Organizata e minoritetit grek, OMONOIA është distancuar nga anëtari i saj, Grigor Karamelo që pranoi mandatin e deputetit, nga lista e PD-së. Në një deklaratë për mediat, OMONOIA thotë se vendimi i tij është personal, i pakonsultuar me forumet e organizatës.
“Me qëllim shmangien e çfarëdo pështjellimi të padëshiruar në referencë të zgjedhjes personale dhe vendimit individual të anëtarit tonë të zgjedhur në forumet drejtuese të Organizatës, z. Grigor Karamelo, për të pranuar pozicionin e deputetit të listës së Partisë Demokratike, sqarojmë se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi miratuese nga ana e organeve institucionale të OMONOIA-s. Bëhet fjalë për një vendim individual dhe respektive janë edhe konsekuencat dhe përgjegjësitë politike”, thuhet në deklaratë.
Më tej sqarohet se OMONOIA ka mbështetur vendimet politike të PBDNJ-së dhe kryetarit të saj, Vangjel Dule i cili është i rreshtuar prej kohësh në krah të Bashës dhe opozitës së bashkuar.
“Heqja dorë nga mandatet parlamentare përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend. Si Minoritet Etnik Grek kemi arsye thelbësore të jemi në atë anë të shoqërisë që kërkon përmirësime esenciale të mënyrës së të ushtruarit të qeverisjes”, thuhet në deklaratën e OMONOIA-s.