Dalin në dritë detaje nga atentati mafioz në Elbasan, ku u ekzekutua me armë zjarri Bujar Çela.
Vrasësit e 50-vjeçarit kanë qenë të maskuar dhe në ndjekje të viktimës. Ata e kanë kryer ekzekutimin sipas një skeme të organizuar më herët. 4 persona kanë qenë në makinën tip “Renault” që po e prisnin Çelën të hynte në një kafene në Bradashesh në orën 05:45, pasi e njihnin rutinën e tij të përditshme.
Bujar Çela shkonte çdo mëngjes në të njëjtin lokal. Ai punonte si taksist, ndonëse nuk kishte liçensë. Çela priste autobusë me pasagjerë që vinin nga Greqia.
50-vjeçari ishte ulur në një nga tavolinat jashtë lokalit, kur autorët e qëlluan me pistoletë katër herë.
Duket se bëhet fjalë për profesionistë, pasi janë siguruar mirë që të vdiste para se ata të arratiseshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për të arritur dhe djegur më pas makinën në një rrugicë të fshatit Murras, Elbasan.
Policia u lajmërua nga pronari i lokalit, i cili, pasi dëgjoi zhurma nga banaku, doli menjëherë jashtë ambientit të brendshëm dhe pa trupin e përgjakur të Bujar Çelës.
Vrasja e Bujar Çelës rikthen në vëmendje një seri ngjarjesh të shkuara kriminale. Vëllai i tij, Talo Çela është një ndër më të kërkuarit e policisë. Ai dyshohet se më 9 prill 2019, ishte pjesë e grupit që organizoi grabitjen e një shume të madhe parash në aeroportin e Rinasit – mbi 4 milionë euro.
Talo Çela dyshohet gjithashtu të jetë autor i disa ngjarjeve të tjera kriminale, mes së cilave edhe vrasjes së vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj.
LEXO EDHE:
Ngjarje e rëndë në Elbasan, vritet me armë zjarri 50-vjeçari