Presidenti Ilir Meta ka postuar në rrjetin social Twitter mesazhin e Dom Gjergj Metës i cili reagoi pas përplasjeve dhe dhunës në protestën e sotme të Shoqërisë Civile.
“Njerëzit e ndaluar në protestë sot janë qytetarë të këtij vendi. Nuk janë as kriminelë, as evazorë fiskalë, as trafikantë droge, as përfitues tenderash”, shkruan Gjergj Meta.
Sipas tij, ata “kanë zemërim brenda vetes që gjithsesi nuk dënohet me ndalim nga policia”.
Më herët kreu i shtetit dënoi dhunën ndaj aktivistëve, duke theksuar se e drejta e protestës garantohet nga Kushtetuta.
Reagimi i Metës
Dhuna ndaj aktivistëve të shoqërisë civile në Sheshin Skënderbej është e papranueshme dhe kremtimi më i shëmtuar për Ditën e Europës🇪🇺, që dëmton jo vetëm kontributet e Shqipërisë🇦🇱 gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë, në përpjekjet për t’u integruar sa më parë në Bashkimin Europian.
E drejta e protestës, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash e kushtesh, edhe përgjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, garantohet qartësisht nga Kushtetuta.
Kjo është një e drejtë themelore që duhet respektuar në çdo kohë dhe nga çdo autoritet. ZËRI I QYTETARËVE DUHET DËGJUAR!