Aktualitet

Disa ushtrime të pushtetit me tepri






               Publikuar në : 09:30 - 31/08/19 |
mapo.al

Mapo.al


Zhvillimet e fundit në Shkodër, nuk janë aspak ngjarje lokale, dhe bash për këtë arsye kanë marrë vëmendjen e medias kryesore dhe të gjithë analistëve më në zë të vendit. Në thelb, ato janë ushtrime të vogla të tepricës së madhe të pushtetit. Pra, jo pushtetit për të qeverisur, marrë vendime dhe për të ecur përpara. Po të atij pushteti që është akumuluar aq shumë në një dorë, sa vetëm disa teprica të tij, mjaftojnë për të krijuar destabilitet në një rajon, e për të prodhuar skandale në seri.

Ajo çka po ndodh, është kryekreje tregues i kësaj.

Një pushtet me tepri, jashtë çdo kontrolli apo amortizimi, bën që të caktosh kandidat-kryetar për Bashkinë, dikë që vjen nga paradhoma e interesave, dhe jo një përfaqësues siç e do puna. Del fare qartë se asnjë mekanizëm, filtër nuk ka funksionuar, dhe askush nga socialistët e Shkodrës nuk është pyetur.

Vjen direktiva nga lart dhe të gjithë duhet të binden.

Është pikërisht pushteti me tepri, i pakonkurrueshëm, i pakontestueshëm nga askush, që sjell parodi të tipit, meqë dolëm keq, hajde të bëjmë një spektakël me drejtorët.

Nëse do të kishte ligj, nëse do të kishte administratë, nëse do të kishte gjykatë, komisione parlamentare, parlament apo garanci të tjera që ofron shteti, ata funksionarë nuk kishte pse të avullonin me një të rënë të lapsit.

Vëreni se çfarë kontradikte lind nga tepricat e mëdha të pushtetit. Nga njëra anë, ti thua se përgjegjësia është individuale, dhe secila mollë e kalbur le të hidhet vetë nga pema e shëndoshë rilindëse. Nga ana tjetër, për të kuruar këtë që ndodhi, ti bën ndëshkime kolektive. Përgjegjësia qenka individuale, por ndëshkimi jo.

Pushteti me tepri sjell të tilla paradokse. Teksa propagandon portale të tipit, mësues për Shqipërinë, se çdo emërim do të bëhet mbi bazën e ligjit, dhe se nuk ka më miq e ndërhyrje politike, papritur krejt në të kundërt të kësaj, me një dekret mirëfilltës partiak, me një ferman selie, largon dhjetëra drejtorë, për t’i zëvendësuar me gra.

Kjo është tashmë një sëmundje e shtrirë në gjithë vendin. Shkodra thjesht tregoi simptomën dhe e shpërtheu atë në publik. Masat e forta të Ramës, gërshetuar me spektaklin dhe propagandën synojnë të mbajnë të izoluar e të qepin plagën në mënyrë që ajo të mos përhapet kudo me efekt domino. Nuk kanë aspak parasysh, interesin e Shkodrës, dhe aq më pak jetën e qytetarëve atje. Dhe sigurisht, shenjë e pushtetit me tepri, është mbi të gjitha, ajo që rilindja dhe shefi i saj, janë pronarët absolutë të së vërtetës. Nëse dikush tenton të japë një variant tjetër, ta sfidojë vijën qeveritare, ai damkoset e demonizohet nga dhjetëra instrumente të linçimit mediatik.

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas