Kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka vendosur të afrojë vizitën e tij tek presidenti rus, Vladimir Putin.
Sipas BBC, vizita është afruar me një muaj nga sa ishte planifikuar më parë.
Ky zhvillim interesant vjen në një kohë kur Greqia po kërkon të shmangë falimentimin.
Ka raportime se ky vend ka para për deri në fund të marsit.
Cipras erdhi në pushtet duke u angazhuar që t’i japë fund masave të kursimit, por bisedimet me kreditorët janë në telashe.
Marrëdhëniet me Gjermaninë, kreditorin më të madh të Greqisë, janë në një pikë të ulët.
Vizita e Cipras në Rusi ishte planifikuar për në 9 maj.
Kjo javë mund të jetë vendimtare në bisedimet mes Greqisë dhe BE.
Nëse nuk do ketë progres, raporton BBC, atëherë Greqia do i hedhë sytë nga Rusia, pasi ky vend ka shprehur gatishmërinë që të pranojë një kërkesë për kredi nga Athina.
Lideri grek është gati që të hapë dritën jeshile për Rusinë, që ajo të marrë hekurudhat shtetërore, portin e Selanikut dhe të tjera asete publike.
Këto hapa do zemëronin ndjeshëm BE-në.