Aktualitet

Dëshmia: Të vërtetat e pathëna për Sami Dangëllinë dhe familjen e tij








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:35 - 27/08/20 |
mapo.al

Nuri Dangëllia tregon çfarë ndodhi pasi xhaxhai i tij, Sami Dangëllia, ndërroi jetë në vitin 1987 dhe çfarë ndodhte me familjen e tyre, që prej vitit 1956, kur u internuan në fermën “Çlirim” të Fierit. Me anë të këtij rrëfimi, kujto.al i shton disa të fakte të panjohura, historisë së Sami Dangëllisë, të burgosurit legjendë të regjimit komunist që u dënua për 43 vjet


Kur Nuri Dangëllia, që prej vitesh mban emrin e pagëzimit Theodhori, na kontaktoi, kishte qëllimin e vetëm për të saktësuar disa të dhëna për jetën e xhaxhait të tij, Sami Dangëllia, të cilat nuk janë gjithmonë të sakta, ose të qarta në shkrimet që ekzistojnë në internet. Por biseda me të na zbuloi edhe një histori tjetër persekutimi: të prindërve, vëllezërve dhe madje, edhe nipërve e mbesave të Sami Dangëllisë. Ata u internuan në fermën “Çlirim” të Fierit në vitin 1956, kur një nga vëllezërit e Samiut, Enveri, i dënuar me pushkatim nga shteti shqiptar nëse kapej, u arratis përfundimisht nga Shqipëria. Largimi i tij do ia shtonte brengat familjes që vuante burgosjen e djalit të madh, Samiut, që prej vitit 1944, kur e arrestuan sepse ishte angazhuar në luftë me forcat e Ballit. Ndërkohë vuajtjeve shpirtërore në fshatin ku i internuan, do iu shtoheshin puna e rëndë, kushtet mjerane të jetesës dhe pesha e emërtesës “armik”. Në këtë mjedis, u lind Nuriu. Gjatë viteve të fëmijërisë, familja u mundua ta mbronte duke ia fshehur statusin e tyre, por do të vinte dita kur dhe ai do të përballej me të vërtetën, për të mësuar që nga ai çast, të bashkëjetonte me të.


DËSHMIA


Unë jam djali i Avniut, jam nipi i Sami Dangëllisë. Xhaxhai im ka bërë 43 vjet burg dhe në burg ka vdekur në vitin 1987. Kujtimet e mia për xhaxhain, duke iu referuar dhe moshës sime, janë të pakta, por unë mund të them çfarë kam dëgjuar nga familja, nga prindërit e mi.


E keni takuar ndonjëherë xhaxhanë tuaj, Sami Dangëllia?

Atëherë më kujtohet kam qenë shumë i vogël. Mund të kem qenë katër ose pesë vjeç edhe prindërit më thonë që do shkojmë të takojmë xhaxhain që është ushtar, është larg në Burrel. Më marrin mua, isha me xhaxhain e vogël dhe me gjyshen. Shkuam, e takuam atje. E shikoj xhaxhain. Me sa kujtoj unë, me një uniformë: me xhaketë dhe pantallona ngjyrë kafe. Ndenjëm pak kohë në takim. Pas takimit, u larguam. Kaq mbaj mend për këtë moment.

Po të afërmit tuaj shkonin ta takonin?

Deri në vitin 1973, xhaxhallarët kanë shkuar. Njëkohësisht ka shkuar dhe nëna ime sepse në atë burg nëna ka pasur vëllanë e vet, i cili quhej Myrfet Totolaku, që tani nuk jeton. Pas vitit 1973, kur u bë revolta e Spaçit, u ndërprenë vizitat me detyrim nga shteti.

Si e mësuat që Sami Dangëllia ndërroi jetë?
Në vitin 1987, kur xhaxhai ka vdekur, unë atëherë kam qenë boll i madh, kam qenë në moshën 27-vjeçare… dikush nga Këshilli erdhi dhe u tha prindërve, që Samiu ka vdekur. Atëherë, prindërit u mblodhën, vëllazëria, ishin tre vëllezër në fshat dhe bënë një kërkesë për ta marrë. Më kujtohet që përgjigjja është kthyer që “nuk ka mbaruar akoma dënimi”.

I keni kërkuar më pas eshtrat e xhaxhait?

Mbas vitit ‘90, unë personalisht me familjen time kam emigruar në Greqi, por ky ishte një pakt me babanë tim, sepse unë jam djalë i vetëm në familje, edhe babai nuk donte që të largohesha, por kushtet e vështira që kemi pasur në fshat, vendi ku kemi banuar, ishte mizerabël dhe me mendimin që “baba, të shkoj, të bëj diçka, të bëjmë një banesë të re”, ramë dakord që unë të shkoja për të paktën 5 vjet në Greqi. Mbas 5 vitesh, unë kthehem në Tiranë edhe ble një truall në Allias për të bërë shtëpi. Atëherë hyn ndjenja familjare e babait edhe më thotë: “Të lutem bir, a mund ta gjejmë ne vëllanë tim?”. I thashë: “Sigurisht që po”. Atëherë filluan kërkimet tona, të pyesnim, të kërkonim, me bashkëvuajtësit e tij, çfarë dinin diçka për të…Ishte një kalvar i gjatë. Dikush tregonte, dikush thoshte diçka të vërtetë, dikush thoshte që nuk e di. Si përfundim, e gjetëm që xhaxhai kishte vdekur në burgun e Shën Vasilit në Sarandë. Ishim në bashkëpunim me Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, me Drejtorinë e Përgjithshme që ka qenë diku te rruga e Durrësit. Kryetar atëherë ka qenë Sherif Kaloshi. Ata ne na referuan tek ish-drejtori i të Përndjekurve Politikë të Sarandës. Më kujtohet, ata e thërrisnin Taqi Nini. Zotëria, me shumë respekt,- nuk e di jeton apo nuk jeton: Nëse jeton, Zoti i dhëntë shëndet! Nëse nuk jeton, Zoti ta ndiejë!-na ka mirëpritur jashtëzakonisht mirë. Shumë shumë respekte, familjarisht për të! Na ka mbajtur në shtëpi, na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Kërkimet ishin shumë të vështira me një baba të paralizuar, sepse babai im është dëmtuar në punë të shtetit, në vitin 1965, kur unë kam qenë pesë vjeç, motra ime ka qenë tre vjeç dhe një motër tjetër ka qenë 6 muajsh. Me shumë mundim, kemi mundur ta gjenim në varrezat e qytetit të Sarandës.

Kush ju dha informacion për vendin ku ishte varrosur xhaxhai?

Personi që na ndihmoi kishte punuar varrmihës në varrezat e qytetit të Sarandës. Ai na tregoi se ku ishte, ai na tregoi se ku ndodhej edhe kur kemi shkuar që e kemi gjetur atje ishte i shkruar në një gur zalli, vetëm emri: Sami Dangëllia. Ai e dinte, e mbante mend shumë mirë edhe na e ka treguar historinë sesi ia kanë sjellë, sesi e kanë hedhur nga makina, edhe atij i vinte keq, edhe tregonte keqardhje, thoshte: “si mund ta tregoj unë atë çast, çfarë kam parë unë në atë moment?”. Nëse është e mundur edhe mund t’jua tregoj saktësisht. “Vjen makina e burgut, -thotë,- hap derën nga mbrapa, edhe e marrin një njeri të vdekur edhe as ta kapin me dorë, asgjë, vetëm e hedhin në tokë. Më japin në një letër emrin e tij të shënuar, edhe më thonë: merre fute në një gropë këtë. E mora me sa kisha mundësi. Njeri nuk kisha, më thanë: nuk ka njeri se kush duhet t’i bëjë shërbimet e këtij. Vendosa një gur, shënova emrin dhe që prej asaj kohe, ky është varri”.

Kishte qenë i prangosur në ato çaste?

Unë mbaj mend kur ne e kemi nxjerrë, ka qenë me tel te duart, edhe te këmbët, skeleti kishte ngelur dhe ai e kishte hedhur në pozicion fetal. “Siç e mora, tha, unë kështu e kam lënë në këtë pozicion”. Ne e morëm, e nxorëm, e futëm në një arkivol të vogël, vetëm eshtrat ishin sigurisht, edhe erdhëm këtu. Kjo ka ndodhur në vitin 1996. Me ndihmën e shoqatës së të përndjekurve politikë, Drejtorinë e Përgjithshme të Tiranës, i bëmë një ceremoni. Atëherë ka qenë i ftuar në ceremoni edhe ish-kryetari i Parlamentit, ose ish-bashkëvuajtësi i xhaxhait, z. Pjetër Arbnori,

Ndërkohë familja juaj u internua në vitin 1956…

Po. Në fshatin Çlirim të qyteti të Fierit. Unë kam lindur në internim në muajin prill të vitit 1960.
Të flas me sinqeritet, deri në moshën 13 vjeç, nuk kam ditur asnjë gjë sepse mentaliteti i familjes sonë ka qenë që “mos t’u tregojmë fëmijëve, mos t’i lëndojmë fëmijët, mos të dinë fëmijët çfarë kemi ne”, pra mos t’ia fusim atë psikologjinë fëmijëve që “obobo, ne jemi të këtillë”. Në vitin ‘73, unë kam qenë në përfundimet e klasës së tetë. Një mësuese e gjuhë-letërsisë, që na jepte neve, e cila dinte situatën, gjendjen ekonomike të familjes sonë, situatën që babai ishte i paralizuar, i sëmurë, më thotë: “I thuaj babait njëherë, meqenëse renditesh midis nxënësve të mirë këtu në shkollë, bëj një kërkesë, të paktën për një shkollë profesionale”. Sigurisht që më pëlqeu, kisha dëshirë të shkoja dhe unë në shkollë. Me atë gëzimin e fëmijës, të asaj kohe. Më kujtohet, me ato çantat që ishin ca çanta bezeje, librat brenda në çantë edhe varur me atë rripin e hollë, shkoj në shtëpi edhe i them tim eti: “Baba, këtu-këtu më thotë mësuesja, që mund të bëj një kërkesë”. Babai më thotë: “Lëre mor bir, se nuk kemi radhë ne për këtë”. Unë nuk e kuptova. E lashë, e dëgjova. E respektoja. E doja jashtëzakonisht shumë, sidomos edhe për situatën që ndodhej. Të nesërmen në shkollë, takoj prapë të njëjtën mësuese, edhe ia them atë që më tha babai. Ajo më tha: “Kjo s’ka të bëjë fare, me radhën. Si gjithë nxënësit e tjerë, edhe ti do bësh kërkesën tënde. Edhe thuaj babait, të ta bëjë një kërkesë se nuk bëhet qameti”. I shkoj, i them për të dytën herë. E pa që unë e kisha me shumë dëshirë, më thotë: “E di si është puna, djalë i mbarë?

Unë nuk di ta formuloj, nuk di ta bëj këtë. Mund t’i thuash mësueses ta bëjë vetë këtë kërkesë?”. Mësuesja ma formuloi kërkesën. Atëherë ishte lutje, e mbaj mend si tani, shkruhej “Lutje”. E çojmë te drejtoria, sepse aty bëhej lutja. Para se të mbaronte mësimi, më kërkojnë në drejtori. Më thotë drejtoresha: “Me ç’të drejtë kërkon bursë ti? E di kush je ti?” Me një ton të ashpër, me një ton ofendues. “Ti je një familje e deklasuar. Ti je një familje krimineli”. Unë, për momentin e humba, për momentin ngela edhe u përlotova. Në atë moment, ndërhyn mësuesja që më shtyu për këtë që kthehet nga drejtoresha, i thotë: Si mund t’i thuash një fëmije, kriminel, që ai fëmijë nuk e di ç’do të thotë fjala “kriminel”? Drejtoresha më thotë mua: Mos prit më asnjë gjë, dil nga drejtoria dhe ik në shtëpi! Mësuesja doli përjashta, më zuri prej qafe, më kërkoi falje, mendoi sikur e bëri ajo këtë gjë. Ika në shtëpi, duke qarë, babai te rruga më pa. “Hë, tha, çfarë u bë? Hajde, hajde hyjmë brenda,- më tha mua.- Tjetër herë kur të them unë, duhet të më dëgjosh sepse unë i di ca gjëra më shumë sesa ty, por tani, dëshira dhe vullneti yt…Më mirë që e mësove tani nga të tjerët…Djalë i mbarë, ne kjo familje jemi.” Atëherë kam kërkuar me insistim te babai im, çfarë do të thotë fjala “i deklasuar”. Atëherë më ka ulur babai dhe m’i ka treguar të gjitha, atëherë më ka treguar për xhaxhain, atëherë më ka treguar për xhaxhain tjetër, atëherë më ka thënë për dajën që ka qenë në burg, për vëllanë e mamasë.

Ju keni dhe një xhaxha tjetër që është zhdukur?

Po, ne, edhe sot e kësaj dite, nuk dimë asgjë çfarë ka ndodhur. Është i larguar nga Shqipëria, se ku ndodhet, se çfarë ka ndodhur me të. Ne nuk dimë asgjë të sigurt. Me sa kemi mundur, kemi kërkuar.

Pasi përfunduat shkollën 8-vjeçare, çfarë bëtë?

Direkt në punë, në bujqësi.

Po fëmijët e tjerë të familjes u arsimuan pas 8-vjeçares?

Absolutisht asnjë nga fëmijët, asnjë nga djemtë e xhaxhait tim, asnjë nga gocat e xhaxhait tim, nuk është arsimuar. Minimumi të paktën, një shkollë të mesme bujqësore që ne e kishim në fshatin tonë, jo dhe jo, edhe as një shkollë të mesme të përgjithshme, gjimnazi që ishte në Fier, jo dhe jo. Absolutisht, asnjë prej tyre nuk është i arsimuar më shumë se shkolla tetëvjeçare.

Si ishin kushtet e banesës?

Kushtet e banesës, më fal që po them, ishin mizerabël.

Si e përballonit jetesën pasi u aksidentua babai?

Mbas vitit ‘65, kur babai u aksidentua në punë, punonte vetëm nëna. Babait, sigurisht, i lidhën një pension.

Pas revoltës së Spaçit, u ashpërsuan masat ndaj jush?

Më kujtohet që në vitin 1973, pasi ishte bërë revolta e Spaçit, dikur, ka qenë verë, mund të ketë qenë muaji korrik, ose muaji qershor, nuk jam shumë i sigurt ta them këtë, por mbledhin Këshillin. Atëherë quhej Këndi i Kuq, në fshatin Çlirim, kinemaja ku shkonim zakonisht, bëheshin mbledhje, bëhej çdo gjë në atë sallë. Mblidhemi për t’u diskretituar. Mblidhet familja edhe vjen sekretari i Partisë apo kush ishte në atë kohë, edhe motivacioni ishte, kështu doli, që të diskreditoheshim si familje. Arsyeja është që ka shpërthyer burgu i Spaçit, edhe xhaxhai paska qenë organizatori i këtij shpërthimi. Edhe pastaj dihet, me ato fjalët e tyre, ofenduese: kriminelë, të deklasuar, ballistë… fjalë nga më të ndyrat që ata donin të thoshin. Më kujtohet, atëherë, një zonjë e nderuar, ngrihet e thotë: “Tani këtë ne nuk e kuptuam çfarë ishte kjo. Ai njeri është në burg, e keni në burg, këta njerëz duhet t’i injoroni? Nuk e shoh të arsyeshme!”. Ngrihet, ikën.

Gjatë viteve të internimit, jeni ndjerë të vëzhguar?

Sigurisht, ka pasur shumë raste të këtilla, por në moment që ti e mëson gjithçka, që e mëson kush je, atëherë je i detyruar të bësh shumë kujdes. Ne, duke parë situatën ku ndodheshim, atëherë nuk kishim mundësi. Në familjen tonë, vetëm një gjë ishte: “Aman, mos! Aman mos fol, se këtu ikën kot”. Më kujtohet, një herë në vitin ’85… Nuk mund ta them me siguri, sepse kur nuk ke një fakt, por dikush kishte qenë në familjen tonë, edhe doli që i ka thënë babai im atij që “pse shkove edhe fole keq për djalin e xhaxhait tënd?”, për mos ta thënë që edhe dole dëshmitar. Tani, e tha ky, apo e tha dikush tjetër? Ne, pas tri ditësh që personi kishte qenë në shtëpinë tonë, na kanë thirrur në një zonë e Fierit që i thonë Topojë, para se të hysh në plazhin e Semanit. Vjen dikush nga Këshilli edhe thotë që nesër në orën 9 e 30 minuta ju ju kërkojnë nga Dega e Punëve të Brendshme, të paraqiteni, te pishat në Topojë. Babai im atëherë ka pasur një motor invalidi. Fatkeqësisht, atë ditë ishte i prishur motori. Tani kërkesës së këtyre, nuk mund t’i thoshe dot jo. E kam marrë, e kam shtyrë unë babanë, deri në plazh. Nga ferma e Çlirimit, deri në Topojë, është 13 km. E kam shtyrë 13 km. Atje, në vend, na priste dikush. Na e bëri me shenjë: “këtej!”, edhe kemi hyrë nja 20 metër brenda në pisha. E filluan me babanë: “Pse flet? Kush je ti? E di ti, kush je ti? Ti je vëllai i filanit, ç’të duhet ty që i mëson të tjerët”? Edhe e godisnin. Ta imagjinosh, një njeri në motor, kështu, edhe tjetri e godiste nga prapa dhe ia përplaste kokën gati te timoni. Djalë i ri, imagjino në moshën 25 vjeçe, e shikoja që ma godisnin babanë ashtu, i bërtisja: “Ej, mos e prek babanë!” ose: “Mos…Ç’ke me të?”. Ata, nga një anë i ktheheshin babait, nga një anë më ktheheshin mua, më godisnin mua. U kapëm një herë, gati trup më trup, atëherë më morën dhe më lidhën pas një pishe, më vunë dhe duart mbrapa. Babai im, rahmet pastë, bërtiste: Mos se do më vrisnin djalin, e kam djalë të vetëm! Unë, nga ana tjetër bërtisja: Mos e godisni babanë tim!

Deri kur qëndruat në fshatin Çlirim?

Deri sa u ndryshua sistemi. Deri në vitin ’90, që kemi qenë në fermë të Çlirimit.

Duke u nisur edhe nga përvoja juaj, ku është Shqipëria sot, sipas jush, në rrugën e zbardhjes së krimeve të komunizmit dhe rehabilitimin e viktimave?

Nuk mendoj që kanë arritur në një pikë të atillë që njerëzit të kënaqen. Kur them që njerëzit të kënaqen, njerëzit që kanë vuajtur ose njerëzit që kanë humbur njerëzit e tyre në kampet e internimit, në burgje. Tani unë nuk di të fajësojë këtu. Por organizatat duhet të ndërhyjnë dhe ato në shtet. Për shembull, të marrim dëmshpërblimin e xhaxhait. Ne kemi një dëmshpërblim të xhaxhait, që këstet që na japin janë tepër qesharake. Gjithandej po të shikosh, njerëz si puna ime, të kategorisë sime, nuk janë plotësisht të kënaqur që me ndryshimin e këtij sistemi, ne paskemi fituar diçka. Nuk e besoj që të dalë dikush dhe të thotë, që: po, unë jam shumë i kënaqur…Ah, sigurisht që jam i kënaqur, sepse sigurisht jam më i lirë se në atë sistem, mund të flas më lirshëm, mund të punoj ku të dua, mund të shkoj ku të dua, kjo po, ndërsa për ato që ne kemi hequr, nuk mendoj që janë bërë gjërat siç duhet.


Etiketa: ,

Pas