Saimir Tahiri u paraqit mesditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda i shoqëruar nga avokati i tij, Maks Haxhia për tu njohur me aktet e prokurorisë. Por seanca e parë për ish-ministrin rezultoi e dështuar.
Kjo për shkak se Prokuroria nuk ka mundur të njoftojë tre personat e tjerë nën hetim, ish- drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe ish oficerët, Gjergj Kohila dhe Sokol Dodës.
Në përfundim të seancës Tahiri nuk ka folur për mediat, ndërsa avokati i tij e cilësoi si joserioz atë që ka ndodhur. Sipas Maks Haxhisë ata në seancën e ardhshme do të kërkojnë pafajësi. I pyetur nëse do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, ai tha, se ende nuk është vendosur.
Sakaq, seanca e radhës u la për të martën e javës së ardhshme. Duhet theksuar se kjo është seancë paraprake, ku gjyqtares Miliana Muça i duhet të vendosë nëse do të vijojë gjykimi; Dosja do kthehet në prokurori, apo çështja do pushohet siç kërkon Tahiri.