Të tjera detaje mësohen rreth grabitjes në Rinas. Dje janë vënë në pranga 4 pesona gjatë një aksioni zhvilluar në Elbasan. Të arrestuarit janë F.Beqiraj, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Sajmir Çela. Mësohet se operacioni për kapjen e tyre është zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Dy prej tyre dyshohet se kanë modifikuar furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor” që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e 6.5 milionë eurove.
Po kështu ka dyshime se pjesë e këtij grupi ka qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje.
Servisi
Servisi i automjeteve është zbuluar përmes këqyrjes së dhjetëra kamerave sigurie, përmes rrugës që ka përshkuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” para se të mbërrinte në Rinas ditën kur ndodhi grabitja më 9 prill, por edhe më përpara kësaj date. Bëhet fjalë për një biznes privat në pronësi të shtetasit Gentian Sh., nga Elbasani, që ka në brendësi servis makinash dhe një lokal. Ai ndodhet te rrethrrotullimi i Bradasheshit, në rrugën e vjetër të Metalurgjikut.
Burimet thanë se servisin bashkë me lokalin, shtetasi Gentian Sh. ua kishte dhënë me qira të afërmve të Klement Çalës. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë përmes të afërmve të tij që t’i marrë me qira servisin. Në këto rrethana, dyshohet se ai mund të ketë bashkëpunuar me Admir Muratajn, edhe pse nuk ka ende të dhëna zyrtare. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në grabitjen e Rinasit dyshohet të kenë marrë pjesë tri grupe kriminale, nga Elbasani, Fushë-Kruja dhe rrethinat e Tiranës.