Aktualitet

Disa orë me jelekverdhët e “Astirit” në ditën e 127 të protestës





               Publikuar në : 15:02 - 10/03/19 |
mapo.al

Nga Freard Rista


U bënë më shumë se 4 muaj që ata janë në rrugë, në sheshe, në protesta. Që nga 3 nëntori i vitit të kaluar, plot 127 ditë qëndresë. Banorët e Astirit kanë sjellë një frymë të re proteste në vendin tonë. Jelekverdhët e Unazës së Re dallojnë nga protestuesit e tjerë, si për nga kauza, edhe nga mënyra se si protestojnë. Gazeta Mapo kaloi disa orë mes tyre, për të parë nga afër këtë komunitet të ri të qytetit. Edhe pse dalin cdo ditë në rrugë dhe shpesh në ekran, disa banorë që kanë marrë lajmërimin për prishjen e banesave të asaj pasurisë që kanë krijuar në jetën e tyre, sërish nuk preferojnë të dalin me emër mbiemer, pasi prokuria sipas tyre është gati t’i procedojë penalisht.



“Ne jemi gjithmonë të parët, jemi në ball të protestës sepse jemi më të prekurit”, më thotë J.Y, protestus dhe banor i Unazës së Re.


Marshimi i tyre karakteristik, nga Astiri te vendi ku protestohet, me jelekë, vuvuzela, e me thirrje shpesh poetike anti-qeveritare, i bëjnë ata të veçantë dhe përherë në qendër të vemendjes së mediave. Këtë gjë e kemi parë kur u janë bashkuar studentëve në Dhjetor dhe atyre të opozitës në Shkurt e në Mars. Edhe pse e kanë mbështetur opozitën në protestat që kjo e fundit ka zhvilluar, duket se halli i tyre është tjetërkund.

“I mbështesim protestat e opozitës, por në fakt halli ynë është tjetërkund. Halli ynë është të punojmë e të jetojmë. Këta tani, a ata që do vijnë, s’ka rëndësi. Ne duam të punojmë”, thotë V.K, 57-vjeçari që ka një dyqan materialesh ndërtimi në Unazën e Re.

Edhe 60-vjeçarja Shkurte Vata, e cila është kryefamiljare, duket se nuk dëshiron të përzihet me partitë politike. “Kam marrë pjesë në protestë që në ditën e parë kur na është vënë kryqi te porta. Unë këtu dal për shtëpinë time, jo për parti. Kam 28 vjet këtu. E kemi gjetur moçal këtë vend, tani na thonë të ikim, kjo është e padrejtë”, shprehet ajo.

Ndryshe nga protestat që zhvillojnë jashtë zonës së Astirit, në Unazën e Re nuk ka marshime. I ulur në trotuar, duke pritur që të nisë protesta e zakonshme e orës 18:00, shoh njerëz që vijnë nga drejtime të ndryshme. Disa vetëm e disa të shoqëruar. Afrohen dhe më pas veshin jelekun me vija që e kanë “fshehur” poshtë bluzave. Të bën përshtypje sjellja e tyre, ndërkohë që presin “zyrtarisht” fillimin e protestës. Ndërsa para 3 nëntorit ata nuk e njihnin apo nuk bisedonin shumë me njëri-tjetrin, sot është padyshim ndryshe. Mesa duket, halli i ka afruar më shumë me njëri-tjetrin. Janë si një familje. Njohin më së miri njëri-tjetrin.

“Ne tani jemi bërë si familje. Më parë nuk është se mblidheshim, tani çdo ditë na ke këtu. Bëjmë shumë për njëri-tjerin. Nëqoftëse dikush është në hall, nëse dikujt po i prishin shtëpinë, edhe në 2 të mëngjesit po të na marrin në telefon ne shkojmë, se po iu prish shtëpia njërit do fillojnë të na i prishin me rradhë”, thotë J.Y, nënë e dy fëmijëve, e cila ka dalë në rrugë që ditën e parë.

Me përparimin e teknologjisë është lehtësuar edhe mënyra e komunikimit. Banorët e Astirit kanë një faqe të tyren në rrjetin social ‘Facebook’. Çdo ditë bëjnë lajmërime për orarin dhe vendin e protestës. Një protestë qëndrestare, më shumë se 4 mujore, edhe pse për të drejtat e tyre, nuk duket se ka qenë e lehtë për banorët.

“Kemi 4 muaj këtu, u kalbëm. Shiko çfarë demokracie kemi, që na lë në rrugë 4 muaj. Kam marrë pjesë përditë te protesta. Kemi pasur vështirësi se kur ka filluar ka qenë dimër. Kemi dalë në të ftohtë e në shi, por çfarë të bëjmë?”, thotë K.Y, kryefamiljar.

Duket se projekti që parashikohet të realizohet në Unazën e Re, nuk prek vetëm familjarë, por edhe biznesmenë që kanë ngritur me mund e djersë punën e tyre që prej shumë vitesh.

Ka 7 vite që e kam këtë biznes. Kam qenë te protesta rregullisht. Për vete, për biznesin tim se s’kam ku e gjej këtë hapësirë. Unë kam 4 punonjës këtu, që ushqehen me këtë punë, janë familjarë, si dhe unë. I paguajmë detyrimet këtij shteti. Të gjitha taksat. Ky projekt është abuziv. Unaza e Re nuk ka problem me qarkullimin. Pengesa është te “shqiponja”, jo këtu”, shprehet Avni Mehaj, pronari i një dyqani elektroshtëpiakesh.

Mesa duket të njejtin mendim ndan edhe qytetari V.K i cili shprehet për Mapo: “Ky projekt është korruptiv. Nuk është nevoja që pjesa e djathtë të zgjerohet shumë e ana tjetër të zgjerohet pak. Të bëhet trotuari apo korsia e biçikletave, por jo aq zgjerim sa pretendojnë ata. Ne e ngrejmë zërin, por s’na dëgjohet”.

Banorët e unazës së re kërkojnë që të kenë edhe mbështetjen e qytetarëve të tjerë të Tiranës, pasi sa më shumë të bëhen bashkë, aq më shpejt do i zgjidhin problemet e tyre.

“Protestat duhet të mbështeten nga i gjithë populli, jo vetëm nga pjesa që preket. Ne kemi ardhur këtu që 20 vjet, i kemi dhënë këtij vendi, këtij shteti, kemi punuar. Sot njerëzit janë për bukën e gojës”, thotë Avniu.

Pak minuta pasi kishte kaluar ora 18:00 dëgjohet fishkëllima e një bilbili. Të bëhet sikur je në një shesh sportiv. Eshtë shenja se banorët duhet të mblidhen, protesta po fillon. Të gjithë pa përjashtim iu bindën sinjalit. Një pjesë e tyre bllokuan qarkullimin në dy anët e rrugës, ndërsa pjesa tjetër mblidhet në mest. Fjalën e merr kush dëshironte të thoshte diçka. Gjatë kohës që zhvillohet protesta boritë e makinave nuk pushojnë.

“Qëndrojmë një orë këtu. Rruga bllokohet. Kur mbaron protesta secili shpërndahet dhe ikën në shtëpinë e tij. Ikim të gjithë bashkë në grup, jo veç e veç se kemi frikë. Ditët e para, vinin furgona policie dhe kë shihnin me jelek e merrnin dhe e arrestonin”, thotë J.Y.

Edhe kjo është një tjetër arsye pse ata janë të bashkuar dhe bëjnë shumë për njëri-tjetrin. Ata janë të kujdesshëm edhe pse e kanë vrarë frikën. “Edhe kur jemi brenda në shtëpi jemi të friksuar. Troket dera, vijnë njerëz të afërm, ne trembemi, mendojmë mos erdhi policia të na prishi shtëpitë. Edhe fëmijët janë të trembur nga kjo situatë”, tregon për gazetën Mapo, Shkurte Vata.

“Jemi të pakënaqur me qeverinë. Ne i kemi dhënë votën ndërsa ata nuk kanë ardhur as të na vizitojnë e të qajnë hallet me ne. Por, unë shtëpinë time do e mbroj, ose e vdekur më mirë, se unë shtëpi nuk bëj dot më. Në atë shtëpi unë jam 3 familje, po na i prishën ne ngelim në mes të rrugës”, shton zonja Vata.

Të mërzitur, të lënë pas dore, të nënvlerësuar, banorët e Unazës së Re po “luftojnë” çdo ditë për pronën e tyre. Beteja nuk është e lehtë. Disa me lot në sy thonë: “Ka pasur edhe arrestime, vëllezërit tanë, djemtë tanë. I marrin, i frikësojnë, i torturojnë. Edhe presione kemi pasur që të ndalojmë protestën. Mesazhe kërcënuese na kanë ardhur, por ne i bëjmë thirrje shtetit të na lërë në hallin tonë, në shtëpinë tonë”.


Në orën 19:00 protesta mbaron. Banorët heqin jelekët dhe i “fshehin” përsëri nën bluzë. Sikur nuk ka ndodhur asgjë, ashtu të gjithë bashkë largohen drejt banesave me kryq për tu shembur. Bën një copë udhë me ta dhe dhe sheh më pas disa raste dorëzimi. Shumë subjekte kanë vendosur në xham fleta formati ku lexohet “jepet me qera” ose “shitet”.


Etiketa: , , , , , ,

Pas