Presidenti i Francës, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar atë për postin e kryeministrit dhe ka kërkuar që të mos e ndërpresë dialogun me Serbinë. Macron, ndër të tjera në letrën e tij, ka ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Francë, për të diskutuar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi .
Macron ka vlerësuar se në vitet e fundit është bërë një përparim i rëndësishëm në dialogun me Serbinë. Ai ka shkruar se shpreson që Kurti ta vazhdojë dialogun, duke i ofruar mbështetjen e Francës.
“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”,-ka shkruar ndër ë tjera Macron.
Ai ka thënë se duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Europian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj.
Presidenti francez i ka dhënë mbështetjen Kurtit për të gjitha prioritetet për të mirën e kosovarëve.