Aktualitet

Dhjetor 1990, ditët e mëdha të lëvizjes “studentore”





               Publikuar në : 12:14 - 12/12/19 |
mapo.al

Nga Preç Zogaj*


Në qytetin “Studenti” bota kishte ndryshuar. Në sheshin kryesor midis konvikteve, që dy muaj me vonë do të merrte emrin “Demokracia”, ishin mbledhur dy-tre mijë studentë. Rrinin në këmbë, duke folur me njëri-tjetrin, duke bërë shakara, duke kënduar ndonjë strofë kënge, duke vështruar nga rruga. Brohorisnin “Liri-demokraci” sa herë shfaqej ndonjë fytyrë e njohur nga Tirana.



Zhvendosja e tyre përkoi në kohë me shpërthimin e dhunës kundër studentëve protestues pranë Liceut Artistik. “Bëtë një ndërhyrje barbare”, u tha Berisha drejtuesve të pranishëm të policisë. “Do t’ju denoncoj, do të njoftoj gjithë botën për aktin tuaj barbar sepse këta nuk po bënin gjë, përveçse hidhnin parulla”. Ora po shkonte drejt trembëdhjetës. Pasdite, rreth orës 16.00, Berisha dhe Mustafaj u ngjiten në qytetin “Studenti”, që po merrte pamjen e një kampingu luftarak me grumbullime, ecejake, diskutime dhe debate të ethshme studentësh. Azemi i njohu dy bashkëqytetarët e tij tropojanë me një listë të parë të kërkesave studentore. Kërkesa për pluralizëm politik fekste diku mes kërkesave të tjera të rëndësishme e të parëndësishme. “Mbani vetëm ketë”, i sugjeroi Berisha studentit me xhakavento të zezë, duke treguar me gisht pikën e pluralizmit politik.


Prej aty, Berisha dhe Mustafaj u kthyen në Komitetin e Partisë së Tiranës për të përmbushur një porosi të AzemHajdarit dhe shokëve të tij studentë: të interesoheshin për shokët e tyre të plagosur apo të arrestuar. Ky është momenti kur Sali Berisha, si të thuash, futet në mes, në rolin e lajmësit, të dërguarit dhe ndërmjetësit të dyfishtë të studentëve pranë Partisë dhe të Partisë pranë studentëve. Kishte marrë përsipër të transmetonte një porosi të studentëve në Komitetin e Partisë së Tiranës, tani nuk mund të shmangte apo refuzonte të njëjtin rol në kahun e kundërt. Ramiz Alia kishte të dërguarit e tij zyrtarë që pranoheshin nga studentët, siç ishin ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi apo Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, Lisen Bashkurti. Por i duhej dikush që kishte statusin e një intelektuali kritik, dikush që mund të amortizonte dhe zbuste zemërimin e studentëve pas drurit që kishin ngrënë, dikush që mund ta shfajësonte para tyre dhe ta çlironte nga akuzat për pabesi që po i bëheshin në qytetin “Studenti”. I duhej, pse jo, një njeri i njohur në atë pol të ri force që po lindte dhe kjo ishte e natyrshme. Dhe më të mirë se kardiologun Sali Berisha vështirë se mund të gjente. Ky njihej gjerësisht në Shqipëri si njeriu që kishte kërkuar më shumë liri për bashkatdhetarët dhe vendin e tij gjatë atij viti.

Të gjitha organizatat e masave e kishin propozuar si kandidatin e tyre për deputet në Kuvendin Popullor në kuadrin e reformës ramiziste të shndërrimit të këtyre levave në subjekte elektorale konkurrente me Partinë e Punës. Ishte anëtar korrekt i kësaj partie, gëzonte besimin e udhëheqjes së lartë, por njihej edhe si një kontestator i frymës së vjetër, çfarë e bënte shumë të pranueshëm në çdo mjedis ku zienin pakënaqësitë, kritikat apo kundërshtimet ndaj qeverisë, partisë, regjimit. Në orët e fundit të numërimit mbrapsht të regjimit dyzetegjashtëvjeçar, Alia u takua dy herë me Berishën në vilën e tij në bllokun e udhëheqësve komunistë. Herën e parë mbrëmjen e datën 9 dhjetor, kur studentët kishin dështuar të transferonin grupe-grupe protestën e tyre në sheshin “Skënderbej”, në një sfidë kryeneçësie, për t’iu dalë prapa krahëve e për t’u tallur me policinë që mbante në rrethim qytetin “Studenti”.

Takimi, sipas shpjegimeve të mëvonshme të dy protagonistëve dhe të Besnik Mustafajt, që e kishte shoqëruar Berishën deri afër vilës së Presidentit, nuk zgjati me shumë se pesëmbëdhjetë minuta. Alia do të pohonte gjatë një interviste për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në vitin 2005 se në këtë takim i kishte kërkuar Berishës t’u transmetonte studentëve nga ana e tij se ai nuk kishte shkuar t’i takonte në orën pesë pasdite sepse ata nuk e mbajtën fjalën në mëngjes, nuk shkuan në mësim. Por “unë jam gati të vete prapë nesër tek ata, nuk heq dorë nga takimi dhe biseda me ta”, kishte shtuar Alia.

Berisha nga ana e tij do të rrëfente në të njëjtin emision se në krye të herës i kishte shprehur presidentit disensin e tij për rrahjen e studentëve një natë më parë. “Nuk e rreh kush dërgatën në botë, as në kanun,as në ligj, asnjëherë. Kanë ardhur dhe keni nxjerrë njerëz për t’i rrahur”. Presidenti ishte mbrojtur duke përmendur episodin e famshëm të vjedhjes së revoles. Së fundi, Berisha kishte marrë përsipër t’ua përcillte studentëve kërkesën e tij: “Do t’u këshilloj të vendosin dialogun, ta zgjidhin me dialog, por është e rëndësishme që kërkesat e tyre të merren seriozisht”.

Takimi i dytë, sipas Alisë, u zhvillua po atë natë pas orës njëzet e katër. “Nuk di çfarë u ka thënë studentëve, nuk jam fare në dijeni për ketë. Erdhi, më tha se me ata s’merresh vesh. Më tha natën e mirë. I thashë natën e mirë. Kaq”. Sipas Blendi Fevziut, Alia gabon në kohë ose e afron qëllimisht takimin e dytë. Sipas Fevziut, Berisha nuk u kthye fare atë natë te RamizAlia, por shkoi dhe e takoi vetëm të nesërmen në mëngjes në orën 10.00. Ishte me shumë një takim korrektësie, sa për t’i thënë tjetrit se e kishte bërë atë që i ishte kërkuar. Por “me ata s’merresh vesh”. Pra “me ty nuk merren vesh”.

Në intervistën e sipërcituar, duke dashur të japë një shpjegim apo një justifikim nga distanca e viteve pse kishte zgjedhur Berishën për atë rol ndërmjetësi apo mesazheri, Alia i mëshon faktit se Berisha ishte profesor dhe tropojan, duke e paditur në njëfarë mënyre vetën e tij për mendjelehtësi, çfarë nuk besohet se ka qenë. Fakulteti i mjekësisë, i veçuar nga qyteti “Studenti”, ishte ndër të paktët, në mos i vetmi fakultet i Universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës që nuk ishte përfshirë në rebelimin studentor.

Ndërsa po të ishte çështja për të kontrolluar AzemHajdarin, tropojanin e vetëm në përfaqësinë e parë studentore, kishte plot profesorë të fakultetit të Filozofisë që kishin ndikim mbi të, pa llogaritur këtu vëllezërit e tij komunistë. Edhe Berisha, nga distanca e dy dekadave thuajse, do ta shihte të nevojshme të shpjegonte mënyrën si u thirr nga Ramiz Alia përmes Xhelil Gjonit, kryepartiakut të Tiranës, që njihej si dorë e fortë e Partisë. Xhelili i gjeti Berishën dhe Besnik Mustafajn Komitetin e Partisë së Tiranës ku kishin shkuar për të çuar në vend porosinë e AzemHajdarit. Xhelili shfrytëzoi rastin, ngriti telefonin dhe u lidh me RamizAlinë. “Ka persona këtu që vijnë nga qyteti ‘Studenti’”, i tha.

Ky lloj komunikimi linte përshtypjen se ishin në terr informativ si parti sa u takon zhvillimeve në vatrën e rebelimit. Alia kërkoi të fliste me telefon me njërin prej personave në fjalë. Xhelili i nxori Berishën. Ata folën shkurt. “A e takon RamizAlinë”? e pyeti Xhelili Berishën pasi ky uli telefonin. Ishte një pyetje pa kuptim, sa kohë që Berisha ishte anëtar i PPSH-së dhe po takonte ndërkohë zyrtarë dhe partiakë të një rangu më të ulët se rangu i Sekretarit të Parë. “E takoj”, u përgjigj tjetri dhe këtu morën jetë dy takimet e lartpërmendura. Nuk ishte i vetmi dhe s’mund të ishte i vetmi që kishte lajme nga shtabi studentor i protestës. Atje, që prej mëngjesi, s’kishin reshtur vizitat e profesorëve të universitetit dhe mjaft intelektualëve të tjerë, të dërguar nga partia apo në kokë të tyre.

Lart në kodër ishin ngjitur edhe shumë zyrtarë të tjerë të Komitetit Qendror të Partisë dhe Rinisë, që kishin hapur sytë e mprehur veshët në gjithë perimetrin e qytezës studentore, që mbanin shënime e nxirrnin përfundime të shkollës së tyre të vjetër për interferim të dukshëm, madje brutal të elementit armik antiparti në radhët e studentëve, pa e marrë vesh se po asistonin në një përmbysje që as e kuptonin, as e ndalonin dot. Gjithë ky batalion instruktorësh e vëzhguesish punonte për Partinë, për Ramizin, për Xhelilin. Dhe profesorët e dërguar, madje edhe të padërguarit, për Partinë punonin, për Ramizin, për Xhelilin.

Këta të dy, normalisht, dinin gjithçka për zhvillimet në vatrën e rebelimit dhe takimi i Alisë me Berishën, siç del nga çfarë kanë rrëfyer dy protagonistët, nuk ishte informues për Presidentin. Rrëfimet në fjalë, të kursyera dhe të kujdesshme, janë dukshëm të ekspozuara ndaj objeksioneve për shkak të kontradiktave, retiçencave dhe hiatuseve që përmbajnë. Figura e Sali Berishës lëviz me hapin e madh e të kujdesshëm mes këtyre hiatuseve duke kërkuar pa ia thënë as zotit rolin që do të merrte. E vërteta sipas meje është kjo: e shihnin si të përshtatshëm të kishin akses përmes tij në lëvizjen e re, ndoshta i dërguan makinë në Podgoricë për ta marrë në kthimin e tij të përshpejtuar nga Italia.

E kërkuan në rolin fleksibël të një ndërmjetësi, duke evituar përdorimin e fjalës “i dërguar” dhe ishin në të drejtën e tyre dhe në lojën e tyre ta bënin këtë, pasi, përtej shpresave të marra të mbajtjes së pushtetit dhe privilegjeve nëpërmjet një demokracie butaforike, nuk mund të luanin kaq verbazi me fatin dhe, siç e shënuam më lart, nuk njihnin njeri më të përshtatshëm se Sali Berishën që do të mund t’u ruante kockën nëse do t’u duhej të sakrifikonin mishin. Ishin shumë në atë periudhë që llogarisnin figurën dhe shërbimet e Sali Berishës, njeriut që kishte dalë falë rrethanave dhe inteligjencës së tij në pozicionin e njeriut të shpresës apo të më të përshtatshmit për shumicën e forcave antagoniste, për të mos thënë për të gjitha forcat antagoniste në skakierën e kohës. Sali Berisha nuk refuzoi asnjë rol, por bëri lojën e tij, zgjodhi rrugën e tij drejt pushtetit, e mori pushtetin dhe pasi e mori nuk deshi të kthente kokën e të dëgjonte sirenat apo mesazhet alegorike të RamizAlisë dhe të të mundurve të tij të tjerë, që kishin dashur ta përdornin, por e kishin fyer duke e menduar si të përdorshëm dhe për këtë duhej të paguanin një taksë që i shkonte llogarisë së hapur të antikomunizmit: dënimin me disa vite burg si ushtrues të gjenocidit ndaj popullit shqiptar.

E hënë, 10 dhjetor paradite. Lëvizja në ditën e dytë
Në qytetin “Studenti” bota kishte ndryshuar. Në sheshin kryesor midis konvikteve, që dy muaj me vonë do të merrte emrin “Demokracia”, ishin mbledhur dy-tre mijë studentë. Rrinin në këmbë, duke folur me njëri-tjetrin, duke bërë shakara, duke kënduar ndonjë strofë kënge, duke vështruar nga rruga. Brohorisnin “Liri-demokraci” sa herë shfaqej ndonjë fytyrë e njohur nga Tirana. Ashtu bënë edhe kur më panë mua, u ktheva dhe njoha katër- pesë prej tyre, që po më përshëndesnin me duar. Ishin studentë të fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Doja t’i pyesja ku ishte “shtabi”, kur sakaq pashë dikë që u shkëput nga një grup i vogël studentësh para godinës numër 15 dhe erdhi drejt meje. Ishte AzemHajdari, djali që kisha takuar në muajin gusht në qytetin e Bajram Currit.

Mbante një xhakavento lëkure të zezë, dukej më i hequr nga sa e mbaja mend, e tregonte dukshëm, nga lodhja që i ishin mbledhur në fytyrë, se nuk kishte fjetur. Aty e mora vesh se ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes, madje kryesori, por kjo nuk thuhej hapur sepse nuk ishin bërë zgjedhje dhe nuk kishte kurrkush tagër të caktonte numrin një. Hierarkitë në atë shpërthim të vrullshëm studentor i kishte përcaktuar e vazhdonte t’i përcaktonte protagonizmi individual. Azemi u tha disa fjalë për mua shokëve të tij. Pastaj i mori nga dora njërit prej tyre një letër të palosur në dysh, e shpalosi dhe ma zgjati ta lexoja. Unë e vura para syve. Ishin kërkesat e tyre të shkruara me makinë shkrimi.

Shikimi im kaloi shpejt mbi rreshtat dhe pikat e para, në kërkim të asaj që ishte kryefjala e gjithë rravgimeve të atij viti dhe ja ku e pashë, si të mos u besoja syve tani që po e shihja të shkruar në një dokument që do të hynte në histori si program i parë i lëvizjes studentore të vitit 1990. “Kërkojmë pluralizëm politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme”. E lexova një herë dhe sa desha të vazhdoja me fjalinë që vinte më pas u ktheva ta lexoja përsëri dhe kjo m’u përsërit dy-tre herë si të kisha frikë se do të humbja ndonjë gjë të madhe po të vazhdoja. Isha vërtet shumë i emocionuar, për herë të dytë në jetën time më erdhi për të qarë që nuk e kisha provuar të qenët student, si gjithë ata djem dhe vajza që po shihja rreth e rrotull. Herën e parë kishte qenë regjimi komunist që më kishte ndaluar. Herën e dytë ishte koha. Unë isha 33 vjeç. Sapo i kisha mbushur.

Studentët e kishin paraqitur veten në dokumentin e tyre si mbështetës të reformave të nisura nga Ramiz Alia, të cilat kërkonin t’i përshpejtonin. Kërkonin të lejohej krijimi i organizatës së pavarur të studentëve dhe intelektualëve të rinj, që të konkurronte dhe të kishte deputetët e vet në Kuvendin e Shqipërisë. Këto dhe të tjera kërkonin t’i diskutonin me Presidentin Ramiz Alia. Gjithçka ishte qepur e thurur me mençuri, pa të qara. Dhe së fundi, edhe thirrja drejtuar gjithë intelektualëve të mbështesnin kërkesat e studentëve, të bashkoheshin me ta. Vetvetiu ngrita dorën bashkë me letrën e porsalexuar sikur po i përgjigjesha “këtu” asaj thirrjeje.

Desha të thosha diçka edhe me fjalë, por nuk fola. Ishte kaq e madhe ajo që kishin bërë e po bënin me çiltërsinë dhe guximin e tyre ata studentë, ishte kaq e jashtëzakonshme dhe e brishtë ngjarja që po merrte formë në qytetin e tyre, sa s’të bënte zemra ta prekje as me pupël nga frika se mos i bëje keq. Nuk kisha pse thosha gjë. Isha ngjitur në qytetin “Studenti” për të parë, për të marrë pjesë, pa dashur të dallohem, pa kërkuar të marr role apo të jap mend; isha ngjitur si banor i Tiranës, si një student që nuk kisha mundur të isha i atyre godinave dhe aulave, por kisha rastin të bëhesha në sheshin e tyre të alternativës, të propozimit të pluralizmit politik si vlera që ndante në dysh kohën e Shqipërisë.

Grupi i studentëve që ishin mbledhur rreth meje u zgjerua me studentë të tjerë. Me gëzim, por pa u befasuar, njoha mes tyre Shinasi Ramën, një djalë shtatgjatë, i hequr, pak biond. Njiheshim prej më shumë se një viti, më kishin lënë mbresë sjelljet e tij përgjithësisht përçmuese dhe ofensive ndaj realiteteve ndrydhëse dhe shtypëse të kohës. Ishte nga Shkodra, na kishte qëlluar të udhëtonim së bashku me trenin e linjës Tiranë-Lezhë-Shkodër dhe të lexonim poezi të autorëve anglezë apo amerikanë të përkthyera prej tij. Në dijeninë time, pas RudolfMarkut, Shinasiu kishte qenë përkthyesi i dytë për përdorim të brendshëm, siç thuhej atëherë, i poetëve angloamerikanë të shekullit të njëzetë, të ndaluar në Shqipëri.

Kishim bërë përpjekje edhe për të botuar ndonjë përkthim të tijin, duke shfrytëzuar erën e re që kishte nisur të frynte në mediat letrare dhe praninë e miqve tanë në drejtimin e tyre, një ndër të cilët ishte kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, Remzi Lani. Pashë se edhe Shinasiu ishte i rëndësishëm në grupin drejtues të lëvizjes. Më erdhi shumë mirë, por ndjeva edhe një siguri më shumë. I njihja mirë pikëpamjet e tij të avancuara për pluralizmin dhe demokracinë. Me të mund të flisja më lirisht se me studentët e tjerë. Shinasiu më vuri në dijeni i pari se kishin lënë një mbledhje pasdite me të dërguarit e Ramiz Alisë për të diskutuar listën përfundimtare të kërkesave dhe kushtet e dialogut të studentëve me Presidentin.

“Duhet të kemi edhe ne përkrahësit tanë nga rrethet intelektuale në këtë mbledhje”, tha Azemi dhe shtoi: “U kam dërguar fjalë profesorëve të mi të respektuar, Artan Fuga dhe Fatos Tarifa. Kam shpresë se do të vijnë. Pastaj m’u drejtua mua: “Më vjen mirë që paske mik Shinasiun. Pasdite duam të vish me ne”. “Patjetër”, – thashë unë, pa e çuar ndërmend se në atë çast kisha shqiptuar premtimin për të marrë pjesë në mbledhjen më të rëndësishme të jetës sime të deriatëhershme, që do të më shtynte dhe do të më mbante për shumë vite në hullinë e politikës aktive.

U ktheva në shtëpi nga ora 15.00, i dhashë gruas lajmin, tashmë drejt e nga fronti i ngjarjeve, se bota kishte ndryshuar e po ndryshonte edhe për ne. Ajo më dëgjoi në heshtje, pa u distancuar por edhe pa u përfshirë në atë “ne” që kisha thënë unë. Kishte qenë shpesh dëshmitare e bisedave që bënim me Besnikun, Rudolfin, Ilirianin, Teodorin, Remziun, Agimin, Bardhyl Minxhozin. Ora që kishim pritur e paralajmëruar secili prej nesh në mënyrën e vet kishte rënë e po na thërriste.

*Pjesë nga libri “Fillimet”


Etiketa: , ,

Pas