Blog

Diplomacia e sigurisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 30/06/20 |
Nga Pëllumb Nako

Sot në Tiranë zhvillohet një tryezë e rrumbullakët me temë “Qasje Strategjike e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar. Rruga përpara”.


Tryeza të tilla zhvillohen shpesh në Tiranë dhe një e tillë më shumë nuk përbën ndonjë risi në vetvete, por nëse do të ndaleshim e të shihnim disa detaje të aktivitetit, përpara do të na shfaqeshin hapësira ndërveprimi të munguara në vendin tonë, sidomos në kontekstin e një mundësie të fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.


Aktivitetin në fjalë e organizon Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me financimin e qeverisë holandeze dhe me pjesëmarrjen e Ambasadorit të këtij vendi në Tiranë. Tryeza synon të shkëmbejë mendime rreth një bilanci të nxjerrë nga ana e Qendrës në fjalë lidhur me një studim që ajo i ka kryer gjithë strategjive të hartuara nga qeveria shqiptare në raport me krimin e organizuar dhe që njëra prej tyre e përfundon afatin e veprimit në vitin 2020.


Pra, rasti që pjesëmarrësit të njihen me bilancin e angazhimeve të marra nga vetë qeveria dhe jo të krahasuara me ato të qeverive të mëparshme.


Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me shpenzime financiare të një shteti si Holanda që harxhon fonde për shoqërinë civile shqiptare për të studiuar e për të bërë gjykime rreth qasjes qeveritare në këtë drejtim duke i mbledhur gjithë aktorët e luftës së krimit të organizuar së bashku. Në plan të parë, në atë klasik, duket si diçka e largët dhe pa kuptim financimi i studimeve të tilla dhe sidomos në kontekstin e disa debateve të para do viteve lidhur me krimin e organizuar me markë shqiptare që shqetëson autoritetet e këtij vendi dhe që e detyroi ambasadoren tonë në Holandë ta zërë me gurë qeverinë e vendit ku militon.

Kjo do të thotë që po bëhen tashmë vite që diplomacia e shumë vendeve perëndimore në vendin tonë, është kthyer në një diplomaci të sigurisë, në një diplomaci si pararojë të organeve të sigurisë së vendit të tyre për të parandaluar që në rrënjë ekspansionin (aq sa është) e krimit të organizuar shqiptar. Dhe e gjitha kjo në formë ndihmash si studimi në fjalë.

Interesi i qeverisë holandeze për financim dhe posaçërisht ajo e ambasadorit të saj për të qenë pjesë e tavolinës së rrumbullakët dëshmon interesin e këtij vendi që mbajtjen e premtimeve të qeverisë shqiptare në raport me zotimet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, të konstatojë nëpërmjet një burimi të shtuar profesional dhe jo vetëm nëpërmjet raportimeve të Qeverisë Shqiptare në Delegacionin e Bashkimit Europian apo edhe nëpërmjet raporteve të EUROPOL-it që po ashtu furnizohen nga të dhënat zyrtare të policisë sonë, por edhe nëpërmjet studimeve të tilla. Dhe në studim, nëpërmjet shifrave të raportuara ndër vite nga vetë autoritetet tona, të paktën lufta kundër kultivimit të kanabisit parashikuar në njërën prej strategjive, edhe pas planit të ri të veprimit 2016-2020, rezulton plotësisht dështim si nga ana dokumentare dhe nga ajo politike e bërë publike nëpërmjet zotimit kryeministror të heqjes së Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Kjo metodikë përbën një rrugë sigurie edhe për qeverinë e këtij vendi në mënyrë që edhe nëse del në skenë ndonjë Vlahutin e skortuar nga garda e të mbyllë sytë, të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur, qoftë edhe ndryshe nga Komisioni. Kjo që thamë më sipër është njëra anë e medaljes, ana tjetër mbetet gjithmonë ajo e sigurisë publike të çdo vendi anëtar ose jo i Bashkimit Europian pasi prej dekadash jemi në kontekstin kur problemet e sigurisë së çdo vendi kanë humbur kufijtë kombëtare duke marrë formë globale dhe ku në derën e shtëpisë, të gjendet sa hap e mbyll sytë rreziku nga një vend i cili gjeografikisht ndodhet shumë larg.

Qarkullimi i lirë mbetet fitore kolosale, por jo aq sa të vërë në pikëpyetje sigurinë e një vendi. Pra duke bashkëpunuar dhe ndihmuar luftën e autoriteteve të vendit tonë kundër krimit të organizuar, njëkohësisht rritet edhe siguria e vendit të tyre për të mos folur për integrimin e arritjen e pjekurisë së duhur për të qenë anëtarë të familjes europiane.

Në fakt këtë koncept e ka kuptuar edhe qeverisja jonë aktuale, por më tepër si batutë diplomatike. Interesimi i ambasadorit holandez në Tiranë në një tryezë të tillë jep edhe një mesazh të qartë për diplomacinë shqiptare që të veprojë me efikasitet duke njohur mirë sfidat e sigurisë publike, të rendit publik, të kriminalitetit jo vetëm të vendit të saj, por edhe ato europiane.

Sfida të tilla orientojnë në shumë raste veprimin apo aksionin diplomatik të një vendi në raport me një vend tjetër jashtë kuadrit të marrëdhënieve të mundshme të shkëlqyera historike. Këtu nuk bëhet fjalë për aleanca sigurie tradicionale apo edhe gjeopolitike me të cilat mbushen diskutimet tona diplomatike, por flitet për njohjen e ligjshmërisë dhe filozofisë së sigurisë publike dhe rendit publik të një vendi, të njohjes së burimeve dhe kërcënimeve që rrezikojnë themelet e demokracisë dhe mënyrën e jetesës së tyre.

Dhe në këtë kontekst krimi i organizuar, terrorizmi mbeten rreziku më i madh. Mjafton këtu t’i hedhësh një sy raportit të EUROPOL-it për të njohur se cili është rreziku në ngritje që kërcënon vendet europiane. Terrorizmi xhihadist ka vite që po zbehet si rrezik dhe vendin e tij po e zënë me radhë terrorizmi i ekstremit të majtë, të ekstremit të djathtë dhe lëvizjet autonomiste.

Të tria këto së bashku kanë ndërmarrë veprime rreth 4 herë më shumë gjatë viteve të fundit, krahasuar me ato me natyrë xhihadiste. Mjafton të njihen shqetësimet e vendeve ku aspirojmë të hyjmë dhe do të jemi më realist për qëndrimet e tyre dhe për veten.

Madje dimensionet e ndryshme me karakter terrorist në vendet e Europës do të ishin të mjaftueshme për të qenë më të kujdesshëm në lëvizjet diplomatike edhe në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Mund të jemi gabuar, por pak ka të ngjarë që të gjenden diplomatë në vendin tonë që të lexojnë rregullisht raportet e INTERPOL-it, EUROPOL-it, EUROJUST-it apo dhe FRONTEX-it për të parë dhe kuptuar se cilat janë rreziqet që kërcënojnë sot Europën apo vendin tonë, dhe nga e kanë burimin.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas