Aktualitet

Diferencat me Europën ku duam të shkojmë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:32 - 19/04/21 |
Jona Kopercka

Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, 30 vite më parë, u udhëhoqën nga slogani “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Sot në fushatën elektorale të vitit 2021 i njëjti slogan është ende i gjallë. Europa ishte dhe vijon të jetë ëndrra më e madhe e shqiptarëve.





Në plot 30 vite, politikëbërësit, kanë ardhur në pushtet duke premtuar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Anëtarësimi i vendit në NATO dhe liberalizimi i vizave kanë qenë nga arritjet kryesore të politikës.


Masivisht, mbas liberalizmit të vizave në 2010 të gjithëve ne na u dha mundësia e lëvizjes së lirë në Europë. Përgjatë eksperiencave tona të para, si për turizëm kulturor apo familjar, stazhe pune, konferenca a seminare ishim shumë të zellshëm për të parë Europën, vendin që kishim ëndërruar dhe kërkonim t’i ngjasonim.





Ajo që u vu re, është se në vendet e Europës mbizotëron rendi, ligji dhe shteti, jo ai, ku shkon në burg qytetari i thjeshtë që nuk ka se me çfarë të paguajë, por ai biznesmeni apo politikani i korruptuar. Kultura dhe mirësjellja vihet re te cilido që takon, ky është një reflektim i një jetese pa strese të shtuara. Mungesa e forcave të policisë në rrugë është një tjetër tregues i jetesës së qetë.



Qytetarët nuk kanë frikë as nga drejtori në punë as nga shefi, as nga i forti i lagjes, as nga deputeti apo nga shteti për arsyen e thjesht se meritokracia është baza e sistemit të punësimit, sindikata është në krahun e të punësuarit, duke i treguar të drejtat dhe detyrimet, drejtori nuk të nxjerr dot me pahir në miting për shkak se ai nuk ka frikë nga pushteti, sepse nuk ia ka dhënë pushteti vendin e punës.


I forti i lagjes nuk ekziston si nocion, nuk ka të fortë, askush nuk bën të fortin me askënd, edhe në rastin më të keq, të paimagjinueshëm, me anë të një telefonate i forti gjendet duke dhënë llogari përpara ligjit, ndryshe nga ne, ku ligji ka frikë nga i forti. Qytetarët nuk kanë frikë nga deputeti apo shteti, deputeti është zëri i tyre në parlament, në miratimin dhe zbatimin e ligjit, nuk e bën deputeti ligjin.

Ata, europianët shtetin e kanë në krah, për çdo nevojë dhe kërkesë të tyre bazuar në përputhje me ligjin dhe të drejtat apo detyrimet përkatëse. Të gjitha këto zakone të mira të lartpërmendura nuk janë një mrekulli, as nuk janë një dhuratë dhe as nuk kanë ardhur nga hiçi. Kanë qenë qytetarët ata që e kanë kërkuar një gjë të tillë, kanë qenë qytetarët që e kanë ngritur zërin për çdo padrejtësi që kanë arritur në këtë stad jetesë që kanë sot.

Në diskursin politik shqiptar anëtarësimi në Union shihet arritja më e madhe për vendin tonë. Vitet e fundit kemi bërë më shumë hapa mbrapa sesa përpara këtij procesi. Disa vende që e kanë nisur këtë rrugëtim mbas nesh, sot i shohim të jenë shumë pranë aderimit. E gjitha kjo ka ndodhur falë punës së tyre dhe jo propagandës boshe. Duke parë që edhe në këtë fushatë elektorale që finalizohet me zgjedhjet e 25 prillit, politikëbërësit na trokasin sërish në derë duke na premtuar anëtarësimin në Bashkimin Europian mendoj se ka ardhur koha që t’iu tregojmë atyre se ne jemi qytetarë me standarde europiane, rrjedhimisht të njëjtën gjë kërkojmë dhe prej tyre.

Një kërkesë e tillë, normalisht, shihet nëpërmjet sjelljes sonë. Meqenëse duam të jemi si qytetarët europianë dhe të integrohemi në familjen e madhe europiane, pikë së pari dhe më e rëndësishmja është që të sillemi si të tillë: të mos kemi frikë nga shteti por shteti të ketë frikë nga ne sepse jemi ne ata të cilët i kanë dhënë pushtet, të mos kemi frikë të kërkojmë të drejtat tona, të ngremë zërin kur ndihemi të kërcënuar, të denoncojmë rastet e abuzimit, nëse nuk ndihemi të përfaqësuar të drejtohemi tek institucionet ose forca që mendojmë se mund të na përfaqësojë, të shohim interesat e familjes sonë përpara interesave të forcave politike, nëse nuk ndiejmë siguri te qeveria ta përmbysim me votë, t’i japim mësim dhe forcës që do të marrë pushtetin që ne jemi kërkues, jemi ata që të sjellim në pushtet dhe njëkohësisht ata që të heqin nga pushteti, nëse ke bërë një punë të mirë do të shpërblehesh me një tjetër mandat, nëse jo shko në shtëpi. Si çdo ndërmarrje private dhe shteti ashtu duhet të funksionojë, ai që punon mirë, që punon shumë shpërblehet në të kundërt vendin e zë dikush tjetër, asgjë dhe askush nuk qëndron përgjithmonë.

Qytetarët europianë prej kohësh ecin mbi këto parime, duke mos i ulur asnjë herë standardet e tyre. Prandaj, është koha e duhur për t’i treguar klasës politike se ne dimë se çfarë kërkojmë, nuk mundemi të tolerojmë më, ka ardhur koha të ndëshkojmë për të gjitha premtimet e pambajtura dhe rastet abuzuese të pushtetit, padrejtësitë. Në këto zgjedhje le të votojmë për veten tonë, për familjen tonë, për të ardhmen tonë, jo më në bazë ideologjike partiake.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas