Aktualitet

Dhe standardet e medias rrinë e vështrojnë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 02:03 - 18/06/21 |
Sokol Shameti

Hasëm dje në një artikull-opinion të publikuar nga gazeta MAPO me titull Dhe Avokati i Popullit rri e vështron nga Pëllumb Nako, një person i panjohur prej rrethit të opinionistëve vendas e që gjithashtu nuk figuron as në amzat shumëvjeçare të edukimit profesional të gazetarisë.






Mjerisht, pavarësisht prej titullit tërheqës të artikullit, një huazim nga romani mbi kushtet e punës së proletariatit anglez midis dy luftërave prej shkrimtarit Arçibald Kronin “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, çka u kuptua më pas gjatë leximit, ishte se autori i artikullit në fjalë, me siguri i njeh librit që e ka frymëzuar, vetëm titullin.


Në artikullin “Dhe Avokati i Popullit rri e vështron”, ku sipas logjikës së titullit do të duhej të përshkruhej gjendja e mjerueshme e klasës punëtore shqiptare dhe indiferenca kozmike e një institucioni që nuk ka lidhje me normimin dhe mirëmbajtjen e gjendjes së klasës punëtore – çka do mjaftonte tashmë për ta shndërruar në një subjekt komik për një artikull – në artikull pra, në fakt gjendej një marrëzi tejkaluese ndaj kësaj që na sugjeronte imagjinata.







Ankesa e autorit atje përqendrohej tek aksionet e kontrollit të policisë, të cilat autori vërtet pranonte se janë praktikë ligjore, por shqetësimi i tij kishte të bënte me shpeshtësinë e tyre. Pra në artikull nuk problematizohej fakti që policia e shtetit kryente kontrolle, por vetëm zelli e dendësia disi mbi normën e këtyre kontrolleve në subjekte publike e private. Mes rreshtash, autori i shqetësuar prej ritmit të kontrolleve, ngrinte edhe pyetjen rrëqethëse me nota të thekshme zhgënjimi: “Çfarë bën Avokati i Popullit”? Sipas autorit pra, Avokati i Popullit është një lloj instance supreme, e banuar nga krijesa me aftësi ndërhyrëse të gjithanshme e të pakufizuara.



Është bërë rrugë tashmë, që individë pa njohuritë e dijen e duhur mbi rolin dhe kompetencat e institucioneve, të rrokin penën dhe krejt të pavetëdijshëm për limitet e veta, të ndërmarrin fushata ndëshkimore përlyerje në shtyp ndaj institucioneve që ata nuk i njohin, e mes tyre, edhe Avokatit të Popullit.



Vjen një letër në redaksi nga një kryeplak i ngecur në degën e një mani diku në Malësi? “Ku është Avokati i Popullit”. Del dhallë nga një bidon i blerë me synimin e qartë të kënaqte një qejfli rakie? “Pse s’reagon Avokati i Popullit”? Një rrobaqepëse në pension zbulon aksidentalisht Facebook-un dhe magjinë e të shtypurit shkronja shqip? “Ku fshihet Avokati i Popullit”. Të ngjashme më shumë me pasthirrma dëshirore sesa me kërkesa për ndërhyrje, këto thirrje drejt institucionit më të kollajshëm për t’u thirrur mbase për shkak edhe të pranisë së fjalës “popull” në emërtesën e tij, duket sikur tërë kohën rreken të zbulojnë një komplot.

“A ka Avokat Populli në këtë vend? Pse hesht Avokati i Popullit kur jeta rrjedh si zakonisht, apo është vegël e Sorosit, alienëve, laboratorit të Vuhanit dhe protokollit sionist”? “Çfarë bën Avokati i Popullit kur unë shkoj në gjyq për punë të miat? A s’jam unë ‘popull’? Pse s’del në shesh të burrave të luftojë ay si Avokat, që unë të fitoj davanë”?

Po jo vetëm kaq, mbi çdo padrejtësi që i kap syri njeriut, pritet që të jetë nga një Avokat personal Populli që vigjëlon e ndëshkon ashpër si Demokle antik i armatosur me shpata të pakuptueshme ligjore e kushtetuese.

Gjithsesi, orekse të tilla të painformuara e dilema të tilla ekzistenciale kanë ekzistuar e do të ekzistojnë sa kohë do të ekzistojë larmia në nivelin edukativ të njerëzve. Mirëpo përtej argëtimit, që kjo marrëzi të mos shndërrohet në normë dominuese e të mos stabilizohet si realitet i pashmangshëm, ka njerëz me detyra të qarta seleksionimi, filtrimi e distilimi, për të ndaluar që kjo të mos ndodhë. E sigurisht, ata nuk janë “Avokati i Popullit”.

LEXO EDHE: 

Dhe Avokati i Popullit rri e vështron

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas