Aktualitet

Diplomacia e Familjes








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 28/11/20 |
Imer Mushkolaj

 



E dëgjoja e nuk mund ta besoja njërin nga ambasadorët kosovarë në një vend të Bashkimit Europian teksa më tregonte për një zyrtar të ambasadës se si kishte “shërbyer” disa vjet aty, por nuk e kishte lënë asnjë shenjë. Kur them “asnjë shenjë” nënkuptoj fjalëpërfjalshëm – asnjë. Pra, nga aty ai ishte transferuar në një tjetër mision dhe nuk kishte lënë asnjë copë letër për ato që do të duhej t’i kishte kryer si diplomat.
Në një tjetër rast, po në një ambasadë të Kosovës, më tregonin se si njëri nga diplomatët nuk kryente punë tjetër të hairit, përveçse shkonte rregullisht në fitnes. Po, po në fitnes. Ai, sikurse edhe tjetri i rastit të parë, paguheshin rrastë nga buxheti i Kosovës për të mos bërë asgjë. E shumta – për të shkuar rregullisht në fitnes. Natyrisht, duke i shfrytëzuar të mirat dhe privilegjet që ofrojnë postet diplomatike.
Në rastin e tretë, shoferi i një ambasade më tregonte se si enkas ishte shpërngulur nga Kosova, për të punuar si shofer, edhe pse fare lehtë për punën që bënte ai ambasada do të mund të gjente dikë në vendin pritës. Por, jo. Shoferi ishte i afërm i një politikani dhe ai e kishte rehatuar në ambasadë. Siç ishte anëtar i një partie politike tipi që nuk kishte lënë asnjë gjurmë të punës së tij në ambasadë. Siç ishte i afërt me partinë e njëjtë tipi tjetër që rregullisht vizitonte fitnesin, si punën më të rëndësishme, të vetme madje, në ambasadën ku kishte shkuar të shërbejë.
Raste të ngjashme ka sa të duash, gjithandej në ambasadat kosovare. Siç ka raste kur në disa vende janë emëruar konsuj pa pasur fare konsullata, ose janë hapur konsullata në të njëjtat qytete ku ka ambasada. Gjithçka në favor të rehatimit të njerëzve të afërt me politikanët, familjarëve të tyre ose militantëve partiakë.
* * *
Nuk duhet paragjykuar personaliteti e as aftësitë e kurrkujt që mund të emërohet diplomat. Ashtu siç nuk duhet paragjykuar as prejardhja etnike, as krahinore, as çfarëdo tjetër e askujt. Por, si po qëllon që shumë të tillë që kanë marrë e marrin pozita në diplomaci të jenë fëmijë e të afërm politikanësh, bashkëpunëtorë politikanësh, militantë partish e të tjerë të këtij lloji?
Misionet diplomatike kosovare nëpër botë kanë shërbyer më shumë si vende për punësim, sesa si përfaqësi të rëndësishme shtetërore. Natyrisht, ka përjashtime dhe shembuj të mirë.
Në shërbimin diplomatik kosovar ka njerëz me integritet, që e kryejnë punën në mënyrë profesionale dhe me përkushtim. Të denjë për ta përfaqësuar vendin në secilin rast. Por, fatkeqësisht, të tillët mbeten nën hijen e të tjerëve që nuk kanë lidhje me diplomaci, të tjerëve që pozitën e shohin si mundësi përfitimi, si ekskursion turistik me para të shtetit.
Sa e sa të rinj e të reja kryejnë shkolla jashtë vendit, sa e sa të tjerë kanë karrierë të begatshme profesionale dhe përvojë të duhur, por nuk e kanë mundësinë që të zgjidhen a emërohen në pozita diplomatike. “Detaji” që iu mungon ka të bëjë me politikën – ata nuk kanë mbështetje politike, nuk kanë të afërm në politikë, nuk janë militantë partish. Të tillët vetëm mund të shohin se si pozitat i zënë plot nga ata që nuk e meritojnë shkaku se janë të aftë, por se janë në parti ose afër saj.
Rasti i djalit të deputetit Haxhi Shala është vetëm edhe një ndër të shumtat të ngjashme. Ai mund të jetë më i miri, më i përgatituri, më i duhuri për një pozitë konsulli, por gjasat janë të mëdha që ai të mos e fitonte atë pozitë po qe se nuk do ta kishte babanë deputet. Ose, po qe se vota e babait të tij nuk do të ishte vendimtare për krijimin e qeverisë së re.
* * *
Mediat kanë raportuar ndër vite për emërime të ngjashme si këto të fundit. Të emëruarit ose të afërmit e tyre politikanë zakonisht janë arsyetuar se gjithçka ka ndodhur sipas procedurave, gjithçka ka qenë në rregull “me letra”. Një mënyrë kjo për të mbuluar skandale edhe më të mëdha.
Diplomacia është një pasqyrë e shtetit në botë. Diplomacia është ajo se si na shohin të tjerët, por edhe se si ne e shohim veten përballë të tjerëve. Për fat të keq, kjo e jona është më tepër Diplomaci e Familjes që degradon, e jo e Shtetit që përfaqëson. Është diplomaci e atyre që munden, e jo e atyre që e meritojnë. Pasojat e kësaj të stërkeqeje do të shihen më vonë.

Lexo edhe :  Mashtrimi si platformë politike







Etiketa: ,

Pas