U promovua dje libri i regjisorit Dhimitër Anagnosti“Koburja nga Evropa”. Me këtë roman të parë, regjisori ka bërë edhe debutimin e tij në letërsi. Ndonëse subjekti zhvillohet në atmosferën e turbullt të Shqipërisë së viteve ’20 të shekullit të kaluar, trazuar nga luftërat ballkanike dhe prania e ushtrive të huaja, në thelb“Koburja nga Evropa” është një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të mosrealizuar, e cila, me burrin që jeton prej vitesh në kurbet, një ditë përfundon në krahët e një ushtari italian që shërben në Himarë.
Një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të mosrealizuar. Kjo është tema qendrore, mbi të cilin regjisori Dhimitër Anagnosti ka ngritur subjektin e një historie në atmosferën e turbullt të Shqipërisë së viteve ’20 të shekullit të kaluar.
Por trazirat nga luftërat ballkanike dhe prania e ushtrive të huaja nuk vijnë në ekranin e madh të kinemasë, por në një libër.
“Koburja nga Evropa” është romani me të cilin regjisori i njohur ka bërë debutimin në botën e letrave, në moshën 79-vjeçare. Libri i botuar nga Shtëpia Botuese “Naimi” u promovua ditën e djeshme pranë Muzeut Historik, në ambientet e bar-restorant “Piazza”.
Për vlerat e këtij romani folën studiues si Floresha Dado, Nasho Jorgaqi e Shaban Sinani, duke e cilësuar si një vepër të denjë për letërsinë shqiptare.
“Dhimitër Anagnosti shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit, ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë. Qasjet frojdiane mund t’i japin shpjegim dialogut të brendshëm, të çoroditur, marrëdhënieve të dhimbshme me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë”, – shkruan në pasthënien e librit Floresha Dado.
Jeta e një gruaje të izoluar në atmosferën e turbullt të Shqipërisë së viteve ’20 të shekullit të kaluar, trazuar nga luftërat ballkanike dhe prania e ushtrive të huaja, e cila, me burrin që jeton prej vitesh në kurbet, një ditë përfundon në krahët e një ushtari italian që shërben në Himarë.
Pikërisht pas kësaj ngjarjeje, e cila deri në këtë moment shtjellohet si një tërmet i padukshëm në thellësi të detit Jon, vjen rrëmeti dhe tragjedia, ku vorbulla e gjykimeve dhe paragjykimeve do të përfshijë familjet nën krushqi, fshatin, për të shkuar pastaj si kumt i korkolepsur deri në qytetin evropian të Lionit (Francë), ku punojnë e robtohen burri dhe vëllai i kësaj gruaje fatkeqe, të dy miq dhe shokë të ngushtë. Dhe “nyjën” do e marrë përsipër ta zgjidhë jo burri i gruas, por vëllai i motrës. Ai, edhe pse e ka njohur modelin evropian të sjelljes dhe bashkëjetesës, edhe pse e ka shkelur edhe vetë tabunë e nderit dhe besnikërisë, do ta ndëshkojë motrën në stilin tradicional shqiptar.
Krahas rrëfimit të drejtpërdrejtë, vijnë edhe notat e një lirizmi poetik si jehonë e lirikës popullore mbi bukurinë e femrës.
“Romani ‘Koburja nga Evropa’ mund të ngjallë një lloj diskutimi lidhur me boshtin kuptimor të tij: a është ai një roman për dramën që solli kurbeti në jetën e shqiptarëve, dje, apo dhe sot? Apo filozofia është më e thellë, lidhur me pushtetin e instinktit mbi vetëdijen e njeriut, në situata specifike? Lexuesi është i lirë ta përjetojë si t’i vijë. Letërsia e vërtetë, që nuk e ka vlerën thjesht tek volumi, por te filozofia që përcjell në mënyrë metaforike, ka aftësinë ta fusë atë në kurth. Sido që ta përjetojë, lexuesi ka të drejtë. Shkrimtari e hap veprën pikërisht për ta futur atë në kurthin e vet. Ky është emocioni i vërtetë artistik, që Dhimitër Anagnosti e sjell befasishëm në prozën e sotme”, – është e mendimit Dado.
Meritë e autorit të romanit është se kjo “përrallë nga e kaluara” përjetohet, ashtu si edhe filmi i famshëm i Anagnostit, si gjetje artistike e gjithëkohshme. Konvencionet si “tjetri”, “i huaji”, “pushtuesi”, “lufta” nuk shërbejnë tek autori për të mbetur në trajtimet skematike, por theksojnë dhe nxjerrin në evidencë akoma më tepër brishtësinë e qenies njerëzore që mund të thyhet për arsye më të thella që lidhen me dilemat dhe motivet bazë jetësore dhe jo me faktorë të jashtëm.
Pasionin për shkrimin, Anagnosti e ka treguar në shkrimin e disa skenarëve të filmave të tij. “Përrallë nga e kaluara” një prej filmave të njohur nën regjinë e tij, është shkruar nga vetë Anagnosti në vitin 1987, bazuar në novelën me të njëjtin titull nga Andon Zako Çajupi. Filmi “Plagë të vjetra” është me skenar të tij, i shkruar në vitin 1968. Filmi “Monumenti” i realizuar në vitin 1977 është po me skenar të tij. Në karrierën e tij si regjisor po të shohësh me kujdes filmat që mbajnë firmën e tij, në një pjesë të mirë të tyre Anagnosti shfaqet edhe si skenarist. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Pas lëvrimit të kësaj forme të shkruari, tashmë regjisori vjen për lexuesin me një libër që duhet të jetë i menduar mirë.
Koburja nga Evropa
Autor: Dhimitër Anagnosti
Gjinia: Roman
Redaktor: Naim Zoto
Botues: “Naimi”
Çmimi: 500 lekë