Shkrimtari dhe politikani Besnik Mustafaj, i ftuar në News 24, ka komentuar edhe aktet e dhunës të shënuar gjatë protestave të fundit të opozitës, ku në atë të 11 majit mbeti i lënduar edhe Sekretari Organizativ i PD, Sait Dollapi. Ai fajëson edhe policinë, e cila sipas tij ka dalë nga roli i vet. Gjithashtu, ish-ministri i Jashtëm thekson se është informuar nga burime të besueshme se gazin lotsjellës në protestë e hedhin oficerë të ushtrisë të cilët janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
“Rasti i Sait Dollapit është flagrant dhe tregon se policia ka dalë nga roli i vet. Më thonë se dy faktorë ndikojnë që ka rënë shumë puna e policisë në protesta, kanë hyrë në radhët e policisë shumë elementë të ardhur nga ushtria të cilët nuk janë të përgatitur. Që nga procesi i hedhjes së gazit lotsjellës…atë e hedhin oficerë të ardhur nga ushtria… Ushtria hedh gaz për të vrarë armikun, policia nuk vret popullin e vet. Policia është e përgatitur, ka përgatitje nervore për protestat, ndërsa ushtria jo. Ka gjithashtu elementë të njëanshëm në polici”, u shprej Mustafaj.