Një djalë shqiptar humbi jetën në Nju Xhersi të SHBA pas një aksidenti.
Drama e tij ka marrë vëmendjen e mediave amerikane.
Djaloshi u godit nga një kamion teksa po ngiste biçikletën.
Familja e tij kishte vetëm pesë ditë që kishte mbërritur nga Shqipëria në Nju Xhersi.
12-vjeçari Elios Xhemollari u identifikua nga një kushëri i tij, që ka hapur një faqe në internet ku kërkohet ndihmë financiare për shpenzimet e funeralit.
Policia nuk e konfirmoi emrin për shkak të moshës.
Në faqen e hapur për mbledhje fondesh thuhet se familja sapo ishte vendosur në Nju Xhersi dhe kishte nisur një jetë të re, teksa u godit nga drama.
Faqja ka mbledhur më shumë se 53 mijë dollarë brenda 10 orësh për familjen, edhe pse limiti ishte 30 mijë dollarë.
Policia tha se Elios ishte në procesin e regjistrimit në shkollë.
Një burim u tha mediave se familja akoma nuk kishin marrë celularë.
“Nuk kanë hyrë ende në shtëpinë e tyre, pasi po e bëjnë gati. Tani jetojnë tek një mik. E tmerrshme- humbja e fëmijës në një vend të huaj”.
Kamioni po drejtohej nga një 43-vjeçar në momentin e aksidentit.
Elios u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes.
Shoferi bashkëpunoi me hetimin dhe refuzoi trajtimin mjekësor.
Hetimi po vazhdon dhe nuk janë ngritur akuza ndaj shoferit të kamionit.
Dëshmitarët thanë se shoferi ishte i tronditur.