Kryeministri Edi Rama një ditë pasi u betua në presidencë edhe si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, ia kalon kompetencat me delegim zëvendësministrit Gent Cakaj. Reagimet për lëvizjen e Ramës dhe akuzat se “shkeli betimin Kushtetues”. Fjalimi i Cakajt me vlerësime për kreun e qeverisë dhe qëndrimi i ftohtë dhe shpotitës i ish-ministrit Bushati.
Kryeministri Edi Rama nuk qëndroi asnjë ditë të vetme edhe si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, pasi këtë detyrë ia ka kaluar me delegim zëvendësministrit në letra, Gent Cakajt. Tashmë, 28-vjeçari i refuzuar të dekretohej nga presidenti Meta për tre motive, do të përfaqësojë diplomacinë tonë, kjo e mundësuar vetëm nga këmbëngulja e kryeministrit Edi Rama. “Fjala më e shkurtër e jetës time. Unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit Gent Cakaj, zv/ministër për Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të përfaqësimit të ministrit brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama, ndërsa më pas i dorëzoi Cakajt dekretin e presidentit Ilir Meta. Me delegimin e kompetencave, përveç reagimeve politike mbi lëvizjen e Ramës, po diskutohet edhe pjesa proceduriale, për shkak se disa konstitucionalistë gjykojnë se kryeministri “shkeli betimin Kushtetues”, pasi u betua edhe si ministër, ndërsa menjëherë ia kaloi kompetencat zëvendëministrit. I pyetur mbi “delegimin e kompetencave”, Presidenti Ilir Meta reagoi në mënyrë të përmbajtur, teksa përmendi kushtetutën dhe nga ana proceduriale e kishte të pamundur të mbante qëndrim për zgjedhjen e Ramës. “Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”- deklaroi presidenti Meta. Përplasja institucionale që më pas kaloi edhe në personale Rama-Meta, ka përfunduar me një ministër me “autorizim”, çka ngjan si një “betejë” e fituar nga Rama, por me pikëpyetje të mëdha, sidomos përsa i përket të ardhmes së dikasterit të rëndësishëm dhe dilemës nëse kryeministri shkeli ose jo betimin mbi kushtetutë.
Ceremoni, emocion dhe “ndarje”…
Ceremonia për “delegimin e kompetencave” u organizua dje në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe “pritësi” i të ftuarve ishte ish-ministri Ditmir Bushati. Kryeministri Edi Rama për të plotësuar shfaqjen publike, ia la hapësirën e plotë zëvendësministrit Gent Cakaj, i cili pasi mori në duar autorizimin e kryeministrit, mbajti një fjalim të mbushur me emocione, plot pathos dhe me premtime të mëdha, duke mos gjetur fjalë për të falenderuar Ramën për besimin e madh. Ai premtoi se do të punonte ditë e natë për të çuar përpara integrimin e vendit dhe duke i dhënë Shqipërisë rëndësinë e duhur në arenën ndërkombëtare. “Të qenit drejtues i këtij institucioni me kompetenca të deleguara me vëzhgimin e tij është një start i garantuar në grykën e zjarrit të akuzave pa bazën e paragjykimeve. Nën drejtimin e ministrit Bushati, trajta amorfe e politikës së jashtme të Shqipërisë është shndërruar në një platformë solide dhe të mirëstrukturuar”-tha Cakaj, teksa shtoi se “Shqipëria qëndron para një vendimi historik për negociatat. Atdheu ynë Shqipëria është në fazën e pakthyeshme”. Në fjalimin e tij të mbushur me nota gëzimi dhe një lloj ekzaltimi për detyrën e rëndësihme, Cakaj ia atribuoi vlerësimet kreut të qeverisë. “Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati të cilin e falënderoj tek unë nëpërmjet kryeministrit Rama të cilin nuk di si ta falënderoj, nuk nënkupton asnjë ndryshim strategjish në politikën e jashtme. Ne do të vazhdojmë pa asnjë diskutim të shtyjmë më me vullnet përpara rrugën e integrimit”, tha Cakaj. Përveç pjesës ceremoniale dhe duartrokitjeve të vakta pas përfundimit të fjalës së tij, ajo që ra në sy ishte qëndrimi i ish-ministrit Ditmir Bushati. Në dalje të ministrisë, refuzoi ftesën e Ramës për tu larguar në makinë me të, por përveç gjestit të momentit, deklarata e Bushatit flet edhe më shumë për një pakënaqësi disi të hershme dhe qëndrime të kundërta përsa i përket çështjes së “korrigjimit të kufijve” Kosovë-Serbi. “Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas”-tha Bushati, duke lënë të kuptohet se nën drejtimin e ministrit të ri situata ndërkombëtare dhe qershori i vitit të ardhshëm ku do të vensoset nëse Shqipëria do jetë ose jo vend kandidat për në BE, nuk është aq “rozë” sa paraqitej nga ministri me autorizim. Kjo mund të shihet edhe si “nadarje” mes Ramës dhe Bushatit, që ishte ministri i vetëm që Meta refuzoi të dekretojë shkarkimin, deri në momentin kur në presidencë i mbërriti emri i Edi Ramës për të mbajtur edhe postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Nga shtatë ministrat e propozuar nga Rama, kreu i shtetit refuzoi vetëm kandidaturën e Gent Cakajt, duke e argumentuar me tre arsye; Cakaj nuk kishte eksperiencën e duhur; ishte shprehur në favor të korrigjimit të kufijve në Ballkan, që binte ndesh me politikën e BE-së dhe SHBA-ve; kishte punuar si zëvendësministër i Jashtëm, pa u pajisur me certifikatë sigurie. Që të trija arsyet Meta i shoqëroi me referime ligjore dhe kushtetuese, duke refuzuar përfundimisht të dekretonte Cakajn si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Kryeministri Edi Rama vendosi të marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm pas refuzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta kandidaturës së Cakajt, por vetëm një ditë pasi u betua si ministër, Rama ia kaloi kompetencat të përzgjedhurit të tij të mëparshëm.
Reagimet, opozita dhe Vetëvendosja kundër Cakajt
Menjëherë pasi kryeministri Rama i delegoi kompetencat për Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, pati reagime të shumta, duke e konsideruar lëvizjen e Ramës absurde dhe në shkelje të kushtetutës. Ish-presidenti Bujar Nishani e ka cilësuar skandaloz dhe poshtërues veprimin e kryeministri Edi Rama. “Sjellja e njeriut që mban vulën e kryeministrit të vendit ishte akti më poshtërues ndaj shtetit shqiptar, ndaj institucioneve të këtij shteti”-shkruan Nishani. Në të njëjtën linjë ishin edhe deputetë të LSI-së. “Akti i sotëm i Kryeministrit me kalimin e përgjegjësive të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, është një akt që tregon edhe një herë përpëlitjet e fundit të një diktatori të sëmurë për pushtet”-shkruan në reagimin e saj deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha. Ndërsa kreu i republikanëve Fatmir Mediu e ka cilësuar si të paprecedent dhe idiotesk lëvizjen e Ramës. “Ulja e nivelit të përfaqësimit në këto çështje, është shkatërruese për politikën e jashtme, e paprecedent dhe idiotike. Çështje që kërkojnë angazhim dhe nivel maksimal përfaqësimi dhe mbështetje politike, Rama i degradon në marrëdhënie të rëndomta teknike. Kjo është varfëria mendore dhe politike e kësaj qeverie. As më shumë e as më pak më keq se Enveri dhe më keq se Putin”-shkruan Mediu. Një reagim i ashpër ka ardhur nga Kosova dhe konkretisht nga partia Lëvizja Vetëvendosja, e cila përmes Arbër Zaimit është shprehur se Baton Haxhiu po përcakton politikën e jashtme të Shqipërisë me këmbënguljen e Ramës. “Tash e ka Rama pushtetin, ndaj Baton Haxhiu është bërë konfidanti më i madh i Ramës, shkon në takimet e nivelit të lartë bashkë me Ramën, i sugjeron dhe i përcakton këshilltarë, ministra e zv.ministra, dhe sigurisht e ndikon për qëndrime politike”-thuhet në qëndrimin e Vetëvendosjes. Një pjesë e politikës kosovare doli kundër kandidaturës së Cakajt si ministër dhe mbështetën qëndrimin e presidentit Meta për të mos e dekretuar, duke iu referuar pikërisht deklaratave se ishte pro “korrigjimit të kufijve” Kosovë-Serbi.