Aktualitet

Dhoma Amerikane: Klima e biznesit, përkeqësimi më i madh në 8 vite





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:59 - 30/06/20 |
mapo.al

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se 66% e bizneseve anëtare të saj, e konstatojnë se ka një klimë të pafavorshme, ku shkaqet kryesore janë politikat ekonomike, burokracia, pushteti lokal, reformat ekonomike dhe politike të ndërmarra nga qeveria etj. Presidenti Enio Jaço tha se kjo është rënia më e madhe në tetë vitet e fundit, ku qeveria ka arritur të mbledhë vetëm 38 pikë nga 100 të mundshme. Ambasadorja amerikane bën apel: Populli shqiptar dëshiron rezultate, jo fyerje


Dhoma Amerikane e Tregtisë, publikoi dje indeksin për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2019, i cili rezulton me përkeqësimin më të madh në tetë vitet e fundit. Sipas anketimit, Shqipëria për vitin që shkoi arriti të mbledhë vetëm 38 pikë pozitive nga 100 të plota. Presidenti Enio Jaço, në prani dhe të ambasadores amerikane Youri Kim, u shpreh se është dyfishuar numri i anëtarëve të dhomës që mendojnë se Shqipëria ka një klimë të pafavorshme biznesi. Sipas raportit më shumë se 66 % e anëtarëve të dhomës, e konsideruan klimën si të pafavorshme, vetëm 7 për qind të tyre si të favorshme dhe 26 për qind si neutrale.


Në anketim morën pjesë 148 përfaqësues biznesi, anëtarë të dhomës nga të cilët 144 u kanë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të formularit. Perceptim negativ nga të anketuarit ishte klima e pafavorshme politike, rendi dhe siguria, burokracitë qeveritare, pushteti lokal, niveli joformal i ekonomisë, reformat politike dhe ekonomike të qeverisë, ishin ndër shqetësimet më të mëdha të biznesit në përgjigjet që kanë dhënë në formularët përkatës.


Përkeqësimi
Presidenti i dhomës amerikane të tregtisë Enio Jaço, tha gjatë fjalës së tij se bëhet fjalë për kompani që përfaqësojnë 20-25 për qind të ekonomisë shqiptare. Sipas tij, në indeks kanë marrë pjesë 70% e kompanive, shifër e cila është më e larta ndër vite. “Bëhet fjalë për kompani që përfaqësojnë 20-25% të ekonomisë shqiptare. Kemi një pjesëmarrje shumë të lartë në Indeks, 70% e kompanive kanë marrë pjesë, dhe është pjesëmarrja më e lartë në 8 vite. Kompanitë përfaqësojnë 16 sektorë të ndryshëm, turizëm, ekonomi, ndërtim, telekomunikacion. Indeksi ka një rënie prej 38 pikësh, nga 100 të mundshme, rënia më e madhe. Për të qenë i saktë, shkalla është nga 0-100. Thjeshtëzuar mund ta cilësojmë, mbi 50, klimë e favorshme nën 50 e pafavorshme. Klima ka qenë e pafavorshme. 66% e anëtarëve të dhomës së tregtisë e konsiderojnë klimën të pafavorshme, 26% neutrale. Indikatori më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Situata me monopolet, tregti e pandershme, ka pasur dhe një përkeqësim. Ka pasur një trend negativ në 8 vite, gjetja e stafit të kualifikuar. 70% e anëtarëve tanë kanë pasur probleme me klimën e biznesit”, tha Jaço, duke shtuar se përmirësimi është ndjerë vetëm në sektorin e doganave dhe tatimeve.


Ambasadorja
Pjesëmarrëse në prezantimin e indeksit ishte dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, zonja Youri Kim. Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh, se ka ardhur koha që populli shqiptar të shohë rezultate dhe jo fyerje nga të zgjedhurit e tij. “Ajo që dëgjoj nga populli shqiptar është se ata duan të shohin udhëheqës që punojnë së bashku për hir të popullit. Duan që qeveria t’u ofrojë një mundësi – pa frikë dhe pa korrupsion – një mundësi për të fituar më shumë para, për të arritur një standard të mirë jetese dhe për t’iu dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë… Populli shqiptar dëshiron rezultate, jo fyerje. Ai do vizion, jo ndarje. Jemi besimplotë se populli dhe udhëheqësit shqiptarë janë të aftë të ngrihen mbi këtë sfidë dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, që si gjithmonë, t’ju mbështesin”, tha Kim në fjalën përshëndetëse.

Banka Botërore
Përkeqësimin e klimës së biznesit në vend përgjatë vitit 2019, e evidentoi dhe raporti i Bankës Botërore, “Douing Buissnes in Albania 2020”. Sipas këtij raporti, Shqipëria, Bosnja dhe Malta ishin të fundit të Evropë për sa i përket klimës së biznesit. Shqipëria u rendit në vendin e 82-të në rang global, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin 2019. Nga 10 indikatorët e marrë në studim shihet se përkeqësimin më të madh e shënoi në mbrojtjen e investimeve.

Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26-të për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u rendit në vendin e 111. Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj. Për një vit, shihet se vendi ka rënë në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë. Përkeqësim shënoi edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, “mbrojtja e kontratave”.

Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje në raport me vitin e kaluar. Indikatori prej të cilit jemi penalizuar prej vitesh, lejet e ndërtimit, ka pësuar përkeqësim të mëtejshëm. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 166-të nga vendi i 151-të që ishte një vit më parë.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas