fbpx

Aktualitet

Detaje/ Si kontrollonte grupi “Bajri” spitalin e Shkodrës dhe OSHEE





               Publikuar në : 14:42 - 21/11/19 |
mapo.al

Zbardhen detaje nga operacioni i Policisë së Shtetit për arrestimin e 10 personave, pjesë e grupit “Bajri”. Arrestimet janë bërë në kaudër të operacionit “Oaz”. Të arrestuarit, të cilit kishin lidhje me grupin “Bajri” kanë qenë nën përgjim, ndërsa akuzohen se bënin punësime me anë të kanosjes tek OSHEE-ja dhe Spitali Rajonal i Shkodrës.


Gjatë operacionit, Policia ka ushtruar kontrolle në 6 banesa, ndër to edhe në banesën e shtetases Jonida Murati, ku u gjetën dhe u sekuestruan një shumë e konsiderueshme të hollash, prej 9 000 euro.



“Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunimin dhe me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëprmjet kanosjes dhe shtrëngimit. Drejtuesi i grupit Behar Bajri ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja Jorida Murati, e cila ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital dhe në të njëjtën kohë duke përfituar nga kreditimi i pagës”, thuhet në njoftimin e policisë.


Gjykata vendosi masën “Arrest në burg” për:

Behar Brajoviq (Bajri)

Safet Rustemi

Ilir Rustemi

Asmer Bilali

Ismet Idrizi

Sirjan Alija

Jorida Murati

Masë “Arrest në shtëpi”:

Senad Halluni

Florine Hoxha

Mira Nikaj

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Vijon operacioni policor i koduar “OAZ”

Dokumentohen vepra të tjera penale në ngarkim të grupit të strukturuar kriminal “Bajri”.

Gjykata jep 10 masa të reja sigurie në ngarkim të pjesëtarëve të grupit kriminal, për 9 prej tyre janë ekzekutuar masat, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim.

Në vijim të operacionit “OAZ”, gjatë hetimeve të kryera nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër, në koordinim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në ngarkim të grupit kriminal “Bajri”, u arrit të dokumentoheshin edhe vepra të tjera penale, të kryera nga pjesëtarët e këtij grupi.

Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara nga Policia, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar 10 masa të reja sigurie në kuadër të anëtarëve dhe lidhjeve të grupit kriminal “Bajri”.

B. R. alias B. B, 39 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

S. R., 35 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

I. R., 43 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

A. B., 30 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

I. I., 29 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

S. A., 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, është shpallur në kërkim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

J. M., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, është ndaluar gjatë mëngjesit të sotëm, në Tiranë.

S. H., 46 vjeç, Shef shërbimesh te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

F. H., 48 vjeçe, banuese në Koplik, kryeinfermiere pranë repartit obstetrik në maternitetin pranë Spitalit Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

M. N., 50 vjeçe, banuese në Shkodër, përgjegjësë finance në Spitalin Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Gjatë operacionit të sotëm për ekzekutimin e masave të sigurisë, Policia ka ushtruar kontroll edhe në 6 banesa të tjera, ndër to edhe në banesën e shtetases J. M., për të cilën mëngjesin e sotëm u bë dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”. Gjatë kontrollit në këtë banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 9 000 euro.

Drejtuesi i grupit B.B ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja J. M, e cila ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital dhe në të njëjtën kohë duke përfituar nga kreditimi i pagës.

5 nga anëtarët e këtij grupi kriminal, për të cilët sot u bë ekzekutimi i masës së re të sigurisë, janë ndaluar më parë dhe ndodhen në IEVP.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunimin dhe me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëprmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve.

Departamneti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi të strukturuar kriminal.



Pas