Policia njofton se po kryen kontrolle të shumta që në gjuhën e saj herë quhen “krehje”, herë “kontrolle të befasishme” dhe që konkretisht iu korrespondojnë kontrolleve të shumta të lokaleve dhe banesave pa asnjë dallim nga njëri-tjetri, me qëllim gjetjen e armëve pa leje, lëndëve narkotike apo personave në kërkim. Kontrollet po zhvillohen në Fier dhe Shkodër, me pjesëmarrjen edhe të RENEA-s.
Fotot të shpërndara nëpër media të japin përshtypjen se ndodhemi në Afganistan. Të rinj me duart lart, mbështetur në mur, policë me armë të rënda e maska që sigurojnë ata që kontrollojnë. Sigurisht, në komunikimet policore, numri i lokaleve dhe banesave që janë kontrolluar nuk janë bërë prezent, gjë që nuk është aspak pozitive.
Ka dekada që policia e përdor këtë metodë pune aq sa ajo tani ka marrë trajtën e një normaliteti standard dhe askush nga institucionet e panumërta që mbrojnë të drejtat e njeriut, nuk pyet nëse veprimet policore në raste të tilla janë legjitime. As Avokati i Popullit nuk interesohet e të shohë nëse këto kontrolle masive të policisë kanë një bazë të qartë ligjore mbi të cilën zhvillohen apo janë kuturu në emër të rendit dhe paqes publike. Por kur sheh komunikatën policore që vendos në të njëjtën radhë kontrollet e shumta si në lokale dhe në banesa pa bërë asnjë dallim ndërmjet akteve ligjore që normojnë kontrollin në një hapësirë private dhe atyre që janë po ashtu private, por të hapura për publikun, siç janë lokalet, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me shkelje masive të të drejtave të njeriut.
Duke lënë për një moment mënjanë hapësirat publike apo edhe ato private të hapura për publikun të cilat kanë të njëjtin status, të shohim hapësirat më delikate, ato private. Të gjitha rastet kur policia kryen kontrolle në hapësira private në kuadrin e një vepre penale të shkaktuar nga një individ apo grup individësh, janë të saktësuara mirë në Kodin e Procedurës Penale dhe në raste të tilla shkeljet janë relativisht të kufizuara pasi edhe jurisprudenca është e pasur, po ashtu edhe faktori avokat luan rolin e tij. E gjithë kjo sepse jemi në kushtet e detyrave të policisë gjyqësore e cila vihet në veprim vetëm pas konstatimit të një vepre penale. Pra, kontrolli kryhet në bazë të një hetimi gjyqësor.
Por në rastin tonë konkret që po trajtojmë, nuk jemi në kushtet e një vepre penale të sapokryer, por sipas asaj që njofton policia, jemi në kuadrin e veprimeve policore për parandalimin e krimit. Të paktë sipas jurisprudencës së Këshillit të Europës, kontrolle të tilla policore quhen administrative.
Pyetja që bëhet është e thjeshtë: Cila është hapësira ligjore që i ka lejuar policisë mundësinë të kontrollojë një numër banesash në këto dy qytete, në kuadrin e parandalimit të krimit?
Duket qartë se nga mënyra se si zhvillohen kontrollet në hapësirat private në vendin tonë, jemi përballë një situate tërësisht absurde dhe kontradiktore të cilat flasin për një situatë të paeksploruar, por që rëndon me goxha peshë mbi të drejtat e njeriut.
Në një kohë që kontrollet të cilat ushtrohen nga policia në rastin e ndodhjes së një vepre penale janë të normuara qartë dhe të kontrolluara rreptësisht nga Prokuroria dhe Gjykata, në rastet e kontrolleve që kryhen për të parandaluar veprat penale, në bazë të një vendimi të hierarkisë së lartë policore, nuk janë nën të njëjtin kontroll nga pushteti i pavarur gjyqësor, as të normuara qartë ligjërisht.
Dhe për më tepër kur flitet për kuadrin e parandalimit, bëhet fjalë për kontrolle masive. Pra me atë që po ndodh, ligji i garanton të drejta më shumë autorit të dyshuar të një krimi sesa një individi i cili zyrtarisht nuk ka bërë asgjë, që nuk ndodhet përballë një akti formal akuze nga ana e autoriteteve gjyqësore, me fjalë të tjera një qytetar i lirë. Mbi cilën bazë ligjore kryhen kontrolle të tilla dhe për më tepër në numër jo të vogël?
Paqartësia e kontrolleve në raste parandalimi të kryera nga ana e policisë është e pranishme edhe në rastet kur ajo i kryen ato në ambiente publike apo private të hapura për publikun. Sipas jurisprudencës së Këshillit të Europës kontrolle të tilla nuk duhet të jenë masive aq sa të krijojnë diskriminim. Kur përfshijnë numër të madh hapësirash, kontrollet parandaluese duhet të jenë të autorizuara nga një Prokuror i cili përcakton oraret se kur do të kryhen dhe kohëzgjatjen.
Atëherë del pyetja tjetër. Nuk mund të kryejë policia kontrolle parandaluese pa pasur nevojë për leje nga organi i Prokurorisë?
Po. Gjithmonë sipas jurisprudencës së Këshillit të Europës, kontrolle të tilla mund të kryhen në ato zona të quajtura “kriminogjene”, pra të rrezikshme ku ndodhin shumë krime, siç mund të jenë lagjet e vështira ku ndodhin p.sh. shumë vjedhje xhepash, shpërndarje narkotikësh apo zona të frekuentuara shumë nga turistë që mund të viktimizohen. Pra, në zona publike ose të hapura për publikun.
Në këto kushte, duke ditur se në vendin tonë, aktualisht nuk ka asnjë jurisprudencë për këtë fushë, gjithë këto OJF së bashku me Avokatin e Popullit nuk mund të marrin tërë aktet mbi të cilat mbështet ky operacion, si dhe raportimet e bëra gjatë kontrolleve nga ana e autoriteteve vendore të policisë, dhe t’i dërgojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar ligjshmërinë e tyre siç bëri një gjyqtar, mjaft i respektuar për këtë akt, lidhur me të drejtën e manifestimeve ku Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 262 të Kodit Penal lidhur me lejen që organizatorët e një manifestimi duhet të marrin në polici, akt ky që do të na heqë si shoqëri njollën e “burgosjes për grumbullim të paligjshëm”.