fbpx

Kryesore

Dilaveri, protestuesi që kërkon t’u prishë festën pushtetarëve





               Publikuar në : 10:31 - 16/11/19 |
Freard Rista

Nga Freard Rista


Dilaver Nela, 56 vjeç, herë pas herë shfaqet në kamera. Ai ka rënë në sy për origjinalitetin e protestave që bën. Ka mesazhe të forta, të zgjuara dhe ironike. Por, është gjithnjë vetëm. Shumica e njeh si “protestuesi me tepsi”, pasi ditën e parë që doli në shesh para 7-8 muajsh, kishtë vënë një tepsi në kokë, për të ironizuar kryeministrin e vendin, i cili jo pak herë e ka përdorur këtë ‘enë kuzhine’ në retorikën e tij, veçanërisht në kohë fushate.



<
>
6 2 4 8 3

Disa të tjerë, përfshirë mediat, kryesisht ato sociale, e njohin edhe si “protestuesi i vetmuar” apo “protestuesi perendimor”. Kjo për shkak se ai del në betejë gjithmonë vetëm, anipse, kauza për të cilën ngre zërin, i përket shumicës.


“Unë kam disa muaj që dal. Dal vetëm jo se s’dua mbështetje apo shoqëri, por sepse shumica e protestave kanë karakter politik, dhe unë nuk dua të më etiketojnë si të përfshirë në politikë. Mirëpo kauza të tilla si ajo e studentëve, Astiri apo Teatri, janë kauza që duhen mbrojtur edhe pse thellë-thellë kanë karakter politik. Atyre në Astir po u prishin folenë, këtej duan të prishin Teatrin që as tërmeti nuk e prishi dot. Shkurt, janë thjesht një grusht njerëzish që duan të shkatërrojnë Shqipërinë”, thotë Dilaveri, në një bisedë me gazetën Mapo.

56-vjeçari nga Kurbini, është i sëmurë me zemër. Ai jeton vetëm në një shtëpi në kushte jo të mira, andej nga zona e Tufinës. Del në mëngjes herët për të punuar, bën detyrën e tij si qytetar model duke protestuar çdo ditë për një çështje të caktuar, e shkon përsëri në shtëpi, nga e cila nuk del kurrë natën.

“Jeta personale nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Unë jam një punëtor i thjeshtë. Kur bëhet fjalë për një kauzë të madhe, ana personale ka pak rëndësi. Se ka edhe pjesë të dhimbshme ana private. Në të gjithë këtë flluckë padrejtësish që u është bërë shqiptarëve, jam edhe unë një viktimë”, thotë ai, pa qejf për të dhënë imtësi nga të tijat, megjithëse i mbushen sytë me lot, çka tregon se brengat i ka jo të vogla.

Këto ditë Dilaveri po proteston te Panairi i Librit. Kjo për shkak se ai nuk e duron dot faktin që në një event të tillë kulturor, marrin pjesë dhe kanë protagonizëm politikanë të pashkolluar, ndërkohë që, sipas tij, kjo duhet të ishte skena e studentëve dhe profesorëve.

“Ja sot jam këtu te Panairi. Shikon lloj lloj idiotësh që bëjnë referata politike, në një vend ku është për studentë e akademikë”.

I veshur keq, çka flet për kushtet e tij ekonomike, Dilaveri mban një pankartë në duar e një çantë në shpinë. Ajo është çanta e punës. Duke folur, me kujdes mbështjell pankartën, hap çantën e prej aty nxjerr disa sende të bukura që i ka punuar vetë me dorë.

“Unë në momentin që dal protestoj jam edhe në punë. Ja në këtë çantën që sheh ti kam disa gjëra dekorative që i bëj vetë me dorë. Mundohem të fitoj ndonjë gjë pa më tatuar kush. Sa për të mbijetuar. I bëj me gurë lumi dhe me ah pishe. Shkoj në Erzen, me këmbë ose me autobus dhe i mbledh. Këto mund të përdoren për të mbajtur gjëra suvenire, zbukurime apo dhe lule”.

Dilaveri i shet këto punime ku të mundë, nga 10, 15 apo dhe 20 mijë lekë të vjetra. Mirëpo, për shkak të idealeve të tij dhe dëshirës për të protestuar, blerësit janë larguar dhe shitjet kanë rënë. Ndoshta rezistenca qytetare nuk po e ndihmon biznesin e tij.

“Këto punime është vështirë për t’i bërë, e vështirë për t’i shitur. Mua më janë larguar klientët, më janë ulur kërkesat pasi e shohin që dal e protestoj kundër partive. Mirëpo edhe pse kjo gjë më ka penalizuar, unë përsëri vazhdoj. Vazhdoj në mënyrë ritmike, punoj për të protestuar dhe protestoj për punën. Edhe këto pankartat që marr e kanë njëfarë kostoje. Edhe koha është kosto. Edhe më parë jam marrë me këto gjërat artizanale, por edhe me punë të ndryshme, punë krahu më shumë”.

Kur doli ditën e parë në protestë, i veçantë në llojin e tij, Dilaveri nuk i shpëtoi dot mediave, të cilat e panë më shumë si një personazh gazmor, me të cilin mund të mbushnin hapësirën, pa e ditur që brenda fasadës së një njeriu të çuditshëm në pamje të parë, fshihej një krijesë e vuajtur, por me një bagazh, dituri e lexime. Më tej, nga batutat e bisedat me ta, shumë gazetarë mbetën të habitur. Nuk e prisnin që “protestuesi me tepsi” të ishte një njeri i kultivuar. Kjo me gjasë edhe sepse shoqëria jonë nuk përton të të paragjykojë më parë, se sa të të njohë.

“Për sa i përket studimeve, s’dua të flas se janë kohë të shkuara e tani del se janë kohë të humbura kot, e kur i kujtoj më dhemb zemra. Kur shikoj kush më përfaqëson në Parlament, më vjen vërtet keq. Atje ka të pashkolluar e kriminela, ndërsa unë kam anglishten dhe greqishten të mbrojtur, rusishten të pambrojtur, më vjen të them ‘hapu dhe’”, shprehet ai i revoltuar.

Dilaveri çdo ditë mendon se ku dhe për çfarë do protestojë të nesërmen. Duke folur për Mapon, ashtu i përhumbur e i mërzitur me këtë jetë të padrejtë, 56-vjeçari nuk i kursen kritikat për të gjithë klasën politike në vend. Ai është i zhgënjyer dhe prandaj ka vendosur që të dalë e të thotë mesazhin e shqetësimin e tij çdo ditë, edhe pse e pranon që këtë sistem nuk e shemb dot i vetëm.

“Pse dalë unë në protestë? Sepse jam i pastër, as nuk kam vjedhur as nuk kam vrarë, dhe iu dal përballë pa frikë. Jam i zhgënjyer nga i gjithë ky sistem. Në fakt nuk është sistem, por anti-sistem. Sistemi këtu te ne ka mbaruar në vitin 2016 kur u bë votimi i Reformës në Drejtësi. Të gjitha i ka marrë qeveria me dhunë, jo me vota. Kur shikon që demokracia ka marrë fund që te vota, që në momentin që, matrikullon gishtin, vetëm atëherë do dalësh. Kjo është njëra anë, ana tjetër është protesta e studentëve. Kur pashë se si mbaroi, se si u shua protesta e studentëve, se si politika i përçau, atëherë unë duhet të dilja. E njejta gjë edhe me Teatrin. Kur pashë se si artistë të mirënjohur u shitën e u blenë, shkelën mbi dinjitetin e tyre, atëherë thashë me vete ‘epo mbi dinjitein tim nuk do shkel unë’. Do dal unë atje përpara, do them dy fjalë. Unë e di që sistemin nuk e prish dot, sikur të jesh Herkuli. Unë kam në dorë vetëm t’u prish festën. Prandaj dal. Jam dakord me një gazetar tonin që ka thënë, ‘Guacka e këtij sistemi është shumë e trashë, pavarësisht se është e kalbur’. Ai ka të drejtë pasi kjo kalbësira mund të krijojë probleme. Përhapen sporet dhe shtohet kalbësira”.

Mirëpo a do të vazhdojë Dilaveri të protestojë, kundër këtij sistemi e kësaj klase politike, të pandjeshme ndaj atyre që ngrenë zërin, që rezistojnë e kontestojnë?

“Sa të kem mundësi unë do të vazhdoj të protestoj. Unë mund të them edhe këtë, që mund të vij një ditë që të dorëzohem, se me shëndet dhe me ekonomi nuk jam mirë, s’kam çfarë të bëj, por që të shitem, kurrë! Dilaver Nela nuk shitet e as nuk blihet”, shpall me tone të ngritura, 56-vjeçari nga Kurbini.

Ai ka zënë vend kësaj radhe te shkallët para Pallatit të Kongreseve. Në largim, të lë dhe një porosi.

“Meqënëse po shkon te Panairi, të sugjeroj një libër të Balzakut, ‘Lëkura e shagrenit’”, thotë, e largohet me pankartë në dorë e me çantë mbi shpinë, ashtu me ngadalë, duke i tërhequr këmbët zvarrë.


Etiketa: , , , ,

Pas