Këto pamje të siguruara nga Mapo tregojnë vendin ku ndodhi përplasja mes policisë dhe grabitësve të avionit në Rinas. Shenjat e përplasjes janë të dukshme, ndërkohë që njëri prej grabitësve ka humbur jetën nga shkëmbimi i zjarrit.
Por si u realizua grabitja e bujshme ku thuhet se u morën 10 milionë euro?
Të mirëinformuar se në atë orar 4 banka të nivelit të dytë do të transportonin një sasi të konsiderueshme valute drejt Austrisë, të armatosur me armë tip kallashnikov dhe të veshur me kostume kamuflazh, grabitësit kanë vënë në jetë planin e grabitjes. Fillimisht kanë prerë derën në pjesën veriore të aeroportit, e cila shërben për hyrjen e zjarrfikësve. Me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” i janë afruar avionit.
Një burim nga grupi hetimor tha se grabitësit kanë hyrë me shpejtësi deri në brendësi të pistës e më pas kanë hipur tek hangari i avionit dhe kanë marrë thasët me para. E gjithë grabitja u pa nga pasagjerët brenda në avion, të cilët kanë kujtuar se po ndodh një stërvitje policore.
Burime nga hetimi i kësaj ngjarjeje pohojnë se kompania që merret me sigurimin e aeroportit, ICTS Albania, ka pikasur grabitjen dhe ka njoftuar policinë.
Hyrja dhe dalja e grabitësve është fiksuar nga një kamera sigurie, filmimet e të cilës po analizohen nga grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Ndini Tavani.
Policia e Shtetit thotë se ka patur shkëmbim zjarri mes Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe grabitësve. Njëri prej 4 grabitësve ka mbetur i vrarë. Ai është rreth moshës 35 vjeç, por nuk është identifikuar ende. Mësohet se trupin e grabitësit që mbeti i vrarë, hajdutët e tjerë e kanë lënë në automjetin që përdorën për të kryer grabitjen. Ndërkohë që tre grabitësit e tjerë kanë përdorur një makinë të dytë për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Në vendngjare policia ka gjetur disa armë kallashnikov si dhe disa granata ofensive.
Ndërkaq bëhet e ditur se policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit.