Cili është vendimi që do të marrë PD dhe Lulzim Basha, për Sali Berishën? Momenti më i vështirë politik për demokratët që do të përcaktojë ndoshta të ardhmen e tyre. Një raport i plotë i Gazetës MAPO për të gjitha zhvillimet nga paraditja e 19 majit kur doli dekreti i Sekretarit të Shtetit, e deri më sot
Partia Demokratike është në një prej momenteve më delikate në histori, 3 dekada pas krijimit. Asaj dhe Lulzim Bashës i kërkohet të marrin një vendim për Sali Berishën, liderin historik, dhe njeriun më influent deri më sot në këtë forcë politike. Kërkesa vjen nga Shtetet e Bashkuara, që janë aleati strategjik, dhe me një autoritet institucional dhe moral të pakontestueshëm në vendin tonë.
Ish-kryeministri është deklaruar i prerë që jo vetëm nuk do të largohet, por do të vijojë me më shumë energji aktivizimin si deputet në legjislaturën e re që pritet të nisë në shtator. Të gjithë sytë janë drejtuar nga Lulzim Basha. Ai duhet të jetë personi më i paqetë sot në Tiranë.
Ndoshta dhe më i pagjumi, përkundër damkosjeve që i kanë bërë kundërshtarët. Nuk ka pasur PD dhe lidershipi i saj dilemë më të madhe se kjo në këto kohë. Një vendim do të merret, por cili do të jetë ai. PD zor se e ka luksin të shkojë në një kurs përplasjeje me SHBA. Nga ana tjetër, ndarja me forcë, pa konsensus me Sali Berishën, do të sillte jo pak kosto e trazim. Këto zhvillime, e kanë bërë gushtin e nxehtë për shqiptarët, tejet përvëlues për demokratët.
Gjithçka nisi me 19 maj paradite. Titrat e ekraneve informative lëshuan me flash të pandalshëm një njoftim të pazakontë.
“Veprimet korruptive të ish Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne qëndrojmë të #BashkuarKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri“, ishte kjo deklarata e Sekretarit të Shtetit Antony J. Blinken.
Më tej, në faqen e Ambasadës amerikane në Tiranë, jepej njoftimi i plotë.
“Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.
Pati një paralizë të menjëhershme. Gjithçka ngriu atë moment. Njeriu më me ndikim në politikën shqiptare, më i pushtetshmi po ashtu, ai që për 3 dekada i kishte prirë zhvillimeve në vend, President për 5 vite, dhe Kryeministër në dy mandate, po nxirrej nga loja. Dhe më shumë, me këtë përcaktim edhe nga historia.
Pak orë më vonë, erdhi reagimi i Sali Berishës. Një deklaratë e gjatë, e menduar, e hedhur jo me nxitim mesa duket, në faqen e tij në Facebook. Lideri historik i PD hodhi poshtë akuzat, dhe kërkoi transparencë, duke sfiduar Sekretarin e Shtetit të bënte të ditur faktet. Berisha lëshoi dyshime se ky akt ndaj tij, ishte i investuar nga George Soros.
“Zoti Sekretar!
Nga mediat u njoha me vendimin tuaj për të ndaluar hyrjen time ne SHBA. Lidhur me këtë vendim, dua të shpreh sa vijon. Gjatë 30 viteve në politike nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adrese time, nga asnje person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfaredo lloj tjetër korrupsioni. Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia ne pushtet, por dhe deri me sot, familjaret e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri me sot, nuk kanë qënë kurrë nën akuze nga drejtesia shqiptare apo e ndonjë vendi tjeter.
Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë baze konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi. Gjithashtu gjykoj se një ndër faktoret më kryesorë që qeveria që une kam drejtuar arriti të anetaresoje Shqiperinë në NATO, të firmose Marrveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizoje vizat me BE, të arrije nivelin e pragut te MCAC, dhe të terheqe investime madhore, por edhe të shenoje kulme në marredheniet midis dy vendeve tona mike, ka qene lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vleresime të qeverisë së SHBA. Gjatë 30 viteve në politike unë kam patur në SHBA, dhe kam me shume se në çdo vend tjeter, miq te medhenj, me te cilet ndihem gjithnje krenar. Mirenjohja ime mbetet e pakufishme për gjithçka vendi i juaj i madh ka bere per lirine e kombit tim.
Po keshtu jam perpjekur dhe nuk kam nguruar kurrë të marr çdo vendim në interes të përbashket midis dy vendeve. Dua të theksoj se vendimi juaj nuk mund të lekundë kurrë admirimin tim për vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqtë e mi në SHBA. Unë kam 8 vite që kam dhënë doreheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qendruar i vendosur ne mbrojtjen e interesit publik dhe kombetar te shqiptareve, ashtu siç i vlerësoj unë ato.
Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e droges, lidhjet e tyre me zyrtaret më të larte shqiptarë, por edhe te huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu, unë kam mbeshtetur reformen ne drejtesi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt te ndërmarre ne kundershtim flagrant me amendamentet kushtetuese per vendosjen e kontrollit te plote politik mbi sistemin e drejtesise. Unë gjithashtu kam denoncuar ne mediat shqiptare dhe te huaja, duke ditur shume mire pozicionin por edhe lidhjet e panumerta te tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin me kryesor te politikaneve te sotem dhe ne gjykimin tim, si nje armik te vertete te demokracise ne vendin tim.
Perveç kesaj kam denoncuar i pari dhe me forcen me te madhe, publikisht dhe vetem publikisht, projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosoves, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit ne Beograd, per çka dhe dhe jam kercenuar per pasoja, por natyrsht nuk jam impresionuar. Së fundi, duke mos pretenduar kurrë se une jam i pagabueshem, duhet t’ju garantoj se une ndjehem krenar me te gjitha qendrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qënë dhe do të jenë të motivuara vetem nga interesi publik dhe kombetar i kombit shqiptar dhe e verteta, të cilat unë i kam mbrojtur njelloj si sot edhe ne kohen kur te rinjte shqiptare ekzekutoheshin në kufi per realizimin e endrres tyre amerikane”, shkruan Sali Berisha.
Pas daljes dhe konfirmimit në një farë mënyrë të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, kjo ishte goditja e dytë e fortë për demokratët. Po atë ditë, me 19 maj pasdite, reagoi edhe Lulzim Basha. Duhet thënë, se deri më tani, ky është qendrimi i tij i parë dhe i fundit në publik për këtë çështje, edhe pse ngelet një prej temave më të debatuara.
“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z.Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.
Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.
Gjatë kohës që z.Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.
Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin SHBA. Për fat të keq, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian.
Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të PD me SHBA. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar. PD është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shkruan Basha në deklaratën e shpërndarë në media.
Për disa javë, duket se çështja qëndroi pezull. Lajmet e tjera të ditës nisën të zënë vend e të përcaktojnë agjendën. Mirëpo, asgjë nuk ishte mbyllur. Me 30 korrik, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, dha një prej deklaratave më të pazakonta dhe tronditëse në shkallët e Partisë Demokratike, pasi kishte mbaruar një takim të gjatë me kreun demokrat, Lulzim Basha. Thelbi i mesazhit ishte për krijuesin dhe liderin historik të forcës politike, të asaj selie nga ku zonja Kim po dilte.
“Pata një diskutim shumë të mirë dhe të plotë me Kryetarin e PD Lulzim Basha sot. Ishte në vijim të takimit që ai pati kur zv-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Phil Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës. Nuk ka dyshim për rolin historik që PD ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator. Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR.
Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Teksa PD kthehet në parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit.
Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”, tha Kim.
Referenca ishte e qartë. Bëhej fjalë për Sali Berishën, dhe kërkesa ishte ndaj kryetarit të PD, që të merrte vendim. Ish-kryeministri, nuk duhet të jetë në Parlament. Lideri historik, reagoi menjëherë.
“Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me nje deklarate fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu permendur barin, në dhunim flagrant të misionit te saj, i kerkoi Kryetarit te PD që Sali Berisha të mos futet në parlamentin e ardhshëm. Lidhur me këto deklaroj sa vijon:
Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishen të permbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhesit shqiptare ne mbrojtje te interesit kombetar dhe publik te shqiptareve.
Qe nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit te Sekretarit Blinken, te bazuar ne lobimin korruptiv te Edi Rames dhe George Soros, armik i demokracise së shqiptareve dhe shpifjet e tyre, une i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikoje çdo fakt, dokument apo prove që ai ose kushdo tjetër mbi toke disponon për të faktuar ato që ka shkruar në vendimin e tij. Por deri sot, nuk është publikuar asnjë prove dokumet apo fakt vetem e vetem se ato nuk ekzistojne. Për të gjitha keto une kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken per shpifje ne Gjykaten Korreksionale te Parisit.
Deri sot Departamenti i Shtetit me zedhenesin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka te bazuar ne raporte te NGO lokale, rajonale dhe nderkombetare, raportet e mediave dhe raportet investigative antikorrupsion te qeverise shqiptare.
Domethene vendimi i Sekretarit Blinken eshte bazuar ne raportet e armiqeve te mi, NGO te kontrolluara nga George Soros dhe raportet e mediave te kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete te Edvin Rames te pa publikuara kurre ne Shqiperi.
Duke shprehur bindjen se vendimi eshte nje abuzim i paster me ligjin e Kongresit te SHBA, perdorimin e tij si arme kunder kundershtareve politik te multimilardierit George Soros dhe mikut te tij te ngushte Edi Rama, une pavaresisht nga keto perseri ftoj Sekretarin Blinken ti bej te gjitha publike.
Perveç ketyre e ftoj Sekretarin e Shtetit te ndikoje tek Edi Rama qe te votojme ne parlament ligjin e vetingut te politikaneve. Unë dua ti rikujtoj zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që u permende demokrateve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar, është një fyerje për çdo demokrat dhe per çdo shqiptar të cilet citate të ngjashme i kanë degjuar vetëm ne diktature apo nga raciste albanofobe.
Së fundi, nuk e di nese takimi i sotem i Zj ambasadore Kim ka ndonje nxitje nga denoncimi im i marreveshjes se dyshimte që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Instututi East Ëest që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të beni transparente këtë marreveshje ju siguroj se sikunder deri sot do të denoncoj çdo afere të dyshimtë nga cilido dhe pa asnjë hezitim.
Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar, por transparence!”, shkruan Sali Berisha.
Zonja Kim pati përmendur në komunikimin me gazetarët, se çështja ishte në vijim të takimit që Riker pati me Bashën më 30 qershor. Që do të thotë se zyrtari i lartë amerikan e kishte përsëritur këtë kërkesë për Berishën. Çka tregon vendosmëri dhe konsekuencë lidhur me aktin e Sekretarit Blinken. Njoftimi i ambasadës për vizitën e Riker, ishte si më poshtë.
“Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker vizitoi sot Tiranën. Gjatë vizitës, ai u takua me Kryeministrin Rama, Kryetarin e PD Lulzim Basha, disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqës të tjerë. Përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë. Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ai përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon. Ai mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian”.
Pra në këto paragrafe vihet në dukje sërish rëndësia e luftës ndaj korrupsionit madhor, dhe përcaktimeve publike të Sekretarit të Shtetit. Po beteja me Berishën, e Ambasadës, është zhvilluar edhe në forma të tjera. Me 22 qershor, duke përkujtuar 30 vjetorin e vizitës së ish-Sekretarit të Shtetit në Shqipëri, Baker, selia e SHBA në Tiranë u kujdes që në foto të mos dallohet Sali Berisha, atë kohë kreu i PD dhe Opozitës.
Po atë ditë, ish-kryeministri, publikoi në rrjetin e tij social imazhe nga mitingu madhështor, ndoshta më i madhi që ka parë ndonjëherë vendi në këto 3 dekada, si dhe fjalimin e plotë të Baker, i cili e nis duke falënderuar doktor Berishën, për ftesën që i ka bërë.
Teksa ka kaluar java e parë e gushtit, shtatori ngjan se do të mbërrijë shumë shpejt. Pushimet do të mbarojnë, por zonja Kim la të mërkurën sërish një porosi për liderët kryesorë në vend, që të sigurohen edhe një herë dhe të kontrollojnë listat e deputetëve, në mënyrë që në shtator, në Kuvend të futen njerëz me të cilët zgjedhësit shqiptarë të ndihen krenarë.
Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp të nesërmen, (të enjten) ku tha se nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas, përkundrazi. Ai njoftoi se avokati i tij në Paris, ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj Blinken, në Gjykatën Korreksionale në Francë. Ai i quajti të papranueshme qendrimet e ambadores amerikane. E cilësoi si unike në botë, që zonja Kim, t’i thotë një vendi se kush duhet apo nuk duhet të jenë në Parlament. Berisha tha se nuk ka forcë në botë që ta ndalojë të ushtrojë të drejtën e tij, dhe të paraqitet në Kuvend.
Partia Demokratike zor se do të ketë gjetur qetësinë e duhur për të marrë vendimin kritik. Berisha ka vazhduar jetën e tij të zakonshme politike me denoncime në Facebook, si dhe ka dhënë intervista pikërisht lidhur me aktin ndaj tij e kërkesën e SHBA që të mos paraqitet në Kuvend.
Herën e fundit, ai është shprehur me një fjali tronditëse, se PD më mirë të mos ekzistojë, se sa të heqë dorë nga parimet mbi të cilat është krijuar. Lulzim Basha deri tani nuk ka bërë asnjë koment në publik për çështjen më të nxehtë ndoshta të karrierës së tij politike, dhe që do të jetë përcaktuese për të ardhmen.