Editorial

Disa të vërteta të votimeve dhe korrigjimet që nevojiten






               Publikuar në : 10:07 - 04/07/19 |
Nga Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla


Tashmë, zgjedhjet kanë mbaruar, dhe pavarësisht se problemet janë po aty, ende të pazgjidhura, disa të vërteta janë mjaft të qarta. Në radhë të parë, u kuptua se më shumë se sa luftë politike, për opozitën ajo u shndërrua në kauzë morale dhe rigjeneruese për sistemin-vend të Shqipërisë. Fitoi vërtet procedura e demokracisë, në kuptimin që periodiciteti i zgjedhjeve duhet të respektohet, edhe me çdo kusht. Fitoi gjithashtu, edhe mos-shpërhapja e precedentit shqiptar në vendet e tjera të rajonit. Por mbeti pa fituar, ajo që është më e rëndësishmja e demokracisë, fryma e pluralizmit (për ato bashki ku s’pati kundërshtarë) dhe fryma e “parlamentarizmit vendor”, që shfaqet në zgjedhjet për këshillin bashkiak, ku spektri i këshilltarëve është pothuajse i mazhorancës. Kjo është një padrejtësi, jo aq shumë pse i humbi opozita, aspak, por pse nuk i fituan qytetarët.



Ata nuk e meritojnë që të kenë këta të zgjedhur, jo pluralistë, e këshilla bashkiakë pa opozitë reale, e aq më tepër, të dalë pa një debat të vërtetë programesh. Tek e fundit, sistemi politik duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të partive politike, cilado qofshin. Ndaj, një palë zgjedhje ndryshe është një borxh që njerëzit e këtij vendi nuk duhet të rreshtin së kërkuari politikës dhe sidomos ndërkombëtarëve për ndihmë dhe korrigjim. Shqiptarët, në mençurinë e tyre proverbiale, promovuan paqen, por njëherësh promovuan edhe disa të vërteta të mëdha. Pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë protestash, ndoshta djegia e mandateve nga ana e opozitës hap hapësira për diskutim. Ndoshta qe ngutje, ndoshta qe provokim, por produkti i saj, edhe sikur i gabuar të qe, në zgjedhjet e 30 Qershorit duket se u shlye nga mos pjesëmarrja masive në mos votim e njerëzve. Kjo tregoi se aksioni moral i kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është shpagues për qytetarët shqiptarë dhe se vazhdimi i kësaj kauze, pa artifica, por me konsekuencë, do të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Por nga ana tjetër, tashmë që zgjedhjet mbaruan, racionaliteti i veprimeve duhet të jetë më i fortë se pasionaliteti që të gjitha llojet e zgjedhjeve prodhojnë, e jo më të tilla zgjedhje që u konsideruan vërtet si fortësisht antagoniste.

Me qetësinë dhe sigurinë e një beteje të fituar morale, duhet të meditohet edhe për një strategji të kthjellët për të konkretizuar të gjithë këtë mospjesëmarrje që dënoi mazhorancën. Në këtë masë të madhe, nuk mund të mos lexohet edhe një e vërtetë tjetër. Ajo që opozita nuk u shua, siç mëtuan mjaft analistë apo siç luftoi mazhoranca me të gjitha mjetet. Madje, partia e dytë më e madhe në zgjedhje, duket se ka qenë partia e votave të pavlefshme. Edhe ky është treguesi më i vërtetë i mençurisë që treguan shqiptarët, kundra arrogancës së ushtruar sidomos ndaj administratës për të votuar me çdo kusht. Të ndjerë të fyer në dinjitetin e vet, por të shtrënguar nga buka e gojës, njerëzit gjetën një rrugë të mesme, një rrugë që s’duhet të përsëritet më. Shantazhimi i administratës, i çdo administrate në të ardhmen duhet të marrë fund njëherë e mirë. Ky është një tjetër korrigjim i madh që duhet të ndodh urgjentisht në Kodin e ri Zgjedhor. Është trumbetuar shpesh nga mazhoranca për epërsinë që tregojnë sondazhet në fuqinë e tyre elektorale, për sigurinë që kasnecët e saj tellallnin duke thënë se “ne opozitën e mundim edhe në gjumë”.

Shifrat s’tregojnë aspak një epërsi të tillë, përkundrazi tregojnë të kundërtën, kështu që tash e tutje, të paktën mazhoranca “nuk do të na e fyejë” inteligjencën duke na bërtitur në vesh një të pavërtetë të tillë. Me këtë barrë të madhe mbi shpinë që ajo ka marrë, të gjitha bashkitë e vendit, trupin do ta kenë vështirë që ta mbajë drejt, do të ecin gjithmonë e kërrusur, ndaj opozita dhe shoqëria civile, duhet të vigjilojë e të luftojë me të gjitha mundësitë demokratike që korrigjimi të vijë pa dëmtuar demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Në të gjithë këtë orvatje të madhe, një ndihmë thelbësore duhet të vijë edhe nga sistemi i drejtësisë shqiptare. Ajo duhet të flasë urgjentisht për të gjitha përgjimet e publikuara te gazeta “Bild”, por edhe të atyre dosjeve të stërmëdha me informacione që ajo disponon. Duhet të flasë drejtësia, për t’i dhënë zë gjithë asaj mazhorance të heshtur që nuk votoi më 30 qershor. Duhet të flasë edhe politika, në mënyrë eksplicite në mbështetje të reformës në drejtësi, e sidomos të gjykatës kushtetuese shumë shpejt, e më vonë edhe SPAK-ut, që t’i japë frymë atmosferës së sundimit të ligjit, që deri më sot ka munguar plotësisht, duke sjellë këtë pështjellëzim të madh vendimesh dhe kundërvendimesh. Edhe këtë ua kemi borxh shqiptarëve të paqtë të 30 Qershorit.

Ata folën shumë më tepër duke mos thënë asgjë. Është më e mençur kur nuk ke se çfarë të thuash, në këtë gjendje ku të kanë katandisur për të votuar. Tashmë ata janë në pritje që dikush t’ua shpjegojë pse ndodhi diçka e tillë. T’u thotë se ç’e ardhme i pret, t’u thotë se politika e të dyja palëve i dëgjoi dhe i kuptoi se ç’mendim kishin. Leximet e së vërtetës nuk mund të jenë dy, sepse atëherë do të kishim të bënim me gjysmë të vërteta. Mirëpo ato mesazhe që përcollën këto zgjedhje në emër të votuesve ishin jo vetëm të vërteta, por të vërteta të plota, të kulluara dhe domethënëse. Veshët e stërvitur do të dinë ta kuptojnë tingullin dhe jehonën e atij tingulli, që mbi të gjitha, ishte besnik dhe i qartë. Kush do të ngatërrohet me dëgjimin, do të kalamendet e do të bredhë rrugëve i hutuar dhe i shpërqendruar si çdo shurdh. Veçse pas kësaj, askush nuk do t’i drejtohet më, por do të përkujdeset që ta kalojë sa më shtruar dhe mirë shurdhërinë e vet.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas