Studiuesi italian Mauro Geraci prej vitit 2003 ka nisur një kërkim etnografik mbi fermentin e madh letrar dhe botues shqiptar. Në librin e tij “Prometeu në Shqipëri” tregon sesi “deti i librave” që sot kapërcen jetën politike shqiptare, propozon, në version të përditësuar dhe të pjekur, një nocion “prometeik” të shtetit dhe të çështjes historike kombëtare
Letërsia, nëse njeh kombe, nuk njeh kufij dhe shkëmbimet letrare duhet të mbesin krejt të pavarura nga çështjet e jetës politike të popujve. … Ky është një nga postulatet e një klubi letrarësh në Italinë e sotme, ku mes fletëve të revistës që ky grup boton gjen sugjerime të letërsisë nga e gjithë bota e ku nuk mungon letërsia shqiptare. Ose të paktën ajo e shkruar nga autorë shqiptarë, që rrëfejnë anën e errët të Shqipërisë komuniste, por edhe iluzionet e humbura në një det shpresash dhe brigje të reja zhgënjimesh.
Në botimin e 28-të të revistës “Pen” gjen sugjerime të librave të Visar Zhitit, “Vizionari me krahë dhe gruaja e ndaluar”, të Antonio Caiazza-s, “Nata e humbësve” apo Euglent Plakut, “Përtej kufirit”. Sugjerime nën kujdesin e Mauro Geraci-t studiuesit italian, i cili prej 2003-shit ka nisur një kërkim etnografik mbi fermentin e madh letrar dhe botues që dje, si edhe sot, vazhdon të gdhendet në transformimin politik të Shqipërisë.
Së fundi studimi i tij ka ardhur si një libër, me titullin “Prometeu në Shqipëri” një botim i shtëpisë “Rubettino”. Profesor i Asociuar i Antropologjisë Kulturore në Universitetin e Studimeve të Mesinës, merr në shqyrtim në një sintezë dokumentuese fermentin e madh letrar dhe botues që dje, si edhe sot, vazhdon të gdhendet në transformimin politik të Shqipërisë. Mbi të gjitha nga 1991-shi, viti final i regjimit të hekurt komunist që zgjati gjysmë shekulli, roli i librit, në kuptimet e shumëfishta estetike-letrare dhe socio-politike, merr një rol të planit të parë në perspektivat europiane të Shqipërisë. Nismat e vazhdueshme- shkrime, botime, panaire, prezantime, narracione, memorie, diatriba – që e bëjnë të gjallë panoramën aktuale shqiptare, vënë në lëvizje një det librash, autorë dhe autoritete përmes së cilëve Shqipëria dhe e kaluara vijnë të rimenduara në kontradiktat e tyre historike dhe në të njëjtën kohë, të ripërshtatura, të rishkruara dhe të risjella në ndërtim nga një identitet i rinovuar, bashkëbisedore përballë Bashkimit Europian. Hamendësimi i fenomenit letrar shqiptar në terma antropologjikë lë, mes të tjerash, të kuptohet sesi kalimet e fundit politikë dhe kulturorë të vendit kanë ecur me hapa të njëjta me përhapjen në rritje të teknikave botuese, me zhvillimin e qarqeve botuese si edhe me eksperimentimin e njohjes efikase të librit në panoramën e rinovuar të rrjeteve globale dhe dixhitale të komunikimit.
Në këtë perspektivë, Mauro Geraci tregon sesi “deti i librave” që sot kapërcen jetën politike shqiptare ripropozon, në versione të përditësuar dhe të pjekur, një nocion “prometeik” të Shtetit dhe të çështjes historike kombëtare. Derivate të cilat në një nacionalizëm të lindur në epokën romantike, të njëjtat praktika librare “shkëmbi ilirik”, Prometeu, Skënderbeu, Kadare, Nënë Tereza, statujat e partizanëve dhe martirëve të kombit, ashtu edhe malet, piramidat, “pallatet e ëndrrave”, kujtimet e gulagëve si teatri i gjakut dhe i shqipeve, të urave si edhe të detit, përfundojnë duke përditësuar – në një mozaik letrar dhe simbolik të plotësuar –Shqipërinë e humbjeve fituese apo të metamorfozave të një “shqipërizimi” për shumë aspekte të dobishëm për tranzicionin aktual. Bëhet fjalë në fund të fundit për një rast të rimenduari në një perspektive më të përgjithshme, të marrëdhënieve komplekse mes letërsive, jetëve dhe historive kombëtare, duke u nisur nga një zemër pulsuese e një Shqipërie që në një mizëri shtëpish botuese, librash, autorësh, përkthyesish, bibliotekash, librarësh, ilustruesish, sallonesh libri, festivalesh letërsie si edhe institute kërkimore dhe kulture, risheh veten, marrëdhënien me të tjerët dhe me Europën e ardhshme. Për shqiptarët miti nuk është i humbur, por prani e gjallë që shërben për të rikompozuar figurat e kohës.
Shqipëria dhe dallgët e librave të ndaluar
Në “Sytë e mëdhenj të detit”, Adriatiku merr shpesh lexueshmërinë e letrës dhe bëhet metaforë e jashtëzakonshme e dallgëve të librave që sot përmbytin Shqipërinë. Aulona, protagonistja e vogël e romanit të Leonard Guacit, shkrimtar i ri nga Vlora, reagonte që atëherë ndaj regjimit socialist të Enver Hoxhës, duke kërkuar në distancat detare, duke parashikuar në kreshpërimet e horizontit që do të kishte kumbuar ende dije të hapura, me ngjyra si dallgët që do të sillnin libra nga Italia apo nga kudo. Askush, as vetë Zyz, djali i gjorë i vrarë nga “shokët” për dashurinë e pakufishme që kishte për shkrimet, letërsinë, poezinë dhe këngët e përtej detit nuk do të mundej të guxonte të ngacmonte në atë sistem të ashpër censurash, libra jo të shtypur dhe të promovuar nga partia apo kanalet italiane, këngët e Adrianos, Gianni-t, Lucio-s që PPSh-ja i etiketonte si “djaj kapitalistë” armiq të “Kauzës” të “Shtetit” të “Partisë”, prurës të degjenerimeve dhe keqedukimit. Edhe Ylljet Aliçka, në një rrëfim autobiografik, i kujton kështu leximet e ndaluara gjatë regjimit socialist: “ Ishim studentë dhe sa herë që na rastiste në duar ndonjë libër i ndaluar, me pak fjalë i rrezikshëm, e kalonim fshehurazi dorë më dorë. Dhe padyshim, sa më shumë ata libra apo ata autorë të ishin të rrezikshëm, aq më shumë ne çmendeshim nga dëshira për t’u zhytur në atë që quhej “kënaqësia e ëmbël e leximit…” Sigurisht nga ana e regjimit ishte një klasifikim i përkufizuar mirë, e bazuar në rrezikshmërinë e këtyre librave, të ekzaminuar në çdo imtësi. Nga përvoja e ekzekutimeve kishim kuptuar që maja e rrezikshmërisë ishte i përfaqësuar nga Bibla: ta lexoje dhe t’ua kaloje të tjerëve të kushtonte dënimin maksimal, pastaj vinin Sartri dhe shokët që “me trishtimin dhe qasjen kundërrevolucionare” bënin që lexuesit e tyre dhe propaganduesit ta paguanin me humbje të lirisë dhe me internimin e familjes, leximin e shkujdesur. “Kujtoj –shkruan edhe Ylli Demneri –leximin e librave të ndaluar për të gjithë natën. Libra që kaloheshin dorë më dorë të shoqëruar gjithmonë me shprehjen “Nesër në mëngjes duhet të ma kthesh patjetër, dikush ma ka dhënë hua vetëm për dy ditë”. Për shumë, libra dhe këngë u bënë kështu enë alegorish dhe figurash të nevojshme për të para rrugë të mundshme arratisjeje nga ai “ishull i kuq” që pas pasluftës së dytë botërore, Komandanti, “Shefi i Kuq” Enver Hoxha, kishte në ndërtimin duke ripërdorur materiale ideologjikë të trashëguar nga nacionalizmi sovjetik, nga stalinizmi, nga realizmi letrar socialist që shkrimtarëve u kishte ngarkuar të vetmen detyre të afroheshin më shumë me popullin dhe të përshkruanin ndjenjat, idealet, jetën e tij të vërtetë. Shkrimtarët tanë të rinj duhet të presin subjektet e tyre nga ngjarjet madhështore të historisë së popullit tonë, na e kaluara, veçanërisht nga Lufta e lavdishme e Çlirimit Kombëtar dhe nga ndërtimi i bazave të socializmit në Shqipëri. Nga ngjarjet historike të popullit tonë, te luftërat e tij heroike, dalin jashtë vepra me një përmbajtje të re, ku spikat realizimi dhe e vërteta. Shkrimtarët tanë të rinj duhet të mësojnë nga trashëgimia e letërsisë botërore avangarde e veçanërisht nga letërsisë sovjetike e realizmit socialist. Ky i fundit duhet të bëhet metodë udhëheqëse në detyrën e madhe që i ngarkohet shkrimtarëve tanë të rinj popullorë… Partia vendos detyrën që letërsia dhe artet të bëhen një armë e fuqishme në duart e saj për të edukuar punëtorët me shpirtin e socializmit dhe komunizmit, që ata të jenë në radhët e parë të luftës për të edukuar një rini të pastër ideologjikisht dhe moralisht, që e gjithë krijimtaria artistike të ketë një nivel të lartë ideologjik, që të jetë e përshkruar nga shpirti revolucionar luftëtar i Partisë de nga një shpirt i shëndetshëm kombëtar. Partia kërkon që letërsia dhe artet të pasqyrojnë më gjerësisht luftën, punën dhe jetën e popullit punëtor, idealet dhe aspiratat e tij, ndjenjat e tij fisnike, karakterin e tij heroik, thjeshtësinë, madhështinë, shtysën e tij revolucionare, të pasqyrojnë me vërtetësi dhe në zhvillimin e vet revolucionar realitetin dhe aktualitetin tonë.
Nëse për protagonistët e vegjël të romanit të Guacit, librat e ndaluar ushqenin kështu ëndrrat e demokracisë dhe atë harmoni mes librarisë dhe lirisë që poeti i njohur Visar Zhiti veçanërisht filtron, për Koço Bihikun, autor i një historie të letërsisë shqiptare të botuar në mes të regjimit, librit në fakt do i përkiste funksioni për të hapur flamurin e luftës e mbërthyer nga duart e forta të Partisë komuniste shqiptare, i cili, me kurajë të pazbutur dhe inteligjencë akute, diti jo vetëm të siguronte çlirimin e vendit nga pushtimi i huaj, realizuar më 29 nëntor 1944, por edhe t’i hapte vendit rrugën drejt socializmit si sistem politik dhe shoqëror më i përparuar.
“Të shkruash për partinë, për forcën e tij, për idenë e tij, për luftën e klasave, përsëritej në vazhdimësi në shkolla dhe gazeta” kujton Zhiti, i futur në burg sepse kishte shkruar vargje të gjykuar tejet hermetikë, që shpejt regjimi do t’i lexojë si indikatorë të revizionizmit borgjez, agjitacion dhe propagandë kundër shtetit socialist.
Kur ua dërgonim poezitë gazetave, revistave letrare për t’i botuar shpesh i dërgonin mbrapsht me postë me përgjigjen se bëhej fjalë për poezi intime, sentimentale, personale që nuk i shërbenin së mirës kolektive. Kështu të parat poezi të vogla që shkrova janë skica, karikatura, pasazhe të shkurtër në të cilat edhe unë isha induktuar ndaj festimit të flamurit kombëtar, të shkollës, të hekurudhave shqiptare që kishin sjellë në Durrës, progresin socialist. Pavarësisht kësaj që prej poezive të mia të para, kuptohej që nuk e kisha pranuar totalitarizmin, botën e gjeneralëve, të diktatorëve, të shokët dhe të çnjerëzimit. Edhe për këtë kërkoja t’i botoja. Më pas Plenumi, kaliti komisionet e leximit dhe të vlerësimit në të cilët redaktorë, funksionarë të shtetit, kontrollonin librat për përmbajtjen, për ideologjinë, për vlerën estetike. Çdo libër që dilte në Shqipëri përpara se të shkonte në librari i dërgohej Komitetit Qendror të Partisë. Ata kishin të drejtën përfundimtare të kontrollit përpara shpërndarjes si edhe për ta bllokuar shpërndarjen. Bëhej fjalë për një zyrë shumë okulte, që nëse kishte qëllim, kontrollonte deri në fund dhe gjente gjëra që nuk shkonin. Them një gjë tjetër që shërben për të kuptuar shtypjen kulturore në të cilën gjendeshim. Në burg kam njohur një profesor: profesorët, nëse nuk ishin vetë të infiltruar, gjithsesi kontrolloheshin nga Sigurimi, policia sekrete e shtetit. Më rrëfente sesi në shkolla kur caktonin një temë hartimi për të zhvilluar, jepnin dy pista: Një me karakter festiv, të përqendruar te forca, te gëzimi i popullit shqiptar, te festimet apo te vlera e kombit; një tjetër për shembull mbi revoltën intelektuale të mbështetur nga poeti ynë i madh Migjeni. Gjatë korrigjimit të hartimeve ndërhynin specialistët me detyrën specifike për të sinjalizuar nxënësit që shfaqnin një entuziazëm të vërtetë për ideologjinë komuniste dhe ata që, qysh të vegjël, shfaqnin mikrobe të sjelljeve revoltuese. Me pak fjalë bllokonin që në burim çdo prirje kritike, kështu nxënësit që kishin shfaqur një entuziazëm fillestar bënin karrierë ndërsa të tjerët u nënshtroheshin një kontrolli spiunazhi që zgjaste të gjithë jetën. Letërsia në Shqipëri përdorej për të bërë karrierë politike. Sot, ama, me letërsinë mund vetëm të humbasësh, nuk fiton asgjë! Shkrimtarët janë më të varfrit, kanë vështirësi për të mbijetuar, kanë pak kohë dhe para për të botuar. Këto kujtime evokojnë qartë tipare ambivalente të librit. Ambivalenca mbi të cilat perspektivat kritike-letrare, historike, filozofike, antropologjike ende pyesin veten, veçanërisht duke u nisur nga ftesa e madhe e Michel Foucault-së për të sjellë çdo test apo diskurs në qarqe specifike sociale, në funksionalitet të shkëmbimit, që vazhdon të jetë mjet i rëndësishëm i rishkrimit të së kaluarës, të kontrollit të së tashmes të adresimit të së ardhmes, me pak fjalë të ndërtimit politik të historisë si armë propagande ideologjike apo urë drejt çlirimit, si prodhues i tërësisë apo autorësisë, si instrument objektivizmi të realitetit apo arratisje prej tij. Libri në Shqipëri, qëndron më shumë se kurrë në lartësi: bosht i gjallë i një industrie të shpejtë intelektuale, letrare, botuese që sot ndërhyn mbi të gjitha mbi një pesëdhjetëvjeçar socialist ende për t’u rrëfyer, aty ku për brezat e rinj të shkrimtarëve kujtimet e përgjakshme bëhen rrugë kalimi të pashmangshme për skenat e modernitetit dhe suksesit.
(* Shkëputur nga libri i Mauro Geraci-t “Prometeu në Shqipëri. Kalime letrare dhe politike të një vendi ballkanik”. Botim i “Rubbettino”).
Letërsia shqiptare në Itali
Ja çfarë propozon për lexuesin italian të revistës Pen club Italia Oplus” studiuesi Geraci.
Një klub letrar, i cili mbron parimin e lirisë së qarkullimit të ideve mes të gjitha kombeve dhe çdo anëtar i tij ka detyrë t’i kundërvihet çdolloj shtrëngimi në lirinë e shprehjes së vendit të vet, të komunitetit të vet dhe në masat e së mundshmes të gjithë botës.
Visar Zhiti, Vizionari me krahë dhe gruaja e ndaluar (Il visionario alato e la donna proibita)
Rubbettino
Epopeja e shqiptarit Feliks që arratiset për të gjetur Barin, Napolin, Romën, Firencen, Venecian, Bolonjan, Triesten dhe qytetet e humbura të një Europe të ëndërruar me gruan Ema, të vrarë nga ish regjimi komunist për besimin e saj fetar. I plagosur si një shqiponjë, Feliks gjendet në Vienë në humnerën e Danubit.
Antonio Caiazza, Nata e humbësve (La notte dei vinti)
Nutrimenti
Duke nisur nga muajt e fundit të jetës së Beqir Ballukut, Ministri i Mbrojtjes, si të tjerë viktimë e megalomanisë së absolutizmit të Enver Hoxhës, romani synon të rindërtojë klimën klaustrofobike të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Një jetë e torturuar nga intrigat dhe pushteti, izolimi, logjika e dyshimit, denoncimet dhe spastrimet.
Euglent Plaku, Përtej kufirit (Oltre confine)
Bianca e Volta
Një djalë frekuenton shkollën kur në Shqipërinë e diktaturës komuniste nis të perceptohet ajri i ndryshimeve. Autori rrëfen kalimin e tij përtej kufirit, i ngjashëm me atë të jetuar nga shumë të tjerë që zbarkojnë në brigjet tona. Do të zbulojë mashtrime dhe egërsi që do të mohojnë idilin e tij mesdhetar