Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
Mbrojtja e Ismet Totos
Pas dhënies së pretencës nga prokurori Kiço Bisha, gjyqi u shty për të nesërmen, datë 22 qershor 1937, ku do të merrnin fjalën avokatët mbrojtës të të pandehurve. Mbrojtja për 220 të pandehurit e kryengritjes së Delvinës është e pasqyruar hollësisht në dokumentet arkivore. Për mbrojtjen e të pandehurve u caktuan: nga Gjirokastra Vasil Zhongo, Leonidha Dhimo, Xhevdet Xheneti, Qazim Kurti, Veiz Jaho, Ali Godeci, Jani Dhiamandi, Spiro Dhima dhe Emin Xhango; nga Libohova Tasho Loli, Faik Monopati; nga Delvina Aristidh Totozani, Vangjel Lila. Çdo avokati i ishte vënë në dispozicion lista e të pandehurve që do t’i mbronte në gjyq.
Avokat Jani Dhiamandi, kishte marrë përsipër mbrojtjen e anëtarëve kryesor të kryengritjes Ismet Totos e Ismail Gjylbegut. Në mbrojtjet me elokuencë që ky zhvilloi gjatë seancave të ndryshme të Gjyqit Politik, e sidomos ato pas pretencës së prokurorit Kiço Bisha, haptazi dhe me guxim shfaqi mendimet e tij për të arrit me e cilësue “Lëvizjen e Delvinës si një vepër nacionaliste tue sjellë të gjitha argumentat e tija t’imagjinueme për të ndryshue ngjyrën e lëvizjes si bolshevike”. Në një telegram të datës 30 qershor 1937, që i dërgon prefekti Zef Kadarja ministrit Juka, theksohet se avokat Jani Dhiamandi “ka mujtë me u kuptue sheshazi se ay ket gjâ e bânte me të vetmin qëllim për me mujtë me i dhânë me kuptue publikut e njiherit me diskretitue qeverin se lëvizja nuk kishte ngjyrë bolshevike, sikurse mundohej t’i ipej. Për arsyenat e parashtrueme këtu sipër dhe për ato që ju njoftuem me raporte të posaçme kjo prefekturë âsht e mejtimit që i përmenduni të internohet për gjashtë muej”. Përgjigja e ministrit Musa Juka, e datës 2 korrik 1937, është negative për internimin e avokatit Jani Dhiamandit.
Më datën 23 qershor 1937 morën fjalën e mbrojtjes edhe të pandehurit politikë. Me shumë interes u prit nga të gjithë mbrojtja që do të bënte Ismet Toto. Ai mbajti një ligjëratë të gjatë tue kundërshtue ngjyrën bolshevike të lëvizjes duke thënë se qeveria vetë po ja jepte këtë ngjyrë. Ai e cilësoi lëvizjen e Delvinës si një vepër protestimi edhe jo kryengritje. Në fjalën e mbrojtjes Ismet Toto theksoi:
“… Lirimi i të burgosurve quhet faj moral. Po e harruat z. Juej se vetë kapiten Ded Jakova deklaron këtu se kur vete në burg dhe si e pa keq punën u thirri të burgosurvet kështu: Ka njeri prej jush besnik të Qeverisë mor burra, dhe, pasi u afruan si të tillë disa vetë, kapiten Deda u mundua mjaft të gjejë armë dhe t’i armatosë e të luftonte me ta në krah kundra nesh. Po siç e deklaroj dhe vetë nuk mundi të gjejë armë dhe ashtu iku dhe e la kalanë në atë konfuzion z. Kryetar. Ded Jakova ishte n’atë çast dhe prefekt dhe komandant. Ishte, due të them, Qeveri e Gjirokastrës dhe, kur e pa ngushtë, u mundue mjaft të armatoste kriminelë të burgosur dhe të luftonte me ta, por nuk mundi. Që domëthënë se po të kish mundur ay t’i përdorte ata kriminela dhe të na thyente neve këtu në Gjirokastër sot do të dëgjonim fjalë heroike dhe për këta fatzez të burgosur. Prandaj proklamohet si një faj moral nga ana e prokurorit vetëm sepse i përdori lëvizja që filloi në Delvinë dhe mbaroi në mal të Golemit. Po t’i kish përdorë Ded Jakova me sukses, do të proklamohej po nga ky prokuror si një vepër e shakthët praktike dhe e moralshme. Kështu z. Kryetar, siç e shifni qartazi, provohet edhe njëherë ajo aksioma e njohur: Qëllimi dhe përfundimi justifikojnë mjetet.
Tashti kemi këtë punën e plaçkitjes, për të cilën gjë prokurori numëroi kaq e kaq fjalë t’ashpra dhe njëkohësisht kaq e kaq absurditete. Nuk mund të quhet plaçkitje marrja dhe përdorimi i armëve dhe uniformave që u gjetën nëpër depot e zyrave të ndryshme. Ato janë mjete pa të cilat s’mund të bâhej lëvizja. Plaçkitje quhet ay veprim që bâhet me qëllim që të pasurohet ay që bân plaçkitjen. Në gjithë këtë lëvizje nuk është bërë asnjë gjë e tillë. Janë marrë nga im vëlla këtu në Gjirokastër me dëftesë të rregullt 700 fr.ari që kish arka e postës dhe ato me qëllim që të paguhesh buka dhe benzina që konsumoheshin udhës. S’besoj të ketë në këtë mbledhje as ndonjë njeri aq të keq sa të mendoj se im vëlla pat në mendje plaçkitjen dhe pasurimin e tij kur mori ato 700 fr.ari të postës. As e Rahmi Kamberit s’mund të quhej plaçkitje.
N’ikje e sipër mori 600 fr.ari të arkës, se besoj mendoj që do të vdiste urije në mërgim. Por po të kish Rahmi Kamberi qëllime plaçkitjeje a nuk mund ta shtrydhte Gjirokastrën ato 24 orë dhe të nxirrte gjashtë mijë e gjashtëdhjetë mijë fr.ari? Këto pretendime të prokurorit janë broçkulla z. Kryetar, janë zmadhime dhe deformime për të mbështetur pretencën e tij larg-tingëllonjëse, e cila në sheshin e arsyetimit dhe gjykimit të ndërgjegjshëm nuk ishte veçse një kaçup i mbushur me vrer dhe urrejtje që kërkon të shtypë e të vdesë neve. Çuditem që qysh paska harruar z. Prokuror të përmendë dhe grabitjen e atyre dy napave me djathë që i paskej marrë një i burgosur atij fshatari nga Shtepezi.
Sipas gjykimit tim, akuza e plaçkitjes është një gënjeshtër dhe një shpifje që nuk qëndron në këmbë as për një minutë, jo vetëm pse nuk ka asnjë provë, por edhe nga fakti se im vëlla që njifej fort mirë nga të gjithë s’ka qenë kurrë grabitës dhe plaçkitës, as vjedhës, as korruptonjës, as i korruptuar. Ka qenë një patriot i nxehtë, një punëtor i math dhe i pazhurmë, një njeri i rregullt dhe i disiplinës morale. Fakti që ai vdiq pa i lënë familjes së tij as një kasolle, megjithëse kish dhjetë vjet që shërbente si prefekt e së fundi edhe si ministër, është mjaft elokuent. Vetëm njerëz të papërgjegjshëm, njerëz vegla, njerëz të ulët mund të kenë kurajo të ngarkojnë tim vëlla me të tilla shpifje.
Si mbarova së foluri për këto pika, tash z. Kryetar do të hyjmë dhe të zbërthejmë një pikë tjetër më me rëndësi, çështjen e komunizmës. Zoti prokuror përpiqet t’i japë Lëvizjes së Delvinës një ngjyrë komuniste dhe këtë e mbështet mbi deponimet që bën para gjyqit Shefqet Gjoleka, Ali Nivica dhe ka harruar të përmendë edhe atë të burgosurin nga Dibra, i cili tha se im vëlla ja paska thënë dhe atij në prefekturë se tashti u bâmë bolshevikë, por se nuk e dëgjoj kush tjetër veç atij. Pyes zoti Kryetar: Pse z. Prokuror nuk e përmendi atë deponim t’atij të burgosuri nga Dibra? A po kujton se do të dukej mâ tepër qesharak nga sa duket. Z. Kryetar jam në gjendje t’u siguroj se në Shqipëri ka fare pak njerëz që dinë kuptimet e fjalëve fashizëm, komunizëm, kapitalizëm etj. Të tillë njerëz më pak se në çdo degë tjetër i gjenë në degët e ndryshme të aparatit qeveritar të mbrendshëm.
Kështu, fjala vjen, meqenëse në gjithë Europën dëgjohet e flitet për lëvizje komuniste dhe për masat që marrin qeveritë respektive për t’u mbrojtur, kështu kjo fjali arriti dhe këtu ndër ne dhe u bë e modës. Çdo njeri që nuk është në sytë e mirë të administratës, për çdo arye qoftë, më në fund do të akuzohet si komunist, i pëlqen ose nuk i pëlqen ky emër, i përshatet ose jo s’ka të bëjë. Aparati qeveritar qoftë me dru, qoftë me korrupsion do ta ngjitë atë biletë. Dhe gazetat e këtushme do të flasin n’atë kuptim, kështu do ta marrë vesh si bota e brendshme shqiptare ashtu edhe ajo e jashtme se fajtori ose lëvizja qe komuniste dhe pra do të justifikohen masat e marra… Me pak fjalë z. Kryetar ky është realiteti, ai realitet i hidhur që dinë fort mirë shumica e shqiptarëve dhe që s’kanë guxim ta thonë, veçse nëpër shtëpitë e tyre.
Unë e kam thënë gjithmonë haptazi atë që kam menduar dhe, meqenëse ajo udhë më solli në këtë katastrofë, s’kam arsye të mos them dhe sot ato që mendoj sinqerisht. Z.Kryetar, si Shefqet Gjoleka, ashtu dhe Ali Nivica, ashtu edhe ai i burgosuri nga Dibra, në deponimet e para që kanë bërë në prezencën e prokurorit dhe të hetuesit nuk kanë zënë as në gojë fjalën komunizëm. Përkundrazi Ali Nivica ka folë për një diktaturë ushtarake, Shefqeti për një kryengritje nacionaliste dhe atij të burgosuri nga Dibra as që i kishin shkuar në mendje fjalë të tilla. Për çudi, pas dhjetë ditësh dalin para gjyqit dhe papritmas na thonë se im vëlla ua paskej thânë atyre mësheftazi se kjo lëvizje ka qëllime bolshevike. Si ngjet kjo punë z. Kryetar që në deponimet e para flasin ndryshe këta njerëz dhe para gjyqit flasin ndryshe? Kjo punë nuk shpjegohet veçse kështu. Fatkeqësisht administratës i ra vonë në mendje se kësaj lëvizje i duhej dhënë ngjyrë komuniste dhe kështu ditët e fundit, duke përdorur drurin dhe premtimet korruptonjëse, mundi të shtjerë në dorë nja dy tipa si këta të cilët kan paturpësinë dhe dobësinë të ngrihen e të bâjnë të tilla pohime para publikut dhe pohimet e tyre botohen tekstualisht në gazetat e Tiranës dhe kështu triumfon për një çast gënjeshtra dhe shpifja.
Z.Kryetar, se sa false janë këto pohime, kupton çdo njeri që ndodhet këtu dhe jo të mos i kuptoni z. Juaj. Kjo çështje e komunizmit është edhe mode edhe nevojë. Nacionalistat e mëdhenj, siç i quan z. prokuror, që ndodhen nëpër zyra e kolltuqe nga drejtohen dhe organizohen punët e prokurorisë së Gjyqit për Faje Politike dhe shërbimet e ndryshme analoge nuk janë aq budallenj sa të thonë të vertetën, siç u provue sheshit në këtë gjykatë, se lëvizja e Delvinës është një lëvizje kundra atyre vet. Ata dinë ç’bëjnë. I japin lëvizjes një ngjyrë bolshevike dhe dalin vetë nga mesi dhe justifikojnë, kujtojnë ata, edhe masat që dëshirojnë të marrin.
Mbi këtë pikë nuk kam zoti Kryetar veçse dhe një fjalë. Jam në dijeni të sigurtë se im vëlla, para se t’i jepte fund jetës, punë që ua tha shokëve qysh në Delvinë, ka lënë një dokument të shkruar me dorën e tij. Ky dokument nëpër duar të zyrtarëve ka shkuar në Tiranë. Këtë fakt e dinë të gjithë. N’at dokument poshtë-lartë thuhen këto fjalë: ‘Se lëvizjen e organizoi ay vetë, se s’ka pas marëveshje me të tjerë dhe se qëllimi i tij ka qenë e mira e vendit dhe e nacionalizmës shqiptare’. Pse nuk dolli në mes të akteve të tjera dhe ky dokument? Pse u mshef dhe s’u bë më fjalë për të? A ka nevojë të komentohet mshefja e këtij akti nga organet e qeverisë? Por ai dokument duhet dhe është fjalë e fundit mbi këtë lëvizje. A nuk e kuptoni dhe zotnia Juej, si gjithë të tjerët, se po të sillej ai dokument këtu në gjyq 90% të akuzave, për sa i përket qëllimit të lëvizjes, do të binin përdhe pa asnjë fjalë.
Zoti Kryetar, tashti kthehemi tek qëllimi dhe kuptimi i lëvizjes së Delvinës. Rezultojnë të vërteta këto:
1. Lëvizja e Delvinës nuk ka patur asnjë marrëveshje ose përpjekje as me ndonjë organizatë të huaj jashtë ose brenda shtetit, as me kundërshtarët politikë të regjimit jashtë dhe brenda.
2. Levizja u mendua dhe u zbatua brenda dhjetë ditëve dhe morëm pjesë ata që i zuri hera: ca si Gjylbegu për miqësi, ca sepse ishin të mërzitur nga gjendja e sotme e punëvet dhe nga të tjerët, ca sepse ishin nën urdhëna e s’mund të kundërshtonin, ca nga dashuria dhe respekti që kishin për tim vëlla.
3. Është gënjeshtër pretendimi i prokurorit se ka qenë formuar një komitet. Përveç tim vëlla Ethemit që vendosi me dy maj punën e lëvizjes, vetëm unë dhe nëntoger Tajari, bile ky para meje, e kemi ditur çështjen. Gjithë të tjerët e kanë marrë vesh ditën e fundit ose disa orë para lëvizjes.
4. Kjo lëvizje, larg nga të qënit kundra regjimit, ka qenë e konceptuar dhe u zhvillua brenda sistemit e regjimit dhe me mjete e me njerëz të regjimit.
5. Lëvizja e Delvinës nuk është një revolucion. Mjetet dhe organizimi në të cilën bazohej e thonë çeltazi se as që kish qëllim dhe as që mundet të merte me fuqi frenat e Qeverisë. Me 200-300 veta nuk arrihej Tirana. Objektiva ma optimiste ishte Vlora. Ndoshta andej mund t’ushtrohej vetëm një presion moral mbi Tiranën.
Dikush, një nga mufetishët e shumtë që më ka pyetur këto ditë më bëri dhe këtë pyetje: Po kur s’kishit shpresa fitimi, pse e bëtë kot këtë sakrificë? Sigurisht këtë pyetje zoti Kryetar e bëjnë shumë shqiptarë dhe pak janë ata që përgjigjen. Përgjigja ime është kjo: Në çdo ndërmarrje njeriu mund të futet me bindje ose me gjysmë bindje. Por, kur është çështja që t’i futesh një pune në të cilën nëtëdhjetë për qind përfundimi është vdekje, atëherë duhet një pasion i fortë, një shtytje idealistike e pazaptueshme. Ata që kanë tru e mendojnë, ata që kanë zemra e ndiejnë. Shpesh herë vijnë në të tilla gjendje shpirtërore dhe kur vijnë aty do ta bëjnë një send, do ta gjejnë një udhë për të përfunduar. Im vëlla kish arritur në këtë gjendje. Ay besonte se punët e këtij vendi venë mos ma keq, për shkak se janë organizuar në mes tyre nja 40-50 veta dhe me intriga dhe shpifje kanë mundur të shtënë në dorë një pjesë të madhe të fuqisë shtetnore dhe bëjnë gjithë ato që kanë bërë e që bâjnë e që dihen nga të gjithë.
Ay besonte se kjo klikë e organizuar u themelue definitivisht dhe se shqiptarët arrijtën një të tillë shkallë demoralizimi sa kurkush nuk guxonte më të bëjë zë dhe kështu gënjeshtra dhe korrupsioni filluan të shtien rënjë të thella dhe të rrezikshme. Nga këto e shumë shkaqe të tjera, që s’është nevoja t’i rradhis këtu, ai besonte se dikush duhet të bënte një sakrificë që të kish kuptimin e një proteste morale, që të provonte se ata që duan këtë Atdhe me gjithë shpirt, kur u mbushet mendja se Atdheu ka nevojë për sakrificë, e bëjnë. Dhe im vëlla ju fut rrezikut dhe u sakrifikue në një mënyrë aq të thjeshtë dhe aq të pastër sa çuditi shumicën e shqiptarëve që rrojnë për të ngrënë e rritur fëmijë.
Kryengritja që bëri im vëlla, larg nga të qënit tradhti kundra Mbretit, për të cilin ai ka pasur respekt dhe admirim të thellë gjer sa pat frymë, është një vepër heroike, nje vetësakrifikim si ai që bëjnë idealistat japonezë, kur binden se tjetri ka faj, është më në fund një dackë morale e madhe për të gjithë ata shqiptarë që kanë për qëllim të fundit të jetës së tyre sigurimin e rrogës dhe të mirëqenies personale. Im vëlla zotit Kryetar nuk e quante Shqipërinë një vend për t’u pasuruar, ose një hotel ku rrihet provizorisht me valixhe të mbyllura gati për të ikur kur fryjnë erëra të rrezikshme. Për tim vëlla Shqipëria dhe Mbreti dhe e mira e tyre ishin një ideal me forcë të madhe. Këtë nuk e provon vetëm vepra e tij e fundit. E gjithë jeta e tij zyrtare është një dëshmi e pamohueshme e pastërtisë së tij shpirtënore, e besnikërisë së tij dhe e patriotizmës së tij të kulluar dhe të nxehtë. Ato rubulldira e thashetheme që dëgjohen sot nga goja histerike, si ajo e prokurorit me shokë, organe të verbër të asaj klike kundra të cilës ne luftuam dhe u sakrifikuam, ato janë zoti Kryetar prova e mizerjes morale në të cilën kanë zbritur ata vetë dhe ku përpiqen të zbresin tërë shoqërinë shqiptare. Fakti që Kiço Bisha ndodhet n’atë tribunë sot dhe unë këtu, fakti që ai m’akuzon për tradhëti kundra Regjimit dhe Atdheut dhe unë mezi kam leje të mbrohem me pak fjalë asht veçse një tallje e fatit.
Zoti Kryetar, tashti është koha t’i jap fund edhe unë fjalës time, ndofta pak të mërzitshme për zotninë Tuej, por unë nuk mund të rri pa folë. Ai që ish i veprës veproi dhe u zhduk. Unë që nuk qenkëshe veçse i fjalës, mbeta këtu të grindem me zotin Kiço Bishën. Si Ethemi, si unë, si Gjylbegu e Shtëpani e ndonjë tjetër kemi qenë njerëz të regjimit dhe nga mâ të mirët. Im vëlla, që disa muaj mâ parë drejtonte me besim të plotë dikasterin e Brendshëm dhe që unë dij se i ka paraqitur vetë ai sovranit disa raporte mbi mënyrën e luftimit të propogandës së literaturës komuniste në Shqipëri dhe sesi duhej vepruar për rrënjosjen e ndjenjave nacionaliste, sidomos në brezin e ri, me qëllim që të formohet ndërgjegja kombëtare dhe të bëheshin ca më të ngushta lidhjet ndaj fronit dhe popullit, pra im vëlla mund të akuzohet sot nga armiqt e tij si komunist dhe si kundërshtar i regjimit, pse këta armiqtë e tij nuk kanë veçse një rrugë: Të përdorin çdo mjet e çdo mënyrë për të forcuar pozitat e tyre dhe mirëqenjen e tyre. Mirëpo gjith ata që kanë ndërgjegje dhe gjykim dhe sidomos ai që qëndron në krye të fatevet t’Atdheut e kupton fort bukur realitetin.
Jeta jonë si shoqëri dhe si shtet, zoti Kryetar, i ka këto pamje të dëshpëruara. Poza e këtyre xhandarëve që na ruajnë se mos ikim, qëndrimi dhe tellsemi i oficerave dhe organeve të tjera që na vërejnë, heshtja e mitur dhe e frikshme e këtyre kurjozve që guxuan dhe erdhën të dëgjojnë këto ditë, morali i dëshpëruar i shumicës së të pandehurve, familjariteti me të cilin zoti prokuror këndoj pretencën dhe kërkoj dënimin e kaq njerëzve me aq lehtësi sa kërkon një pjatë gjellë, gjithë këto fjalë e këto skena që u zhvilluan këtu në këtë qoshe të ndrydhur të kalasë së Gjirokastrës, të gjitha këto ngjarje, zoti Kryetar, kanë kuptimet dhe shpjegimet e tyre për ata që kuptojnë dhe të gjitha përbëjnë një pjesë të dramës të jetës sonë kombëtare. Varieteja e ngjarjeve në një popull është shenjë gjallërie për atë komb.
Pa sakrifica, pa lot, pa gaz e pa punë e pa dalldisje, qofshin këto dalldisje si ato të zotit prokuror e të kategorisë së tij, qofshin si këto të mijat, nuk mund të ketë jetë, gjallëri dhe zhvillim. Ligjet e sociologjisë dhe të zhvillimit të shoqërisë njerëzore nuk janë fjalë që thuhen sot e ç’thuhen nesër. Janë rregulla të hekurta të cilave nuk u shpëton dot asnjë shoqëri njerëzore.
Për vehten time s’kam se ç’u them zoti Kryetar. Me sa munda të kuptoj unë, zoti Prokuror kërkoj dënimin tim me vdekje. Bëri atë pjesë që i përket të bënte e në qoftë se zoti Kryetar e ndërgjegjia e të gjithë anëtarëve të këtij trupi gjykues është skllavëruar nga të pesë nenet e ligjit për faje politike dhe nga kushtet e tjera që unë si di, në qoftë edhe se të gjithë Ju do të bashkoheni me zotin prokuror dhe kështu në dramën e jetës shqiptare do të merrni rolin e ashpër të shtypësit, e atij që shtyp, atëherë dhe unë do t’i përulem rolit fatal të të shtypurit, t’atij që shtypet. Dhe këtë do të mundohem ta bëj me qetësi shpirtnore, sepse unë jam në gjendje ta çmoj se si zotnija Juej ashtu edhe unë nuk jemi veçse disa nga veglat nëpër të cilat ecën dhe zhvillohet dritoria e këtij Atdheu për të cilin unë sakrifikova gjithë ç’kisha më të dashur e më të shtrenjtë në jetë. Sakrifikova vëllezërit, humba familjen, humba dhe vehten”.
Të gjithë të pandehurit e tjerë kërkuan mëshirë prej trupit gjykues.
Gjyqi u shty për të premten, për të shpallë vendimin definitiv.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…
Burimet
AQSH, Fondi 152, Viti 1937.
AQSH, Fondi 157, Viti 1937.
AQSH, Fondi 294, Viti 1937.
“Arbëria”, 1936.
“Demokratia”, maj 1937.
Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Tiranë 2001.
Fletore zyrtare nr. 1, 11 janar 1936, dhe nr. 37, 19 maj 1937.
Fjalori enciklopedik shqiptar, “Kristalina-KH”, V.III, Tiranë, 2009,
Ismet Toto, Larg dhe afër, saga e një familjeje, “UET Press”, Tiranë, 2017.
“Miku i popullit”, 28 nëntor 1931.
Veli Haklaj, Kryengritja e Delvinës e vitit 1937, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009.