Editorial

Dhuna më e keqe është helmi i fjalëve pas ngjarjes






               Publikuar në : 09:11 - 15/04/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Dhuna më e keqe, më e hidhur e protestave, nuk është ajo çka del në ekran, edhe pse në pamje të parë me efektet piroteknike, me tymin e me gazin e përdorur, të krijon një gjendje aspak të mirë. Përplasja më e egër që po sjell për fat të keq ndasi e armiqësi gjithnjë e më të mëdha, çka mund të kërkojë shumë kohë të shërohet, janë qëndrimet, deklaratat dhe gjestet, pas ngjarjes.

Nëse përplasja në pamje të parë ndodh si të thuash në krye të formacioneve politike, qeveri-opozitë, helmi i fjalëve zbret vertikalisht poshtë dhe krijon hendek të madh me popullin anti-qeveri, e vë atë në një skaj që etiketohet e dhunohet, e trajtohet si i padenjë. I pari në këtë zell është si gjithnjë Erion Veliaj. Pas çdo proteste, shpesh edhe përpara, ai vendos një vijë ndarëse. Të pakënaqurit, ata që nuk duan shefin e tij, rrjedhimisht edhe atë, i quan jo qytetarë, vandalë i ka cilësuar herë pas here. Dhe kësaj radhe, si shpeshherë, duke shfrytëzuar postin që ka, ka prerë një fletëgjobe për protestën. Edhe pse është betuar se do jetë kryetar bashkie i të gjithëve, edhe të atyre që nuk e kanë votuar, pra edhe të atyre që nuk e duan, të cilët me kalimin e viteve dhe me shtimin e mashtrimeve janë rritur, sërish ai çdo herë e shkel këtë betim dhe shfaqet si fajkua politik i rilindjes.

Të gjithë e dinë se një ditë, ngërçi politik do zgjidhet, dhe asgjë nuk do të ngelet nga gjurmët e dhunës në bulevard. Po etiketimet poshtëruese të Lalit, për më e pakta gjysmën e popullit tjetër, do të ngelen. Më pas vjen ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ai harron se është përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Edhe ai, përherë e më shumë po vendos kufij të vrazhdë, mes atyre që duan Edi Ramën të vazhdojë, dhe atyre që kërkojnë zgjidhje, pra qeveri tranzitore. Këta të fundit po bëhen përherë e më të shumtë. Ata janë qytetarë të Republikës, ku ai shërben. Ai nuk mund vetëm t’i sulmojë ata, dhe në fund të shfaqet sikur kanë rëndësi, vlejnë, dhe janë të denjë vetëm 5 policë, të lënduar lehtë për fat të mirë. Kjo, edhe pse në pavijonin ngjitur mund të jenë me dhjetëra të shtruar nga populli tjetër.

Etiketimet që bën edhe ai në publik, janë njësoj të helmëta, sikur të ishte shefi i shtabit të rilindjes, jo Ministër i Brendshëm. Kur zgjidhja politike të vijë, ai me siguri nuk do të jetë më ministër. Bilancin, sido që ta ketë, do ta eklipsojnë ndasitë që krijoi, duke e trajtuar popullin tjetër, si armik. Me gaz lotsjellës, po sidomos me deklaratat dhe qëndrimet në publik.

Në krye është patjetër kryeministri. Ai që detyrimisht i përfaqëson të gjithë, ai bën ndarjet më të mëdha. Cilësimet e tij, se këta nuk janë popull, se janë skllevër, se shkojnë qorrazi pas dy-tre vetëve, se këta janë të këqijtë, ndërsa të mirët janë ata që mbledh ai, janë mesazhe skandaloze, pasi në këtë mënyrë ai u thotë të gjithëve që ka nën vete, dhe skalioneve të forcës dhe gjithë instrumentave që ka në dorë, që t’i trajtojnë si të tillë, më e pakta, gjysmën tjetër të popullit.
Këto qëndrime, janë dhuna e vërtetë që për fat të keq po zbret përditë e më shumë vertikalisht poshtë në shoqëri. Është po ashtu e pazgjuar nga ana e udhëheqësve, pasi thjesht po mbajnë ndezur zemërimin e njerëzve, madje e nxisin dhe e shtojnë atë edhe më shumë. Kur nuk bën dallimin mes liderëve opozitarë dhe popullit që u shkon pas, tregon për humbje të arsyes, tregon për shpërthime të pakontrolluara emocionale. Dhe këto janë dëmet më të mëdha që mund të ndodhin, dhe plagët më të thella që do kërkojnë mund e kohë të shërohen.

 


Etiketa: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas