Krujë – Shkrumbohet nga flakët në qendër të qytetit makina e sekretarit të gjyqtares Enkelejda Hoxha, të arrestuar pak ditë më parë nga SPAK për korrupsion.
Mjeti ndodhet në pronësi të Igli Kanit, banues në Krujë. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur dje, në orët e vona të natës, dhe se dyshohet paraprakisht që zjarri të ketë rënë aksidentalisht.
Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të flakëve, grupi hetimor ka nisur punën.
Risjellim në vëmendje se Enkelejda Hoxha dhe zyrtarë të tjerë të Gjykatës së Krujës u prangosën nën akuzën e ngritjes së një skeme, përmes së cilës, kundrejt shumave të konsiderueshme parash, ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale.
Krujë
Më datë 18.02.2021, në orën 22:55, në Krujë, ka marë flakë dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “BMW”, në pronësi të shtetasit I. K., 28 vjeç, banues në Krujë. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur aksidentalisht. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit.