Editorial

Disa zhvillime që tregojnë se Rama s’po bën asnjë tërheqje






               Publikuar në : 19:32 - 22/07/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Pas zgjedhjeve të pazakonta të 30 qershorit, me një parti dhe me një pjesëmarrje të ulët, dhe sidomos pas faktit se ndryshe nga sa po predikonte, opozita nuk prodhoi asnjë destabilizim, pritej që në rrethanat e reja të krizës së thelluar, Edi Rama të tregonte një kurs tjetër, një lloj tërheqje nga marshimi agresiv ‘nga fitorja në fitore’.

Mirëpo, lajmet e fundit tregojnë të kundërtën. Thellim të vijës së ndjekur deri tani dhe asgjësim i disa shanseve për të marrë konsensusin e opozitës në përgjithësi.

Ja disa prej këtyre zhvillimeve.

Kalimi me koncesion i dy segmenteve rrugore, ajo e Milotit dhe e Dukatit, përveçse dëshmon asnjë tërheqje nga raporti i Ramës me një grusht përfituesish të buxhetit të shtetit në shuma marramendëse, rrëfen më anë tjetër një shpërfillje me kast të opozitës, e cila, pikërisht afera si këto i kishte në krye të tabelës së zjarrit.

Dhënia e këtyre dy llokmave të mëdha për ata që cilësohen tashmë nga shumëkush si oligarkë, nuk flet për asnjë lloj reflektimi të Ramës në vitin e 6-të të qeverisjes dhe në kulmin e krizës. Në të kundërt, këto marrëveshje të kaluara në Parlament, bëjnë të ditur ecje me galop në shtegun e para 30 qershorit.

Por ka edhe më. Informacionet që qarkullojnë, zhvillimi i djeshëm tek Astiri, përplasja e fortë, shoqëruar me deklaratat e Veliajt sot se puna do të ecë, të gjitha këto janë shenja që zbulojnë se projekti i zgjerimit te Unazës dhe i nxjerrjes së banorëve nga shtëpitë, do të bëhet me gjasë shumë shpejt. Ndoshta do të shfrytëzohet gushti i çmobilizimit në përgjithësi të shoqërisë.

Po ashtu, të dhënat se edhe me idenë e shembjes së Teatrit dhe ndërtimit të të riut, ka zhvillime dhe pritet të ndodhë diçka, dëftojnë se Rama jo që nuk ka hequr dorë, por do të tentojë të zhbëjë edhe vatrën tjetër të nxehtë të protestës.

Nëse godet Astirin dhe Teatrin, që kanë qenë në krye të aksioneve dhe rezistencës së këtyre muajve, që kanë qenë kurora e marshimeve të PD, praktikisht i ke shpallur luftë opozitës.

Të gjitha këto, po ndodhin, ose do të ndodhin, kur kryeministri vjen pas një krize dhe një palë zgjedhje që nuk i kanë shtuar asgjë legjitimitetit të tij, dhe e sigurt është se e kanë reduktuar ose cenuar më shumë atë.

Në këto kushte, Rama thjesht po e bën fare të qartë se s’do t’ia dijë për askënd, dhe vazhdon të mbretërojë e të çojë deri në skaj trillet e tij.

Nëse ndodh që të njihen edhe zgjedhjet e 30 qershorit nga ndërkombëtarët, atëherë Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një formë të re qeverisjeje, të pavotuar, por të instaluar përditë e nga pak. Në atë të një autokracie të rrezikshme.


Etiketa: , , , ,

Pas