Të premten zhvillohet në Bruksel takimi i radhës mes presidentit të Kosoves Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Takimi mes dy presidentëve zhvillohet në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për përmirësimin e marëdhënieve. Bashkimi Evropian këmbëngul që Prishtina dhe Beogradi të normalizojnë raportet dhe përparimet në këtë dialog, po konsiderohen si kusht thelbesor për të dyja shtetet në rrugëtimin drejt integrimeve europiane.
Në strategjinë e re të zgjerimit, Komisioni Europian u përsëriti Kosovës dhe Serbisë domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. Një marrëveshje e tillë është parashikuar të arrihet gjatë vitit 2019. Në një intervistë për Evropa e Lirë, një ditë para takimit presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se nuk pret të ndodhë ndonjë mrekulli, por rritje të përgjegjësive dhe angazhimeve.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është shprehur këto ditë se shteti i tij është i gatshëm për kompromis për çështjet e pazgjidhura me Kosovën. Kjo faze e dialogut në Prishtinë konsiderohet si pjesa finale e negociatave që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.