Intervistoi: Mirgen Çela
Një artist me shumë vite përvojë dhe shumë i njohur në fushën e muzikës. Nuk di të ndalet për të publikuar hite të reja në tregun muzikor. Devis Xherahu me një karrierë disavjeçare mes Shqipërisë dhe Greqisë preferohet nga publiku shqiptar i të gjithë brezave, ndër të tjera është pjesë e zërave më të kërkuar për koncerte. Dy javë më parë ka publikuar projektin e tij “Hajde më përqafo” i cili u prit mjaft mirë nga dëgjuesit. Në një rrëfim për MAPO Xherahu ka treguar se si e nisi pasionin ndaj muzikës, jo vetëm pasion i tij, por si një traditë familjare prej vitesh.
Si e nisi Devis Xherahu muzikën?
Muzika për mua ka dy arsye, e para tradita familjare që starton me gjyshin tim Vaske Xherahu, një nga këngëtarët kryesorë të korit të famshëm Lira, dhe e dyta qyteti im Korça, që është qyteti i serenatës, qyteti i muzikës.
Sa e vështirë ishte të depërtoje në tregun muzikor shqiptar?
Do ta quaj veten me fat sepse ka qenë viti 2008 dhe bileta ime e futjes në tregun e vendit tim, ishte dueti në greqisht-shqip, “Ma tha dhe papagalli” me këngëtarin e famshëm Lefteris Pantazis, një figurë shumë e dashur për shqiptarët.
Sa vlerësohet nga të tjerët muzika në Shqipëri? Sa e vlerësoni ju?
Me të tjerët nuk e di çfarë bëhet, por për mua në Shqipëri ka një krizë identiteti në muzikë, duke patur parasysh që kemi kompozitorë dhe autorë shumë të mirë këngësh.
Çfarë duhet të ndryshojë te muzika shqiptare?
Ajo që i duhet muzikës shqiptare është një reformë rrënjësore, pse jo duke rikthyer këngë të vjetra të riorkestruara për të kujtuar më mirë modelet dhe origjinën e këngës sonë shqiptare autentike.
Si është një ditë e Devisit?
Dita ime ka surpriza po dhe një program le të themi, si vrapi nga liqeni, në mungesë ndonjë ndeshje pingpong, kafe me miq, studio.
Si është të bashkëpunosh me të preferuarin e publikut Lefteris Pantazis?
Ishte fat për mua njohja me Lefteris, sidomos kur ai më thotë që të kam ndjekur nga ekrani tek emisioni që unë mora pjesë në vitin 2006, Fame Story në Athinë dhe më kujtove veten time kur erdha nga Rusia 10 vjeç dhe nuk kisha asnjë ndihmë. Unë do të të ndihmoj tha, dhe ashtu ndodhi.
Në cilën periudhë të vitit jeni më i angazhuar në koncerte?
Kuptohet stina e verës është më e ngarkuar sepse krahas koncerteve tona personale, shtohen dhe dasmat si angazhime dhe kjo na ngarkon më tepër në këtë periudhë.
A do të kishte një arsye për të hequr dorë nga muzika?
Nga muzika do hiqja dorë vetëm atëherë kur të largohem nga kjo botë.
Çfarë di të bëjë Devisi ndryshe? A keni një pasion tjetër përveç muzikës?
Aktrimi dhe fotografia janë dy pasionet e mia të hershme, ndaj dhe ne të gjitha klipet e mia preferoj të jem unë personazhi kryesor.
Çfarë nuk ke realizuar ende në jetë?
Ardhja në jetë e një fëmije është hapi im i ardhshëm dhe e them me bindje që do jem një super baba, sepse u rrita me shumë përkujdesje dhe dashuri nga prindërit e mi.
Sa ka ndikuar profesioni që keni në raport me familjen? A mendoni se i kushtoni kohën e duhur?
Kuptohet që profesioni ynë është i tillë që ne jemi gjithë kohës në lëvizje, por nuk dua të justifikohem me këtë përpara fjalës së shenjtë ‘familje’, sepse përkushtimi është dhe do jetë maksimal.
Nëse do të ktheheshe pas në kohë, çfarë do të ndryshoje?
Asgjë nuk do ndryshoja sepse kam bërë këto që kam bërë deri më sot, ndaj dhe jam ky që jam.
Cila është motoja juaj në jetë?
Puno shumë dhe dëfrehu shumë. Ky është motivi.
Cila është arritja juaj më e madhe?
Që jam ky që jam dhe nuk ndryshoj në asnjë rrethanë pozitive ose negative në jetë për asnjë dhe askënd.