-Fotoja e rrallë e kthimit të ikonave në Kishën e varrezave të Rrmajit
Është historia e vërtetë: një grup njerëzish, fëmijë, të rinj e pleq, me një karrocë mes baltërave, mbajnë ikonat e shenjta për t’i dërguar nga Muzeumi ateist për në Kishën e Varrezave të famshme, të Rrmajit. Fotoja rrëfen një nga momentet episode të vitit 1990 në Shkodër kur diktatura po binte, e realizuar nga Angjelin Nenshati.
Ky fotograf është një mundësi e dëshmive historike që ndodhën gjatë komunizmit, por edhe pas rënies së tij. Nenshati u nda nga jeta në vitin 2008, duke lënë një arkiv të pasur me imazhe të rralla duke u bërë kështu pasardhës i Marubëve. Qysh në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal, i ruajtur në Fototekën Marubi, dhe pasuruar më tej prej tij, ku numërohen mbi 228 mijë imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm. Në programin e ekspozitave “Archive Reloaded”, Muzeu Kombëtar i Fotografisë i jep vëmendje këtij fotografi, me hapjen e ekspozitës retrospektivë të kuruar nga Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi me titullin “Dëshmitar mes dy kohëve”. Sipas kuratorëve pritet që publiku të orientohet në koleksiont e paekspozuara më parë. Ajo orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm. Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet ‘90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.
“Ekspozita është bërë e mundur edhe falë kontributit të djemve të Angjelin Nenshatit, të cilët vendosën në dispozicion të saj, imazhe nga koleksioni fotografik familjar i periudhës së pas viteve ’90”, thuhet në njoftimin për mediat. Angjeli Nenshati (Shkodër,1929 –2008) ndjek studimet e para në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte. Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë. Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë. Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proceseve të laboratorit.
Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.
Punon në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizon fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit. Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, familja zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra. Nenshati është autori që ndjek nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive. Më 1993 fotografon vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”.