atëherë u tmerrova unë, se prisja për 6 muaj të dilja. Shkon e shkreta nënë në Gjykatën e Lartë se e çuan vajzat e atij që u lirua se ato u gëzuan edhe i thanë ato hajde të çojmë ne. E çuan atje dhe i thanë: “Jo, jo nuk është liruar”.
Më çuan në burg. Kur një ditë më vijnë e më rrëmbejnë atje në dispanseri. Më thanë ti nuk rri urtë këtu se gjithë ditën e ditës njerëzit rrinë këtu te ty. Unë isha i sëmurë edhe vinin njerëzit edhe me muhabet më mbanin, po edhe kujdeseshin për mua. Unë isha shumë sëmurë, në këmbë nuk qëndroja dot. Mblidhen njerëzit aty se ti i bën propagandë. Më nxjerrin jashtë atje edhe më thonë: U lirove. Aty u ndodh dhe Nevzati, më pyeti: “I biri Zenelit je ti? U lirove”, -tha. “Faleminderit”. –“Po ku do shkosh?” Kisha dëgjuar unë që internonin këta. Në Lushnje i thashë, në Fier, ku të jetë, ku të thoni ju. Jo more jo, në Kolonjë shko shërohu. Qëndrova atë natë tek Riza Butka, ai kishte shkuar në Bejkovë për të bërë pushime tek ne bashkë me fëmijët. Ndenja nja 5-6 ditë për tu vizituar se isha keq, isha goxha keq. Nga aty u nisa shkova në Kolonjë”.
Pas lirimit nga burgu Avni Bejkova kalon gjithë jetën në internim deri në vitin 1991. Dëshmia e tij është pjesë e arkivës së familjes Doko dhe publikohet për herë të parë nga Fondacioni Kujto, arkiva online e krimeve të komunizmit.
Kujto.al