Aktualitet

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon lehtësimin e klimës së investimeve





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:52 - 10/02/20 |
mapo.al

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri u bëri sot thirrje autoriteteve të ndërmarrin masa të reja për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve.


Drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, tha se aktualisht ekonomia shqiptare po përballet me tkurrjen e investimeve nga 2 projektet më të mëdha infrastrukturore: TAP dhe Devoll si dhe me pasojat e tërmeti, ndaj duhet të bëjë shumë për të tërhequr investime të huaja.


Shqipëria, tha ai, ka nevojë për një reformë në fushën e investimeve, ndërkohë që edhe korrupsioni është i përhapur dhe pengon seriozisht investimet.


“Pengesat kryesore janë; së pari procedurat e zgjatura për marrjen e licensave për investime e ndërtime. së dyti ndryshimi i shpeshtë i taksave dhe niveli i tyre jokonkurrues në krahasim me vendet fqinje, së treti mos-zbatimi i kontratave. Por mbi të gjitha nevojitet vullneti për të luftuar korrupsionin” – tha zoti Jaço.


Sipas raportit Doing Bussines të Bankës Botërore, Shqipëria është është e fundit në rajon me diferencë të madhe në konkurrencën për thithjen e investimeve, ndërsa fqinjët e saj renditen dukshëm më lart se ajo; Shqipëria renditet e 82-ta në botë, ndërkohë që Kosova e 57-ta, Mali i Zi renditet i 50-ti, Serbia e 44-a ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta, veçoi zoti Jaço.

“Investitorët e huaj ndeshin një mori pengesash në Shqipëri”, – tha ai, – duke veçuar rastin e kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, e cila prej një viti nuk po nis dot investimin në aeroportin Nënë Tereza.

Dhoma Amerikane e Tregtisë theksoi se Shqipëria dhe SHBA kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, ushtarake, të sigurisë etj, dhe janë të gjithë mundësinë t’i shtrijnë ato edhe në fushën tregtare.

Shkëmbimet tregtare mes tyre janë vetëm 100 milionë dollarë, shumë të ulëta krahasuar me potencalin, ndërsa me shkëmbimet tregtare amerikano-maqedonase janë mbi dy herë më të larta se me Shqipërinë, ndaj është e nevojshme të lehtësohen shumë kushte ekonomike, që Shqipëria të bëhet vërtet një vend tërheqës për mikpritur investimet e huaja.

VOA


Etiketa:

Pas