Prej ditës që shpalli zyrtarisht ambicien për mandatin e tretë në ambientet e një markate peshku në Elbasan, e deri sot, Edi Rama ka lëshuar disa mesazhe të ndryshme, por dukshëm asnjë ide.
Në krye, pati një adresim shumë kurajoz. Ai i tha popullit se do ta merrte të tretin mandat pasi që nuk ka në këto anë më të mirë se ai.
“Rama është më i miri”, rezonoi pa humbur kohë nëpër folësit e caktuar nga rilindja për ta shpërndarë mesazhin.
Shpejt u pa se kjo fabul e varfër jo vetëm nuk mjaftonte, por ishte sak kundërproduktive. Njerëzit edhe pse të mësuar tashmë me arrogancën e shumicës, nuk mund ta mbanin mbi shpinë edhe një fyerje si kjo.
Një fyerje e inteligjencës pasi as kripë në lagje s’mund të kërkojë dikush me këtë pretendim, jo më krejt pushtetin në vend.
Pak ditë më parë, u shfaq me një tjetër kumt.
Nga Vlora ai tha se e kërkon sërish karrigen e kryeministrit, vetëm duke u nisur nga puna. Një kthesë e fortë kjo, 180 gradë në krahasim me të mëparshmen parullë; unë jam më i miri.
Kurse pardje, shkoi edhe më larg në këtë drejtimin e kundërt me mendjemadhësinë, kur u shpreh se ai është i pakënaqur edhe nga vetja e tij.
Këto pirueta fjalësh, nuk tregojnë përmbajtje, përkundrazi. Dëshpërim dhe paqëndrueshmëri. Dëshmojnë mungesën e plotë të një projekti për të kërkuar sërish votën e qytetarëve.
Kur më në fund u fut në terrenin e alternativës dhe platformës, më keq akoma doli zbuluar skamllëku i ideve.
Sepse premtoi si zgjidhje për biznesin e vogël një propozim të kreut të opozitës, identik kryekëput. Ai e di shumë mirë se edhe sikur në të vërtetë të kishte një program, do ta kishte të pamundur t’i përgjigjej pyetjes vrastare; përse nuk e bëre deri tani.
Kakofonia e mesazheve dhe e qëndrimeve bashkohen vetëm në një pikë. Një gjë, është filli i pandryshueshëm. Mujsharia. Rama dhe rilindja duan të tregojnë muskuj me logjikën se forca ka sukses.
Prishja e marrëveshjes së 5 qershorit dhe ecja me idenë se këtu do të bëhet si them unë, është një bullizëm. Po sa larg të çon. Rama sot është i izoluar sidomos prej kësaj kuturisje. Në Berlin nuk i kushtuan asnjë dekikë, dhe me siguri tonet e larta të ndërkombëtarëve nuk kanë munguar derisa u detyrua ta shtyjë zyrtarizimin e deformimit të Kodit sipas interesave të tij.
Vëreni më tej shpatën e parë të rilindjes, Elisën. Ajo iu drejtua një natë në studio një aktivisti të ri, se e kapërdin si vakt për mëngjes.
Në të njëjtën linjë janë edhe intelektualët e tjerë të rilindjes si T.Balla, apo edhe komentatorët e qeverisë që kanë vërshuar ngado.
Kjo strategji nuk do ta lërë Ramën duarbosh në fund të fundit. Ai me gjasë synon mbledhjen e radhëve të militantëve dhe anëtarësisë pasi ka kuptuar se rilindja mund të ketë dëmtuar rëndë në 7 vite edhe besnikërinë e tyre, asnjëherë të vënë në dyshim.
Është e qartë se sa më shumë të bëjnë të fortin e të shantazhojnë kundërshtarët, e kritikët, aq më keq janë në sondazhe, aq më larg ëndrrës për pushtet të përjetshëm.