fbpx

Aktualitet

Dështimi është përgjegjësi e Ramës!





               Publikuar në : 08:10 - 19/10/19 |
Nga Sebi Alla

Bashkimi Europian iu mbyll çdo portë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Emigrimi ilegal, azilantët, korrupsioni, trafiku dhe mungesa e institucioneve të drejtësisë, pikat e zeza që u përdorën nga Franca, Holanda dhe Danimarka për të vendosur veton në moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rama: “Përgjegjësia është e brendshme e BE”. Vendi pa integrim, Basha bën përgjegjëse qeverinë. Shqipëria në ditët e saj më të errëta. Flasin për MAPO, Erisa Zykaj nga Brukseli, Ilir Kalemaj dhe Ergys Mërtiri.


Nga Sebi Alla



Nuk ka Europë për Shqipërinë, ajo na mbylli një derë të cilën me dështimin tonë ne nuk deshëm kurrë që ta hapnim. Në Bruksel, vetoja e Francës, Holandës dhe Danimarkës vendosi përfundimisht se nuk do të ketë hapje të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Është e vështirë t’u shpjegosh francezëve se do t’u hapim negociatat e Shqipërisë me BE.


Shqipëria është vend i sigurt dhe ne kemi azilkërkues. Kemi probleme me azilkërkuesit. Nuk do të bëjmë gjëra që është e pamundur që francezët t’i kuptojnë”-tha qartë presidenti Emmanuel Marcron, i cili në çdo fjali shtoi frazën: “Duhet të finalizojmë reformat tona. Nëse mundet të vijojmë me reformat tona, atëherë mund të vijojmë më tej me procesin e zgjerimit”.

Lajmi u prit me rrudhje buzësh në Tiranë, sidomos nga qytetarët të cilët shpresonin se hapja e negociatave do ishte një mënyrë për të kontrolluar një qeveri, që keqqeverisjen e ka kthyer në moto të saj. Për kryeministrin Edi Rama, qeveria jonë nuk mban asnjë përgjegjësi, për të, përgjegjësja e madhe është Europa, ndërsa vetë ai, kabineti që drejton dhe ngrehina pushtet, kanë plotësuar çdo kusht… “Përgjegjësia është e brendshme e BE.

Është absurde të mendosh se ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Nuk është aspak kështu. Ne kemi përmbushur detyrat tona”-theksoi kryeministri Edi Rama në një konferencë shtypi, duke gjetur edhe momente për të hedhur batuta, shija e së cilës nuk u kapërdi nga askush, në një ditë të tillë si 18 tetori.

Ndërsa Rama në konferencën e gjatë ku foli shumë, por tha gati asgjë të papritur, këmbënguli se qeveria jonë nuk ka përgjegjësi dhe se as e mendonte një dorëheqje për këtë dështim, krejt ndryshe gjykoi kryedemokrati Basha. “Kryeministri shqiptar vuri interesin e vet mbi interesat e shqiptarëve. Ka një përpjekje për ta paraqitur situatën sikur ka përplasje mes Francës e Gjermanisë dhe jo gjendjen e Shqipërisë. Kjo është një tentativë qesharake. Në këtë gjendje nuk ka shanse të hysh në BE”-theksoi Basha.

Ndarja që do trazonte Ballkanin

Në Bruksel pati debate të shumta dhe interpretimi i largët ishte se vetë vendet ishin të ndara, ku nga njëra anë qëndronte Macron me vendimin e prerë për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe në anën tjetër Gjermania e Merkel, e cila tentoi deri në momentet e fundit për t’i dhënë vendit tonë një “po” edhe me kushte, ndërsa fqinjëve tanë hapje të menjëhershme. Pati edhe një plan tjetër që të veçohej Shqipëria nga Maqedonia e Veriut, nëse në tavolinë ishin vetëm “çështje kriteresh”, por kjo ide, ndoshta e nisur pa tendencë, u gjykua se mund të kishte pasoja të paimagjinueshme, që çështjen Europë mund ta “përplasnin” në ndarje fetare, që nëse do ndodhte, pasojat do ishin të paimagjinueshme. Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk lejoi që të zbatohej ky skenar, edhe pse disa vende ishin dakord që të mos pengohej Maqedonia e Veriut për shkak të Shqipërisë. Përse u investua Macron që të mos përparonte ky skenar? Financial Times shkruan se kjo nuk ka lidhje me faktin se edhe Maqedonia e Veriut nuk ka përparuar si Shqipëria, sepse ishte shumë e qartë se Shqipëria ishte problemi. “Parisi ishte i kujdesshëm që të mos portretizohej sikur po shënjestron Shqipërinë, e cila është kryesisht myslimane, ndërsa favorizon Maqedoninë e Veriut, e cila është kryesisht e krishterë”, shkruan gazeta e njohur. Këtë rrezik e pati paralajmëruar në një intervistë edhe kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi. Sipas tij, Edi Rama po e çon Shqipërinë drejt një skenari të rrezikshëm. “Deri tani është folur shumë për rrezikun që Shqipëria të bjerë në ndikimin e Rusisë, Kinës apo Turqisë, por frika më e madhe që ndjehet në Bruksel është se pasi Maqedonia të marrë dritën jeshile, do mbetet Shqipëria, Bosnja, Kosova si vendet më të izoluara, duke krijuar paragjykimin se vendet myslimane nuk përparojnë dot me reformat. Ky paragjykim është më i rrezikshmi ku mund të ketë përfunduar Shqipëria”-shprehet Palushi. Më tej shton se: “Për ironi, kjo situatë anadollake e Shqipërisë, këtë prapambetje, ku vendin tonë e parakalon Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, e krijon një njeri që duket se tendencën për të thënë që nuk është anadollak, një njeri që përdor terma si kazan, filxhan, tepsi. Por kam frikë se anadollakë në sytë e botës po na bën njeriu që na hiqet si më anti-anadollaku në Shqipëri”. Fati i keq për Maqedoninë e Veriut, e veçanërisht për shqiptarët që jetojnë aty, të cilët e shohin veten që nga mesdita e së premtes edhe ata larg BE-së dhe kjo dhuratë e keqe për më shumë i ka ardhur nga një “shqiptar” i superpushteshëm si Edi Rama…

Kriteret që bërtisnin “Jo”…

Europa u nda, sidomos kur në tavolinën e diskutimeve dolën pretendimet e Francës, Holandës apo Danimarkës, se Shqipëria ka problem me emigracionin e paligjshëm, korrupsionin, krimin e organizuar dhe mungesën e institucioneve të drejtësisë. Pikëpyetjet ishin nëse një vend me njëmijë e më shumë probleme është më mirë të futet në brazdën BE, apo të lihet jashtë saj, në dilemën e pafundme mbi ecurinë e mëtejshme të një shteti që sot eksporton me shumicë popull të pashpresë, drogë dhe krim të organizuar, i cili padyshim përbën shqetësim për të gjithë vendet e BE-së. Në emër të “reformimit” të vetë BE-së në fund ishte vetoja e Francës, Holandës dhe Danimarkës që përmbyllën një proces i cili tashmë është vështirë që të rihapet, pavarësisht një përpjekje tjetër që pritet të ndodhë në maj të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, gazetarja e “Abc News”, Erisa Zykaj ka arritur të sigurojë argumentin kryesor që Franca përdori për të kundërshtuar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një zyrtar i lartë francez ka artikuluar qartë, se që prej vitit 2005, Franca ka një shqetësim të qartë lidhur me procesin e zgjerimit. Ky proces për Francën mbetet tepër i politizuar dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit vazhdojnë të hapen sipas kritereve politike dhe jo rezultateve në realitet. Për Francën është absolutisht e nevojshme të gjendet një metodë e re, pasi avancimi në procesin e integrimit europian nuk bëhet thjesht me reforma të aprovuara në letër. “6000 pyetje juridike që ne mund t’u dërgojmë këtyre vendeve, nuk sjellin ndryshim të vërtetë për qytetarët e tyre” është shprehur zyrtari europian. Franca fajëson Komisionin Europian që nuk ka dashur të ndryshojë procesin. Sipas zyrtarit të lartë francez, Komisioni nuk ka dashur të pranojë se ekziston një problem. “Ky problem nuk është trajtuar, pasi Komisioni Europian nuk dëshiron të punojë për të”, është shprehur ai. Ai është përqendruar te problematike e reformave të integrimit në Shqipëri, duke veçuar problemet e mprehta të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shtetit së të drejtës si dhe nevojën e madhe që qeveria shqiptare të bashkëpunojë për çështjen e azilantëve shqiptarë në Francë “Vende si Shqipëria kanë humbur 15 deri në 25 përqind të popullsisë së tyre, një pjesë e mirë e së cilës është nën moshën 35 vjeç. Kjo tregon që ka diçka serioze që nuk shkon në vend”, është shprehur zyrtari francez. Nëse Macron ishte “armiku” që na tha disa të vërteta, shumica e shqiptarëve janë të parët që po pranojnë se nuk e meritonim hapjen e negociatave, me gjykimin e vonshëm: “Europën ta kërkojmë një herë në vendin tonë”. Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, me një Parlament të cunguar edhe në numra dhe kontrolluar nga një dorë, mungesë të zgjedhjeve të lira dhe në kërkim të elementëve bazë të demokracisë. Mund të ngjajë paradoksale, por ka edhe një lexim bizar në dukje që vetë klasës politike drejtuese nuk i interesonte hapja e negociatave. Në rast të “po-së” nga Brukseli do të kishte një monitorim më të madh dhe padyshim do ishte pengesë për qeverinë. Të kërkosh sot në vendin tonë normat bazë të demokracisë si ndarja e pushtetit, funksionim të sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do ishte “vdekje politike” për pushtetin. Deri atëherë, ironikisht duhet huazuar shprehja e kryeministrit që edhe pas këtij dështimi katastrofik vijon të mbajë të nënshtruar çdo frymë kritike me thënien: “më datë 19 tetor do të lindë sërish dielli, jeta është e bukur”.

 

 

***

Ilir Kalemaj, analist, ekspert i çështjeve Europiane 

“Negociatat nuk u morën nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë shqiptare”Related image

Pas një pritje të gjatë të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, përfundimisht me ndikimin e Francës dhe dy vendeve të tjera skeptike, vendi ynë mbeti sërish. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë, sa rol ka qeveria shqiptare në këtë dështim?

Po të vihet në rend krahasimor me prononcimet e kryeministrit Zaev që qeveria në Maqedoninë e Veriut binte me dështimin e hapjes së negociatave në provimin e vjeshtës, duken paradoksale deklaratat plot patos të kryeministrit tonë, zv.ministrit të tij të jashtëm por të komanduar si ministër i përkohshëm dhe ndonjë eksponenti tjetër të lartë qeveritar. Pavarësisht se sa punë ka bërë qeveria shqiptare, sa ngelej pa bërë, cilat reforma ka ndërmarrë dhe cilat ka lënë rrugës, fakt është që nuk u ndëshkua vetëm nga vetoja franceze sikundër Maqedonia e Veriut por edhe nga Hollanda me një jo të prerë dhe të qartë, por edhe skepticizmi danez, spanjoll e kështu me radhë. Deri sa dhe udhëheqësja e radhës e Këshillit të Ministrave Europianë Finlanda kërkoi si zgjidhje kompromisi të hapeshin negociatat me Maqedoninë e Veriut që i kishte bërë “detyrat e shtëpisë” dhe nuk kishte kontestime serioze, ndërkohë që të shtyheshin për në pranverën e 2020-ës për Shqipërinë.

Qeveria jonë ka ngritur një pretendim se moshapja e negociatave lidhet me “ristrukturimin e vete BE-së” dhe jo me dështimin e qeverisë në realizimin e reformave. Sa qëndron ky pretendim? Brukseli zyrtar a i ka marrë në analizë ecuritë e dy vendeve të Shqipërisë dhe Maqedionisë së Veriut mbi kriteret e plotësuara apo ka qenë një vendim politik? Macron ngriti si shqetësim emigracionin e paligjshëm dhe çështjen e azilantëve shqiptarë, ndërsa edhe në nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania përfshihet korrupsioni, trafiku, mungesa e institucioneve të drejtësisë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në fakt, deklarata e kryeministrit hollandez Rutte i cili u shpreh qartësisht se mbartte një vullnet të pastër konsensual parlamentar për një jo të paekuivokë për Shqipërinë, e lidhur ngushtësisht me mungesën e rezultateve konkrete në fushën e krimit dhe të korrupsionit nga ana e qeverisë shqiptare, është përgjigjja më e mirë për çdo lloj kinse pretendimi butaforik. Nga ana tjetër, fakti që jemi vendi i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve në Francë dhe po të shohësh listën e 30 kombësive që kanë aplikuar më shumë për azil në BE, Shqipëria është e 12-ta, nuk besoj se lë vend shumë për interpretim. Interesante është se në 30 vendet e para nuk është asnjë vend tjetër nga rajoni përveç nesh dhe që numrat për 6 muajt e parë të 2019 janë më shumë se për 2018. Ndërsa Gjermania ka listuar aty 9 kushte, nga të cilat disa janë të reja si për shembull reforma zgjedhore, ndëshkimi i krimit elektoral të zgjedhjeve të fundit dhe ndëshkimi penal i atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar dot vetingun.

Vendimi negativ sa e dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë dhe si pritet të jetë situata pas këtij dështimi? Çfarë kostoje duhet të mbajë qeveria shqiptare? Nga ana tjetër, ka zëra që shprehen se Maqedonia e Veriut i plotësonte kushtet, por edhe ajo u “dogj” në këtë proces për shkak të Shqipërisë, pasi vendimi u mor në bllok për të dyja vendet, sa qëndron kjo analizë?

Unë mendoj se pavarësisht mohimeve të përsëritura në publik nga ana e Ramës për mundësinë sado hipotetike të zgjedhjeve të parakohshme, i bindur se me një gur do vrasë dy zogj, kryeministri nuk do të presë pranverën e vitit që vjen për zgjedhje të parakohshme por do t’i organizojë në një kohë sa më të shpejtë. Kjo lëvizje prej “shahisti” do t’i jepte mundësinë të devijonte debatin publik, të mos merrte përsipër kostot e një ekonomie në ngërç dhe me shenja në horizont të një rënie të lirë, të kapte gafil opozitën dhe t’i “vidhte” tezën kryesore, si dhe të shpresonte në një fitore sado minimale që ta fuste vendin në shinat e normalitetit politik, të rikompozonte qeverisjen tashmë në brerje e sipër dhe të rifitonte legjitimitetin e vazhdimit të qeverisjes. Sa është i lirë ta çojë deri në fund këtë plan, kjo pastaj ha vend për diskutim. Por në optikën time kjo është një prej rrugëdaljeve, aq më tepër nëse skenari i zgjedhjeve të parakohshme materializohet në Maqedoninë fqinje.

 

***

Ergys Mërtiri, sociolog, analist

“Nuk e meritojmë Europën, Rama dështoi, fajin ai e kërkon kudo, por jo te vetja”Related image

 

Pas një pritje të gjatë të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, përfundimisht me ndikimin e Francës dhe dy vendeve të tjera skeptike, vendi ynë mbeti sërish. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë, sa rol ka qeveria shqiptare në këtë dështim?

 

Ideja që nuk na pranon Europa janë thjesht justifikime për të cilat qeveria i përdor për të dalë nga situata, për të gjetur mjete me të cilat, shpjegim për faktin që e kanë lënë vendin në shkretëtirë totale, të gjerave që duhet të plotësojmë për të hyrë në Europë. Faktikisht nuk e meritojmë Europën, nuk është çështja se nuk e meritojmë të hyjmë, nuk plotësojmë kushte e standard për të qenë të pranueshme për europianët. Nuk është çështja ka apo nuk ka probleme të brendshme Europa, çështja është edhe sikur mos të këtë apo edhe sikur të ketë, pa qenë totalisht në rregull, nuk jemi gati vetë ne. Rama nuk është se e zbuloi sot se Europa ka probleme të vetat me zgjerimin. Rama i ka ditur shumë mirë këto, atëherë përse hap shampanjë? Kjo është lojë mediatike që Rama është mësuar ta bëjë gjithmonë. Faji kërkohet kudo jo tek qeveria. Kërkon gjithmonë të kërkojë përgjegjësitë e të tjerëve, ndërkohë që është vetë përgjegjësi kryesor si i pari i qeverisë. Kjo e bën të mos sillet si burrë shteti, por si një kalama që qahet nëpër media dhe mundohet t’ia hedhë fajin të tjerëve. Sa do eci kjo propagandë, as e par as e fundit.

Qeveria jonë ka ngritur një pretendim se moshapja e negociatave lidhet me “ristrukturimin e vete BE-së” dhe jo me dështimin e qeverisë në realizimin e reformave. Sa qëndron ky pretendim? Brukseli zyrtar a i ka marrë në analizë ecuritë e dy vendeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi kriteret e plotësuara apo ka qenë një vendim politik? Macron ngriti si shqetësim emigracionin e paligjshëm dhe çështjen e azilantëve shqiptarë, ndërsa edhe në nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania përfshihet korrupsioni, trafiku, mungesa e institucioneve të drejtësisë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mosmarrja e negociatave është një hap tjetër në qeveri në raport me shoqërinë dhe gjithë faktorët. Një arsye më shumë që qeveria nuk ka një faktor, për të gjetur justifikime. Ramës i ka ndodhur gjithçka dhe ka arritur të mbijetojë. Për faktin se ai ka uzurpuar gjithë institucionet dhe pushtetet që e bëjnë një qeveri të ketë llogaridhënie. Praktikisht Rama mbijeton se ka shfuqizuar demokracinë. Demokracia është një sistem që është i hartuar për të rrëzuar qeveritë kur nuk janë në nivelin e duhur. Rama ka pezulluar demokracinë se gjithë pushtetet janë kapur me dorën e vet. Nga ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori, ka kapur mediat dhe shoqërinë civile.

S’ka institucione që të bëjnë rrëzimin e tij. Në mungesë të kësaj është revolta popullore, por nëpërmjet manipulimit të mediave, propaganda, përpiqet të mbjellë apatizëm. Për të krijuar publikut një lloj mungese vullneti për tu ngritur dhe për ta rrëzuar. Shumica e qytetarëve nuk ngrihen se nuk shpresojnë se mund ta rrëzojnë. Kjo është problem. Në të tilla kushte ndodh që ai e ka mbushur gotën dhe është pranë derdhjes së gotës. Vlen ta shohim. Ka kohë që e shoh qeverinë një hap drejt përmbysjes. Është çështja që a do të arrijë pikën e vlimit. Ishin protestat e studentëve, e Kukësit që nuk shkuan në rrëzim total. Qeveri të tilla janë të rrezikuara. Kërkon gjithmonë pushtet nëpër duar të mbijetojë.

Vendimi negativ sa e dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë dhe si pritet të jetë situata pas këtij dështimi? Çfarë kostoje duhet të mbajë qeveria shqiptare? Nga ana tjetër, ka zëra që shprehen se Maqedonia e Veriut i plotësonte kushtet, por edhe ajo u “dogj” në këtë proces për shkak të Shqipërisë, pasi vendimi u mor në bllok për të dyja vendet, sa qëndron kjo analizë?

Paradoksi që vlen në këto momente ose shuplaka më e fortë që Rama këtu, tregon realisht ku jemi ne dhe se pse nuk e meritojmë. Një vend me shumë më pak resurse si Maqedonia, një shtet shumë herë më i dobët se ne nga aspekti i fuqisë që kanë si komb, një shtet me probleme etnike, multikulturore ku dhe emrin nuk e vendos dot vetë. Ka shumë më tepër shanse për t’iu çelur negociatat se sa ne. Le të mos themi që ja kemi djegur ne. Ai që ishte shumë më pranë, sot është drejt dorëheqjes, ndërsa ky që s’ka asnjë kusht të bërë dhe nuk e meriton totalisht dhe e kanë mbajtur me hatër kaq sa i kanë dhënë, ky i fajëson ata që s’ia kanë dhënë ndërkohë që ata i kanë dhënë hakun. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, nuk kemi institucione. Në këto kushte nuk mund të pretendosh që ke ndonjë lloj standardi për të marrë negociatat. Jemi i vetmi vend në botë pa gjykata prej gati dy vitesh. Ndryshimet në rajon janë erëra që fryjnë ngado. Jam i bindur se kriza politike është konsumuar totalisht dhe mendoj se edhen ndërkombëtarët do shkojnë drejt një rruge të zgjidhjes.

Rrugë zgjidhje me këtë qeveri unë nuk shoh. Nuk bëhet fjalë për të gjetur mjetet institucionale se sa të gjendet një konsensus politik. Bëhet fjalë për një qeverisje që ka shkuar në limitet e logjikës dhe është në absurd total. Kjo qeveri nuk bie, shansi i vetëm është të krijohen mekanizma që të mbrojnë zgjedhjet. Zgjedhjet që të mbrohen duhet larguar hajduti nga organizimi i tyre. Ndërkombëtarët  do shtyjnë drejt një rruge dialogu. Ta shohim sa do zgjasë, pasi vetë ndërkombëtarët e kanë legjitimuar, e kanë pranuar deri ku nuk mban më Ramën. Besoj se s’do e zgjasin në pafundësi. Është dështimi i vetë atyre si arbitër në vend për gjithçka ka ndodhur. Ata vetë do të jenë mendoj të interesuar të shtyjnë drejt një dialogu që çon në rënien e Ramës. S’ka si të vendoset një konsensus, pasi këtu bëhet fjalë o gjithçka o asgjë. Çdo zgjidhje me Ramën fitues do ishte katastrofë për vendin, do ishte asgjë. Çdo zgjidhje tjetër do ishte diçka, besoj se drejt kësaj do shkojë. Drejt eliminimit të asgjësë, drejt eliminimit politikisht të Ramës.

 

*** 

 

Erisa Zykaj, gazetare e “ABC news” në Bruksel

“Dështimi i qeverisë sonë, Europa nuk të pranon pa dy ‘D’, Demokraci dhe Drejtësi” Image result for erisa zykaj gazetare e abc news

 

Pas një pritje të gjatë të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, përfundimisht me ndikimin e Francës dhe dy vendeve të tjera skeptike, vendi ynë mbeti sërish. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë, sa rol ka qeveria shqiptare në këtë dështim?

Është tërësisht përgjegjësi e qeverisë shqiptare pasi po të kishte patur një arsye thjesht për të ngecur Franca, domethënë për t’u justifikuar, kjo do kishte qenë e izoluar. Është krejtësisht përgjegjësia politike e qeverisë shqiptare pasi po të ishte vetëm për Francën, Franca do të ishte krejtësisht e izoluar. Fakti është se Franca nuk është e izoluar por është mbështetur fort nga Holanda dhe Danimarka. Ka një kushtëzim shumë të qartë për Shqipërinë. Për Francën bëhet fjalë për dy kushte kryesore. Së pari, me zbatimi ne Reformës në Drejtësi dhe konkretisht me Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë që të jenë funksionale dhe së dyti, me Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR në shtator. Ndërkohë ky është kushtëzimi gjerman.

Këto kushte i ka dhe Gjermania. Holanda është shumë radikale me një  “jo” të fortë ndaj qeverisë Shqiptare dhe e mban ende në fuqi mocionin e parlamentit holandez të aprovuar në qershor të këtij viti, sipas të cilit Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, pasi nuk ka përmbushur kriteret kryesore lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Danimarka gjithashtu konsideron se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret dhe për sa kohë që këto kritere nuk janë përmbushur, atëherë nuk mund të hapen negociatat me Shqipërinë. Këtë e tregoi dhe fakti që Danimarka ishte pro hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë. Thënë ndryshe, nëse në vitet ‘90 vetë shqiptarët kishin një parullë “Liri demokraci”, sot është BE që kërkon dy D kryesore. Që i thotë popullit shqiptar që duhet të vendosni dy “DD”, Demokracinë dhe Drejtësinë në vend, para se të hapim negociatat.

Demokracinë se duhet të provoni zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe Drejtësinë ku duhet të provoni se ka ndarje pushtetesh që respektohen dhe që të respektohet kjo ndarje pushtetesh duhet të funksionojë drejtësia siç duhet. Së paku të fillohet me Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese funksionale. Është një gjë konkrete nuk është justifikim mbi të cilën Franca është fshehur. Sepse Franca do të ishte e izoluar. Ka edhe më tepër shtete, edhe Spanja që nuk ka folur hapur dje, pasi ka folur hapur gjatë takimit me ministrat e jashtëm, që ishte e prekur nga kriminaliteti i organizuar nga grupet shqiptare të trafikut të drogës në Spanjë. Një sërë shtetesh të tjera, edhe Belgjika ka qenë skeptike.

Por ajo që ka ndodhur dje ka patur tri grupime kryesore. Së pari, një grupim i madh që mbështeste hapjen e negociatat me dy vendet; së dyti, një tjetër grupim që bënte që mbështeste ndarjen e vendimmarrjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe së treti, ishte grupimi që nuk e mbështeste ndarjen. Këtu Franca qëndroi fort me shtetet e tjera. Sot e artikuloi qartë Macron që tha nëse ne do t’i kishim ndarë, do të ishte një sinjal fatal dhe vdekjeprurës se do të jepte ndërmjetësim mes Shqiptarëve kudo që ndodhen. Kjo ndarje do krijonte tensione etnike mes tyre.

Qeveria jonë ka ngritur një pretendim se moshapja e negociatave lidhet me “ristrukturimin e vetë BE-së” dhe jo me dështimin e qeverisë në realizimin e reformave. Sa qëndron ky pretendim? Brukseli zyrtar a i ka marrë në analizë ecuritë e dy vendeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi kriteret e plotësuara apo ka qenë një vendim politik? Macron ngriti si shqetësim emigracionin e paligjshëm dhe çështjen e azilantëve shqiptarë, ndërsa edhe në nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania përfshihet korrupsioni, trafiku, mungesa e institucioneve të drejtësisë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nuk janë çështjet e brendshme dhe vetë Macron e theksoi se ne kemi një problem madhor me Shqipërinë për shkak të azilkërkuesve madje tha se si mund t’iu drejtohemi qytetarëve tanë francezë, që të hapim negociatat e anëtarësimit me një vend që na dërgon me mijëra azilkërkues, dhe pretendon se është vend i sigurt origjine. Shqetësim i vërtetë dhe tha që nuk është vetëm kjo, por arsyet e kushtëzimet me reformat konkrete; nëse nuk kapen kokat e krimit të organizuar dhe drejtësia nuk funksionon dhe s’ka të bëjë me politikën e brendshme të Francës. Sigurisht që Franca ka një parim të dytë për zgjerimin dhe reformimin e BE-së. Qeveria shqiptare duhet të marri përgjegjësi totale për situatën pasi ka dështuar prej 6 vitesh. Ajo synon të hapë negociatat dhe nuk ka arritur. Jo vetëm kaq por manipuloi opinionin publik që janë hapur negociatat. Jo vetëm që s’ishte e vërtetë por 1 vit e gjysmë më parë ajo qëndron se është një gënjeshtër e plotë.

Nuk është vetëm Franca, Holanda dhe Danimarka, por dhe vendet e tjera nordike. Duke parë që ishin Holanda dhe Franca dhe Danimarka dolën hapur, ato nuk ishin pro, por mjafton që një vend të thotë JO. Për tre grupimet më sipër kur u bë diskutimi, raundi i parë është raundi ku flet çdo kryeministër. Raundi i dytë është raundi ko u diskutua reforma për strategjinë e zgjerimit të BE dhe më konkretisht ndryshimi metodologjik mbi procesin e negociatave të anëtarësimit dhe te raundi i tretë ku u diskutua drafti i finlandez, ku aty filloi një gjendje e tensionuar për faktin se kishte plot që donin t’i kalonin të dyja vendet, por kishte një rezistencë të madhe nga tri-katër vende që pretendonin se nuk janë plotësuar kushte. Pastaj nuk donin të ndanin Shqipërinë me Maqedoninë. Ishte dhe ajo që ata donin të kalonin një sinjal pozitiv për të dy vendet, por nuk gjenin një konsensus. Ishte debat shumë i gjatë që përfundoi në orën 2-3 të mëngjesit.

Vendimi negativ sa e dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë dhe si pritet të jetë situata pas këtij dështimi? Çfarë kostoje duhet të mbajë qeveria shqiptare? Nga ana tjetër, ka zëra që shprehen se Maqedonia e Veriut i plotësonte kushtet, por edhe ajo u “dogj” në këtë proces për shkak të Shqipërisë, pasi vendimi u mor në bllok për të dyja vendet, sa qëndron kjo analizë?

Sigurisht që do ishte mirë të hapeshin negociatat, do kishte një monitorim më të rreptë nga KE dhe vendi do kontrollohej më lehtësisht dhe jo të bëheshin gabimet fatale që janë bërë deri tani. Kam dëgjuar përfaqësues të lartë të këtyre shteteve se kanë kundërshtime të forta ndaj qeverisë shqiptare se do ishte një lloj legjitimimi, nëse me të vërtetë do të hapeshin negociatat në këtë moment, do të thotë të legjitimojë një qeveri që nuk kontrollon dot trafiku ne drogës as të korrupsionit dhe që kontrollon komplet sistemi ne drejtësisë. Që ka ekonomi të dobët dhe njerëzit po braktisin vendin. Më e rënda është se 10-20% kanë braktisur vendin dhe pjesa e tyre janë të rinj.

Kjo tregon se ka një problem serioz. Për mua personalisht është shumë më tepër dinjitoze të fillojmë negociatat kur të jetë momenti i duhur. Ata që janë pro, janë pro vetëm për të nxitur reformat, por asnjë nuk është i bindur që reformat janë reale në Shqipëri. Kryeministri do të fshihet mbas asaj që Franca do të reformojë sistemin e zgjerimit, në fakt ajo do të ndryshojë sistemin e vlerësimit, sepse ky vlerësim i KE nuk është sfiduar vetëm nga Franca por dhe nga vende të tjera. Në këtë moment KE, ndihet i diskretituar, sepse kanë thënë shumë vende që ky vlerësim që keni dhënë nuk korrespondon me realitetin. Ato info që keni dhënë në raporte që kemi ne, nuk janë ato që jepni ju.

 

 

 


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas