Tri medaljet e arta botërore u fshinë, u rrezikua një gjobë prej 100 000 eurosh, si dhe u afrua kërcënueshëm pezullimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nga garat ndërkombëtare. Çfarë ndodhi dhe përse ndodhi?
Nga Bledar Kuka
Nuk jemi më të këqijtë në botë! Nuk ka po ashtu çast më të keq për sportin sesa dalja pozitiv me doping e Lens Armstrongut, çiklistit që fitoi 7 Ture të Francës, dhe që doli legjendë e gënjeshtërt. Gjithsesi, goditja që morëm ishte e rëndë. Katër raste dopingu në një vit kalendarik nuk na kishin ndodhur kurrë më parë në peshëngritje. Thuajse gjithë ekipi kombëtar. Pas Arbër Çerçizit, erdhën me radhë Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli. Tri medaljet e arta botërore u fshinë, u rrezikua një gjobë prej 100 000 eurosh, si dhe u afrua kërcënueshëm pezullimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nga garat ndërkombëtare. Çfarë ndodhi dhe përse ndodhi? Sido që të komentohet, Romela, Hyseni dhe Danieli, nuk mund të quhen fajtorët e vetëm, madje as më të mëdhenjtë. Do të mbetet mister periudha 4-mujore në Greqi, nga gushti deri në nëntor kur u mbajt kampionati botëror, ndonëse historitë për përdorimin e dopingut kanë dalë në sipërfaqe shumë shpejt. Histori që përfshijnë një mjeke greke dhe njerëz të shquar të peshëngritjes së vendit fqinj. Madje, që shkojnë deri lart në sferat e politikës e cila, ndoshta nuk ka ditur gjithçka, por që dyshohet se nuk ka qenë kaq e painformuar.
Fakti që, si shpeshherë, nuk duket se do të ketë përgjegjës për këtë që ndodhi, të bën të mendosh se askush nuk qenka kaq i pafajshëm. Njëlloj siç gjykohet për korrupsionin, me deduktim: Nëse nuk goditet, atëherë edhe kreu i institucionit duhet të jetë i përlyer.
Kontrollet antidoping përpara botërorit u bënë në Greqi, ndërsa duket se nuk kanë qenë të sakta, komisioni antidoping nuk u ndie as në pritje të turneut, as pas tij. Bëhet fjalë për një komision që ende varet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe që ka në krye një zv.ministër. Krerët e politikës, ata që fituan garën me mediat për informimin e publikut, pasi plasi skandali nuk u panë më kund. Në rrjetet sociale, nëse kërkon, gjen vetëm mesazhet e tyre të shkurtra, patetike dhe aspak origjinale duke iu përgjëruar kampionëve të rinj të botë. Për ta, Romela, Hyseni apo Danieli as nuk ekzistuan ndërsa përgatiteshin për në Botëror, siç edhe bëjnë kinse se nuk i njohin tani që dolën pozitivë për doping. Ata që ishin yjet e sportit (dhe që kanë fituar jo pak për t’u quajtur të tillë), u duheshin vetëm për në bursën elektorale.
Ky është edhe përfundimi që nxjerr Artan Shyti, përgjegjësi i sektorit shkencor në Universitetin e Sportit në Tiranë. Shteti shqiptar nuk i mbështeti financiarisht sportistët gjatë rrugës së gjatë për t’u bërë kampionë, nuk u ndërtua infrastruktura e duhur për ta, as nuk u shpenzua për të krijuar stafet me trajnerin e kualifikuar, ndihmësin, mjekun, fizioterapistin apo psikologun. Që përpara sesa të dilte historia e dopingut, bëri përshtypje fakti se gjatë Botërorit, edhe peshëngritësi më i humbur kishte pranë vetes 4-5 njerëz që kujdeseshin për të, ndërsa kampionët tanë patën vetëm trajnerin dhe presidentin e Federatës. Kjo është historia e përsëritur e talenteve në Shqipëri, ajo e lënies vetëm, njëlloj si fëmijët jetimë, ndërsa nëse ia dalin të arrijnë ndonjë sukses, menjëherë dalin prindërit e këqij që u hedhin dorën në qafë dhe janë të parët që pozojnë para kamerave. Elis Guri është një mundës shqiptar nga Shkodra, pasardhës i një kampioni të mundjes. Ai fitoi medalje ndërkombëtare për Shqipërinë, ndonëse jo ari. Mori nënshtetësinë bullgare, garoi për Bullgarinë dhe fitoi titullin botëror.
Elisi tregon se çfarë ndodh atje: Nuk është gjithçka e përkryer, edhe atje ka vonesa në pagesa, por shteti investon në 100 mundës që, 3-4 prej tyre të bëhen kampionë të botës. Në Shqipëri, ishin vetëm Elisi dhe Sahit Prizreni, ndërsa dikur para 1990-ës, bëheshin ndeshje për të fituar qoftë edhe një vend në palestrën e stërvitjes. Shyti përpiqet ta shohë gotën gjysmëplot: Ndoshta na bëri mirë kjo që ndodhi! Sipas tij, medaljet e arta të fituara me kaq lehtësi, do të ishin bumerang për sportin, pasi politika do të thoshte: Çfarë keni që kërkoni të shpenzojmë kaq shumë për ju, kur u dalka kampion bote me fare pak investim! Jo programe 4-vjeçare, jo infrastrukturë, jo stafe të specializuar, por vetëm 4 muaj stërvitje në Greqi dhe kaq! Për fat, kjo nuk mund të thuhet më! A mundet shteti shqiptar të shpenzojë për sportin?
Mos vallë po bëjmë kërkesa të tepruara, prej njerëzish të llastuar në një kohë që Shqipëria ende nuk ka rrugët për të qenë, spitalet, shkollat apo gjithçka tjetër të domosdoshme për të jetuar normalisht? Përgjigja është “po”! Shteti shqiptar ka mundësi të investojë për sportin, gjithnjë duke vendosur prioritetet, duke kontrolluar përdorimin e financave, duke vendosur njerëzit apo kompanitë e duhura për të bërë punët dhe duke marrë parasysh se ky është një investim që kthehet. Publiciteti që i bëhet Shqipërisë në raste të tilla është i pamasë.
Në botë ka shembuj të ndryshëm. Vende si Koreja e Veriut, Azerbajxhani, madje edhe Kina, ndjekin rrugën shtetërore. Ndërtojnë komplekse sportive, krijojnë programe për sportistët dhe i zbatojnë në shkallë të gjerë. Koreja e Veriut ka politikën sipas së cilës kompanitë e mëdha marrin në patronazh sportet dhe reklamojnë emrin e tyre. Në këtë mënyrë Koreja e Jugut, p.sh., krijoi nga hiçi sportin e gjuajtjes me hark, disiplinë olimpike kjo që nga viti 1988. Koreano-jugorët për femra janë numri 1 absolut nëpër olimpiada. Po sipas mënyrës se vet, Koreja e Veriut kaloi Kinën në peshëngritje, pikërisht në Botërorin e fundit. Azerbajxhani, falë mundësive të mëdha ka ndërtuar plot 30 komplekse olimpikë, ndërsa Shqipërisë nuk i falet që ende nuk ka asnjë. Për fat të keq nuk dimë as të bëjmë politikë siç bëri Moldova (Moldavia) kur, në shkëmbim të një medalisteje olimpike (Kristinë Iovu) i kërkoi Azerbajxhanit t’i ndërtonte një kompleks olimpik. Nëse Shqipëria do ta kishte ndjekur këtë politikë me Mirela Manjanin apo Elis Gurin, sot do të flisnim ndryshe.
Në Perëndim ka shembuj të tjerë, pasi gjithkush vepron ashtu siç është mësuar. Spektakolar është shembulli i Britanisë së Madhe, e cila u trondit kur në 1996, në Lojërat Olimpike në Atlanta, fitoi vetëm 1 medalje ari, dhe 15 medalje gjithsej. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe në 1997 nisi zbatimi i strategjisë së re. Lotaria Kombëtare injektoi fondet për sportet (dhe për aktivitete të tjera pozitive shoqërore). Vetëm për sportin u shpenzuan 60 milionë paund për Lojërat Olimpike në Sidnej 2000, 70 milionë për në Athinë 2004, 235 milionë për në Pekin 2008 dhe 264 milionë paund stërlina për Lojërat Olimpike në Londër. Ata që duan ta shohin sesi është bërë kjo punë, le të kërkojnë në web se gjithçka është e detajuar.
Ndikimi ishte i menjëhershëm. Britania fitoi 11 medalje ari në Sidnej 2000, hera e parë që e arrinte këtë që prej vitit 1920. Në total, fitoi 28 medalje. Katër vjet më vonë, në Olimpiadën e Athinës, u fituan 30 medalje, ndërsa në Pekin 2008 u arrit në 19 medalje ari dhe 47 gjithsej. Në Lojërat Olimpike në shtëpi, në Londër, u arrit ndoshta suksesi më i madh në histori me 29 medalje ari, 17 argjendi dhe 19 bronzi. Britania doli e treta pas superfuqive SHBA e Kinë, duke lënë pas Rusinë e madhe dhe duke lënë në bisht rivalë të tillë si Gjermania apo Franca.
Britania e nisi punën me Lotarinë Kombëtare që në vitet 90-të dhe rezultatin e mori 5, 10 apo15 vjet më vonë. Plot 60 për qind e fondeve për sportet vinin pikërisht nga Lotaria, ndërsa 40 për qind nga taksapaguesit britanikë. BBC ka bërë një llogari dhe i ka dalë se çdo qytetari që paguan taksat, kjo i kushton 80 peni në vit, pra diçka më pak se një paund. Një medalje u kushtoi britanikëve 10 milionë paund, ndërsa për shtete të tjetër, me kosto dhe standarde më të ulëta, një medalje olimpike shkon në 4 milionë euro, siç thotë Artan Shyti. Shqipërisë me siguri do t’i kushtonte më pak. Për këtë, mjafton të përmendet shembulli i notarit serb, Milorad Çaviç, medalist botëror dhe olimpik, i cili shpenzoi rreth gjysmë milionë dollarë për medaljen olimpike, të paktën sipas llogarive të bëra në mediat serbe. Duke u kthyer tek dopingu, duhet thënë se peshëngritja shqiptare pësoi një krasitje të vërtetë me ngjarjen e Kazakistanit. Nga ekipi kombëtar, i vetmi pretendent për medalje mbetet Erkand Qerimaj. Për më tepër, shqetëson tendenca pasi 4 vitet fundit kanë qenë më të këqijtë në historinë e shtangës, me 9 raste pozitivë për doping. Në të kundërt, nga viti 2003 deri në 2010, Shqipëria pati 4 raste.
Gjithsesi, nuk do të tregoheshim të drejtë nëse historinë tonë do ta linim me kaq. Dopingu është një fenomen botëror, sidomos në peshëngritje. Vitin e kaluar dolën pozitivë plot 18 shtangistë nga Azerbajxhani, 13 nga Kazakistani, 7 nga Armenia, 7 nga Uzbekistani dhe 5 nga Ukraina, të gjitha republika ish-sovjetike. Në 2011, rekordin e mbajti Tajlanda me 7 raste, ndërsa në 2008 ndodhën skandalet e mëdha të Bullgarisë e Greqisë pikërisht para Lojërave Olimpike. Bullgaria pati 12 raste dopingu dhe Greqia 11, praktikisht gjithë ekipet e tyre kombëtare.
Gjobat nuk kanë të mbaruar (Azerbajxhani pagoi vjet 500 000 dollarë), po ashtu ”katarsisi” me drejtuesit e federatave në Bullgari, Greqi apo Iran të shkarkuar e të dorëhequr. Pas këtyre fakteve, njeriut nis e i lëkundet besimi tek e drejta, e pastra dhe e mira. Pra, po u falemi idhujve të rremë? Mitet e sportit mos qenkan të produkt i dopingut? Diçka të tillë mendoi perandori romak, Theodhosi I, në vitin 394 pas Erës së Re, kur i dha fund Lojërave Olimpike antike, ndonëse perandori u ndaloi edhe si rite pagane, ndërsa ai ishte një i krishterë i devotshëm.E vërteta është se suksesi sportiv arrihet edhe pa doping, edhe pse do të kërkonte një sakrificë tepër të madhe.
Shumica e yjeve të mëdhenj e kanë gati fjalinë-standard: Më kthe rininë, të kthej gjithçka kam fituar. Stërvitja dhe regjimi nuk lenë kohë për kënaqësi të tjera të jetës. Në vitet 80-të, Shqipëria ka pasur të paktën një kampione të padiskutueshme në pastërtinë e saj. Ajo ishte Pavlina Evro, atletja korçare që u bë e para që fitoi medalje të artë në Mitingjet Ndërkombëtarë. Ia doli në Nisë në 1984 dhe mbetet edhe sot e vetmja! Fitoi medalje në Mitingun e Oslos në 1985 dhe po ashtu në Lojërat Mesdhetare në Latakia të Sirisë, dy vjet më pas. Pavlina, nën drejtimin e trajnerit Pirro Kasati, vraponte 35 km në ditë, ndërsa shteti shqiptar në ato kohë i gjente qumësht blete (jo mjaltë). Tepër korrekte në regjim dhe jashtëzakonisht e fortë në karakter, ajo arriti maksimumin e kohës së saj. Xhavit Bajrami është një tjetër shembull.
Tetë herë kampioni botëror në kikboks, sot president i Federatës Shqiptarë të Kikboksit, thotë prerë se nuk ia ka mësuar ndonjëherë shijen dopingut. I lindur në Prishtinë dhe i bërë kampion në Zvicër e Japoni, nxënësi i legjendarit Andi Hug, preku majat, falë talentit dhe punës. Në fund të fundit, edhe statistikat e tregojnë se, pavarësisht se dopingu mbetet tepër i përhapur, jo më shumë se 10-15 për qind e testimeve dalin pozitive. Shifra është e lartë, por shumica dërrmuese mbetet e pastër.