Prej disa ditësh opozita ka nisur përgatitjet për protestën e 26 Majit në Tiranë, ku do të kërkohet sërish dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Mesditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje të grupit parlamentar demokrat ku është diskutuar fillimisht skenari i ditës së nesërme në Parlament.
Mësohet se në seancën e nesërme, ashtu si edhe ne dy seancat e fundit, kryetari Basha do të flasë në foltoren e Kuvendit dhe më pas deputetët demokratë do ta bllokojnë atë.
Pas deputetëve të grupit parlamentar, Basha ka thirrur kryetarët e degëve të Tiranës, me të cilët ka diskutuar organizimin e ditës së shtunë, raporton Panorama.
Në këtë mbledhje është shpërndarë edhe një fletëpalosje, e cila do t’u jepet dy ditet e ardhshme qytetarëve të Tiranës për t’i ftuar në protestën e të shtunës.