Editorial

Dimri i dytë i çadrave që akuzojnë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:13 - 06/09/20 |
Mapo.al

E para gjë që bëri qeveria pas tërmetit të 26 nëntorit, ishte sigurisht gjetja e një prej atyre fjalive të bukura për hashtag, që përdoren për të përhapur mesazhin në rrjet, për ta bërë sa më popullor, pra për të ndihmuar propagandën.


Dhe ju ku ishte, mirë e bukur, parrulla që u hodh në treg


“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”.


Frymëzuar ndoshta nga një këngë e famshme angleze, që është edhe himi i ekipit legjendar të Liverpulit. “You never walk alone”.


Kjo ishte gjysma e punës. Më tej, në ekrane e rrjet social do shihte i madh e i vogël, se si ndonjë prezencë, asistencë, a ndihmë tek tuk, futej e gjitha në rrjedhën e madhe të; Ti nuk do të jesh kurrë vetëm. Bota mbarë kuptoi se punë e madhe po bëhej. Qeveria ishte në krah të çdokujt.

Mirëpo, si shumë të tjera, rezultoi se kjo po ndodhte thjesht në sipërfaqe. Thellë në zemër të problemit, drama e tërmetit kish ngelur pa u kuruar, madje, natyrshëm plaga sa vinte e thellohej.

Të prekurit, mijëra familje, kaluan acarin e parë në çadra, apo në strehime të përkohshme. Tërmeti erdhi vjet në fillim të dimrit dhe askush nuk priste nga qeveria dhe Edi Rama të bënte ndonjë mrekulli.

Po ditët ikin.

Dhe ja ku jemi në fillim të shtatorit, një vit më pas, ku mesa duket përtej lumit të madh të fjalëve e propagandës, asgjë thelbësore nuk është bërë.

Projekte, premtime. Po qindra persona janë sërish në çadra, në Thumanë e në Durrës, duke pritur pa shpresë të kalojnë edhe dimrin e dytë aty.

Kamera ka shkuar tek ata këto kohë dhe ka zbuluar se jo pak vetëve u ka munduar edhe mbështetja për gjërat më bazike duke përfshirë bukën dhe ujin.

Dhe lajmi që një grua lindi në çadër, ishte thjesht një konfirmim brutal se muaj e muaj kanë kaluar e asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tyre, përpos shtimit të halleve.

Të pastrehët e tërmetit, dhe dështimi me gjetjen e zgjidhjes, inflacioni i premtimeve e përbetimeve, janë një e vërtetë që tregon për këtë qeveri, shumë më tepër se mijëra komente, kronika, apo statuse në rrjetet sociale.

Të mos harrojmë se mbi hallin e tyre, u tentua në mënyrë shumë perfide të ngrihej miti i Edi Ramës, si lider që u del në ballë edhe fatkeqësive natyrore e që s’ka lëkundje tektonike që e dobëson.

U shpall si kampion i gjetjes së parave, që thoshte se do i nxirrte nga dheu. U cilësua edhe Odise që bezdiset më kot nga sirenat e liga të mediave dhe opozitës.

Por mjafton pak fokusim i medias për të parë thelbin. Të prekurit e tërmetit, përkundër shpalljes, dolën se ishin krejt vetëm.

Në ato çadra, ka rënë fasada dhe bojatisja e rilindjes. Ka rënë me turp madje. Ato çadra akuzojnë.


Etiketa: , , , ,

Pas