Dalin në dritë detaje të reja nga vrasja 63-vjeëarit shqiptar në Korfuz në Greqi. Petrit Zifle, nga Berati, i njohur në fshatin ku banonte me emrin Petro, u qëllua me armë zjarri nga një anëtar i ‘Agimit të Artë’.
Autori i vrasjes është arrestuar nga forcat e policisë dhe ka pranuar krimin. Ekzekutuesi i tij është një 44-vjeçar nacionalist ekstremist grek, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
Sipas burimeve, gjithçka filloi pas një sherri në një lokal në fshat. Zifle dhe 44-vjeçari grek shkëmbyen fjalë dhe komente raciste. Sipas dëshmitarëve, zanafilla e debatit ishte emri i Maqedonisë, më pas situata u përshkallëzua ku përfaqësuesi i ‘Agimit të Artë’ shpertheu ne thirrje raciste kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Klientët, që ishin në lokal, i ndanë nga njëri-tjetri pasi po konfliktoheshin dhe shtetasi grek e ka kërcënuar Petrit Ziflën se do ta vriste.
Më pas, duke drejtuar automjetin e tij në rrugën Dragonit-Spartero, në pjesën jugore të Korfuzit, anëtari i ‘Agimit të Artë’ pa në rrugë 63-vjeçarin dhe, pasi mori armën, e qëlloi me dy plumba. Viktima u gjet në një kanal të nesërmen nga kalimtarë. Ndërkohë arma e krimit u gjet në një zonë të pyllëzuar prej rreth 3 kilometra më larg.
Autori i tha policisë se 63-vjeçari Petrit Zifle e kishte sharë dhe ofenduar. Ndërkohë shumë organizata në Greqi janë solidarizuar dhe kanë dënuar vrasjen duke e lidhur atë me motivet raciste. Vrasjen e Petrit Ziflës e kanë dënuar dhe deputetë të partisë SYRIZA dhe Komiteti i Helsinkit në Greqi.
Gjithashtu priten tubime në Korfuz nga studentë të Fakultetit të Drejtësisë me moton “Heshtja është bashkëfajtore në krim”.