Mapo Letrare

Dhjetë ide madhështore nga libri “Pengesa është rrugëdalja”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:59 - 21/04/20 |
mapo.al

Një reflektim rreth librit “Pengesa është rrugëdalja” të Ryan Holiday, përkthyer nga autori i shkrimit dhe botuar nga Minerva


Blendi Lami – Pengesa është rrugëdalja”, një libër i publikuar nga shtëpia botuese “Minerva”, ka të bëjë me shndërrimin e pengesave në triumfe, duke ndërmarrë veprime që na krijojnë mundësinë të përparojmë më tej në jetën tonë. E thënë kaq thjesht, duket sikur jeta e njeriut mund të ndryshojë në një sekondë. Nuk është kështu. Jeta është proces. Leximi i këtij libri është pjesë e këtij procesi. Ky libër është pra, një instrument më tepër në rrugën tonë drejt përballimit të situatave të vështira dhe, – më tej, – drejt suksesit.


Libri fokusohet tek momente të caktuara të jetës, atëherë kur duhet të marrim vendime kritike: Të ecim përpara apo të prapsemi? Me fjalë të tjera: A jemi në gjendje ta kapërcejmë pengesën që kemi përpara? Këtë pyetje mund ta shtrojë çdo person, çdo ditë të jetës së tij. Madje, ky person mund të tallet kur shikon një titull të tillë libri. Ekziston një tendencë për t’i parë gjëra në mënyrë sipërfaqësore. Për fat të keq! Prandaj, edhe autori Ryan Holiday shkruan libra të tillë; që njerëzit të gjejnë një këndvështrim tjetër për të kuptuar botën; që njerëzit të zotërojnë një instrument më tepër që i ndihmon në kapërcimin e vështirësive.


Çfarë është vështirësia? Një ndërtim abstrakt që i japim vlerë në bazë të ca gjykimeve që kemi formuar ndër vite. Po sikur t’i kurojmë këto gjykime? A do ta shohim sërish vështirësinë nga e njëjta perspektivë? Autorit të këtij libri i vjen në ndihmë stoicizmi. Çfarë  predikonin stoikët? Të pranoni situatën ashtu siç është në të vërtetë, në mënyrë që të mos e lini veten të pushtoheni dhe kontrolloheni nga dëshira për kënaqësi ose frika e dhimbjes, të tentoni ta kuptoni botën dhe të luani pjesën tuaj në planin e natyrës, si dhe të trajtoni të tjerët me drejtësi dhe ndershmëri.


Pra, një aspekt themelor i stoicizmit është edhe përmirësimi i mirëqenies etike dhe morale të individit. Kjo fjali ilustrohet në thënien e Bertrand Rassell-it: “Virtyti konsiston në një vullnet që është në harmoni me natyrën”. Mësimet e Epiktetit, Markus Aurelit dhe Senekës u përvetësuan nga shumë figura të shquara, historitë e të cilëve pasqyrohen në këtë libër. Këta njerëz jo vetëm që  kanë kapërcyer vështirësitë e tyre personale, por edhe kanë ndryshuar botën. Ndër personazhet e shquara që janë trajtuar në libër përmendim: Ulisis S. Grant, Tomas Edison, Margaret Theçër, Duajt D. Ajzenhauër. Teodor Ruzvelt, Stiv Xhobs apo Barak Obama.

Është e rëndësishme që njerëzit të mësojnë elemente të stoicizmit kur ndjehen sikur janë të mbërthyer në jetën dhe karrierën e tyre dhe nuk arrijnë të ecin përpara. Gjendemi shpesh në të ashtuquajturit “kurthe” dhe duam të dalim prej tyre, t’i lëmë pas. Në të vërtetë, këto “kurthe” mund të jenë mundësi për të kuptuar më mirë botën dhe për të përfituar prej tyre. Ky është thelbi i këtij libri.

Autori Ryan Holiday

Libri ka një strukturë shumë interesante. Është i ndarë në tre pjesë:

  1. Perceptimi: Mënyra se si i përcaktojmë problemet, qëndrimet dhe qasjet tona.
  2. Veprimi: Energjia dhe kreativiteti që adoptojmë për të transformuar një problem në mundësi
  3. Vullneti: Mënyra se si kultivojmë dhe forcojmë vullnetin e brendshëm që na mundëson përballjen me çdo vështirësi në jetë.

Një aspekt tjetër i libri është procesi për të menaxhuar situatat e vështira, të cilat i kemi përjetuar në jetën tonë personale dhe profesionale.  Për këtë gjë, autori jep ca këshilla në formë recete:

  • Përgatiteni veten për kohë të vështira
  • Pranoni se nuk keni mundësi të ndryshoni
  • Menaxhoni pritshmëritë tuaja
  • Mësoni të familjarizoheni me fatin tuaj dhe me atë që ju pret
  • Përkushtojuni një kauze të madhe
  • Kujtojini vetes vdekshmërinë tuaj

Dhjetë ide madhështore nga libri “Pengesa është rrugëdalja”

  1. Personalitete të shquara gjejnë një mënyrë për t’i shndërruar pikat e dobëta në pika të forta. Pra, duhet të shfrytëzojmë kapacitetet tona – sado modeste qofshin – për të bërë përpara.
  2. Energjia jonë duhet të përqendrohet në zgjidhjen e problemeve, jo në reagimin ndaj tyre.
  3. Kur përballemi me një problem, duhet ta analizojmë atë nga këndvështrime të ndryshme, me qëllim që ta kuptojmë sa më mirë dhe të krijojmë një perspektivë për të.
  4. Perspektiva jonë nuk funksionon gjithmonë. Shpesh, kemi nevojë për shtysa apo stimuj. Këto ndryshime të vogla mund të transformojnë dobësinë në forcë.
  5. Shpesh nuk jemi në gjendje të kontrollojmë rregullat e lojës, por mund të kontrollojmë emocionet, gjykimet, kreativitetin, qëndrimet, perspektivat, dëshirat dhe vendosmërinë tonë. Në këtë mënyrë, arrijmë të kapërcejmë shumë vështirësi.
  6. Kur përballemi me një pengesë, duhet ta shqyrtojmë atë me objektivitet dhe nga çdo perspektivë, si dhe të gjejmë një mënyrë për ta kapërcyer.
  7. Nuk duhet të lejojmë dështimin të na bllokojë rrugën. Çdo pengesë kalohet. Nevojitet vetëm vendosmëri.
  8. Kur mësojmë nga gabimet, dështimet shndërrohen në leksione.
  9. Udhëtimi për në destinacionin tonë është më i rëndësishëm sesa vetë destinacioni. Prandaj, duhet të ndjekim procesin dhe jo shpërblimin.
  10. Fati nuk duhet të jetë fatalitet. Mund të jetë – po aq lehtësisht – aset ose liri.

Librin “Pengesa është rrugëdalja” nga Ryan Holiday e gjeni tek Bukinist.al, tek LINKU:

Shkruaj tek: [email protected], ose telefono: 044508282

TË DHËNAT RRETH LIBRIT

TITULLI: Pengesa është rrugëdalja

AUTORI: Ryan Holiday

PËRKTHYESI: Blendi Lami

BOTUESIMinerva

FAQET: 240

ISBN:        9789928265135

VITI I BOTIMIT: 2019



CLOSE
CLOSE
Pas