Organet e drejtësisë së re nuk po formohen dot. Prokurorët e Apelit nuk kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e KLP-së pas thirrjes së Kryeprokurores Arta Marku. A po i tremb vetingu apo ka arsye të tjera?
15 ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, iu drejtua me një shkresë të gjithë Prokurorive të Gjykatave të Apelit. Ajo u kërkonte prokurorëve të Apelit që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e përzgjedhjes për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
15 ditë më pas, asnjë prokuror nuk ka aplikuar. Deri më tani vetëm një prokuror Apeli është konfirmuar në detyrë, ndërkohë që ky organ i rëndësishëm i reformës në drejtësi mbetet pa u plotësuar.
“Në mbështetje të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në Këshillin e Larëe të Prokurorisë do të jenë 6 anëtarë prokurore, nga të cilët: 1 anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 anëtarë nga Prokuroritë e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.
Pas informacionit të ardhur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me nr. Prot. 6250, date 20.09.2018, mbi ecurinë e procesit të rivlerësimit për prokurorët e listës prioritare, kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, rezulton se nga kandidaturat e Prokurorive të Apeleve vetem 1 (një) prokuror është konfirmuar në detyrë.
Përsa më sipër ftojmë prokurorët e interesuar që plotësojnë kriteret sipas ligjit 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të sjellin dokumentet pranë Prokurorisë së Përgjithshme,” thuhej në shkresën e Arta Markut.
Ngërçi duket se do kthehet në një problem të madh për drejtësinë e re, e cila dihej që do haste pengesa.
Por çfarë ëshë Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.
Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë. Anëtarët joprokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj”, parashikohet në ligj.
Sa i takon zgjedhjes së Kryeprokurorit, ai zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Është Këshilli i Lartë i Prokurorisë i cili, i bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.