Më 7 shtator 1533, Henri VIII po përgatitej të njoftonte lindjen e trashëgimtarit të tij. Kur themi trashëgimtar nënkuptojmë një djalë. Por për “fatin e tij të keq”, ai së bashku me bashkëshorten Anne Boleyn u bekuan me një vajzë, Elizabeth, jeta e së cilës ndryshoi rrënjësisht, kur babai i saj ekzekutoi nënën në 19 maj të vitit 1536.
Duke jetuar në një botë të diktuar nga tekat e babait të saj, Elizabeth I nuk mund të ishte kurrë mjaftueshëm e sigurt për pozicionin apo jetën e saj. Por pavarësisht gjithë kësaj, ajo u bë e njohur si një nga sundimtarët më të mëdhenj të Anglisë, me një trashëgimi që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Më poshtë, 10 fakte rreth Elizabeth I
1. Ajo fliste shumë gjuhë
Krahas kaligrafisë dhe muzikës, ajo mësoi edhe shumë gjuhë të huaja. Fliste rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, latinisht dhe italisht. Ishte gruaja e fundit e Henrit, Catherine Parr, ajo e cila u interesua për arsimimin e Elizabeth. Nën kujdesin e Katerinës, Elizabeth mësoi artin e të folurit në publik, diçka që ishte shumë e pazakontë për gratë në atë kohë. Ajo shkëlqeu në këtë fushë dhe u bë e njohur për fjalimet e saj magjepsëse dhe frymëzuese.
2. Për pak sa nuk u ekzekutua nga gjysmë motra e saj
Pas vdekjes së papritur të vëllait të vogël të Elizabeth, Edëard VI, në vitin 1553, askush nuk ishte plotësisht i sigurt se kush do ta pasonte atë. Si Elizabeth ashtu edhe motra e saj më e madhe, Maria kishin përkrahës të cilët pretendonin se njëra apo tjetra ishte e duhura për fronin. Pasi Maria, u ngjit në fron në korrik të vitit 1553, protestantët u rebeluan vazhdimisht. Në vitin 1554, Maria e burgosi Elizabetën për dy muaj pas Rebelimit të Wyatt, i cili kërkoi të rrëzonte mbretëreshën. Elizabeth i shpëtoi ekzekutimit duke e siguruar Marinë se, ajo nuk dinte asgjë për rebelimin. Maria e mbajti motrën e saj nën arrest shtëpiak për gati një vit.
3. Ajo përkrahte artet
Një faktor kryesor që mbretërimi i Elizabeth I u bë i njohur si “Epoka e Artë” e Anglisë ishin veprat kryesore artistike të prodhuara në atë kohë. Elizabeth pëlqente muzikën dhe teatrin dhe në vitin 1583 krijoi “Queen Elizabeth’s Men” një trupë mbretërore që vazhdoi të argëtonte shpesh oborrin e saj. Bëhej fjalë për dramaturgët William Shakespeare dhe Christopher Marlowe, po ashtu edhe kompozitorët Thomas Tallis dhe William Byrd.
4. Shqetësohej për imazhin e saj publik
Gjatë mbretërimit të saj, Elizabeth bëri disa gjëra ndryshe të njëpasnjëshme, në mënyrë që të bëhej e dashur për njerëzit e saj. Ajo refuzoi të hipte në një karrocë dhe në vend të kësaj, hipte mbi kalë.
5. Ekzekutoi kushërirën e saj
Katolikët romako-anglezë donin një monark katolik në fron dhe pati shumë kryengritje gjatë mbretërimit të Elizabeth. Ata ishin vazhdimisht në përpjekje për ta kthyer sërish vendin në besimin katolik. Kur të gjithë filluan të mbështesnin Maryn, kushërirën e saj që ishte e besimit katolik, Elizabeth veproi menjëherë duke e burgosur atë. Pasi e mbajti të burgosur për 19 vjet, Elizabeth e ekzekutoi kushërirën e saj në Kështjellën Fotheringhay më 8 shkurt të vitit 1587.
6. Frymëzoi njerëzit e saj për të mposhtur një nga fuqitë më të mëdha detare të kohës
Elizabeth mbajti një fjalim emocionues në Tilbury në vitin 1588, pikërisht përpara se njerëzit e saj të niseshin për të mposhtur marinën spanjolle.
“Unë e di që kam trupin e një gruaje të dobët dhe jam e dobët, por kam zemrën dhe stomakun e një mbreti, mbretit të Anglisë. Përbuz faktin që… çdo princ i Evropës mund të guxojë të pushtojë kufijtë e mi… Unë vetë do të jem gjenerali, gjykatësi dhe shpërblyesi juaj për çdo virtyt tuajin në fushëbetejë.”
Pas këtij fjalimi, njerëzit e saj shkatërruan gjysmën e marinës spanjolle.
7. Ajo ndihmoi në zhvillimin e Kishës së Anglisë
Pas ndarjes së Henry VIII nga Kisha Katolike Romake, Elizabeth u rrit si protestante dhe vazhdoi të sundonte gjithashtu si një mbretëreshë protestante. Njëkohësisht duke shërbyer si Guvernator Suprem i Kishës së Anglisë. Gjatë mbretërimit të saj, ajo prezantoi “Libri i ri i Lutjeve të Përbashkëta” dhe botoi një përkthim në anglisht të Biblës.
8. Sfidoi parlamentin dhe nuk u martua kurrë
Elizabeth I njihet si “Mbretëresha e Virgjër”. Megjithatë, në vitin 1566, parlamenti u përpoq ta detyronte atë të martohej. Elizabeta refuzoi, duke deklaruar se ishte martuar me vendin e saj dhe nuk kishte ndërmend të martohej me një burrë në të ardhmen. Mbretëresha e mbajti fjalën e saj dhe nuk u martua kurrë, megjithëse thashethemet qarkulluan për një lidhje midis Elizabeth dhe Robert Dudley, Kontit të Leicester.
9. Sir Walter Raleigh i vuri emrin e saj kolonisë amerikane
Gjatë mbretërimit të Elizabeth, kombet evropiane dërguan eksplorues përtej Oqeanit Atlantik në kërkim të tokës dhe pasurive. Në vitin 1585, Sir Walter Raleigh arriti në brigjet e Amerikës së Veriut dhe kolonisë ia vuri emrin “Virginia” në nder të “Mbretëreshës së Virgjër”.
10. Ajo ishte monarkja e fundit Tudor
Problemet e trashëgimisë rrënuan pothuajse çdo monark të dinastisë “Tudor”. Duke zgjedhur të mbetet e pamartuar, Elizabeth nuk kishte fëmijë që ta pasonin. Pas vdekjes së saj në 1603, ajo u pasua nga James VI i Skocisë, djali i kushërirës së saj të ekzekutuar Maryt, i cili më pas ngriti dinastinë “Stuart”. /Liberale.al