Madrit Ulqinaku mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në Elbasan pranë stadiumit të qytetit. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale. Sipas Klan News, dyshohet që sherri të ketë nisur fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas të rinjtë u takuan për sqarim. Raportohet se kanë qenë 4 persona në këtë takim, viktima, autori i dyshuar dhe 2 miq të autorit.
Teksa palët ishin larguar, dhe kur viktima Madrit Ulqinaku po hipte në makinën që e kishte të parkuar në anë të rrugës, u qëllua me armë nga autori, duke humbur jetën në vend. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, 20-vjeçari me iniciale K.Sh. u largua me makinë nga vendngjarja pas krimit. Ai vijon të jetë në kërkim nga policia.
Bëhet me dije se 25-vjeçari Ulqinaku ishte kthyer në vendlindje prej pak ditësh pasi jetonte në Itali. Makina të cilën përdorte e kishte marrë me qira.
Një detaj tjetër i rëndësishëm është fakti që gëzhoja e armës me të cilën u qëllua Ulqinaku nuk është gjetur ende, teksa grupi hetimor vijon kërkimet në vendngjarje.