DURRËS – Një 25-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident automobilistik të ndodhur pranë një karburanti në Shkozet të Durrësit. Viktima është me iniciale R.B., thotë policia në informacionin paraprak. 25-vjeçari që po udhëtonte me motorin “Dajang”, u përplas nga një autobus tip “Skania” që drejtohej nga qytetari me iniciale P.T.
Pas përplasjes nga autobusi, viktima është goditur edhe nga një mjet tjetër që kalonte në rrugë, sipas policisë. Automjeti i dytë e ka spostuar trupin e viktimës disa metra më tutje larg vendngjarjes. 25-vjeçari ka humbur jetën menjëherë si pasojë e përplasjeve të forta nga dy mjetet. Poshtë autobusit është gjetur edhe motori i viktimës.
Në vendngjarje shkoi grupi hetimor i Policisë së Durrësit, që nisi punën për të ndërtuar dinamikën e këtij aksidenti të rëndë.
Burimet nga policia e Durrësit thanë fillimisht se dyshohej që trupi i aksidentuar i viktimës të ishte hedhur në rrugë nga një makinë në lëvizje. Por pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, u mësua se trupi i pajetë ishte përplasur nga një automjet i dytë, duke e spostuar disa metra larg vendit të aksidentit.
Informacioni paraprak i Policisë së Durrësit
Më datë 26.10.2019, rreth orëns 20:10, në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të një karburanti, në Shkozet, shtetasi P.T, duke drejtuar një mjet autobus tip “Skania” është përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B, 25 vjeç, banues ne lagjen nr 15 Durres i cili ka gjetur vdekjen.
Nga kqyrja e kamerave dhe veprimet paraprake rezulton se drejtuesi i motorit si pasojë e përplasjes nga autobusi është përplasur edhe me një mjet tjetër i cili e ka spostuar trupin e viktimës nga vendngjarja. Ndërsa motorri është gjetur në vendngjarje poshtë autobusit. Punohet për sqarimin e rrethaneve të ngjarjes.
LEXO EDHE: